Konflikti në rrjetet sociale degradoi deri në përdorimin e armës. Shpallet në kërkim autori

Dy të rinj të moshës 21-vjeçare janë plagosur me armë zjarri në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës dhe të lënduar mbetën Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu. Dy bashkëmoshatarët u qëlluan me pistoletë nga 25-vjeçari Klajdi Mansaku, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Në konflikt u përfshi edhe një tjetër i ri, i identifikuar si Mario Vrioni, i cili shpëtoi pa lëndime.

Sipas policisë konflikti mes të rinjve nisi që në orën 22:00 të mbrëmjes së të premtes në lagjen 10 të qytetit bregdetar, pas një debati në rrjetin social TikTok. Ishte autori Klajdi Masaku që debatoi në telefon me Mario Vrionin dhe lanë takim për t’u sqaruar pranë shtëpisë së këtij të fundit. Mario Vrioni mori me vete kushëririn e tij Jurgenin dhe shokun e tyre të përbashkët Arben Haxhiun.

Sapo tre të rinjtë u afruan vendit të takimit Klajdi Mansaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të makinës se Mario Vrionit dhe u largua menjëherë. Si pasojë, nga një plumb rioshet u lënduan lehtë  Jugen Vrioni me Arben Haxhiu.

Autori i plagosjes së dy bashkëmoshatarëve ndodhet në kërkim, ndërsa policia thotë se janë ngritur pika kontrolli, janë njoftuar pikat e kalimit kufitar dhe po ushtrohen kontrolle në banesa e ambiente ku dyshohet se mund të fshihet 25-vjeçari, me qëllim kapjen e tij.

Klan News