Janë dy personat të cilët mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në lagjen numër 12 të Durrësit.

Burime zyrtare të policisë thonë se të plagosur kanë mbetur 23-vjeçari Flamur Çerma dhe nëna e tij Valbona Çerma, të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje janë dy vëllezërit Zyber Juba, 45 vjeç dhe Erges Juba, 30 vjeç, të cilët u arrestuan. Shkak për ngjarjen, policia thotë se u bë një konflikt i çastit për vendin e parkimit, poshtë pallatit ku ata jetonin.

Fillimisht në pranga u vu 45-vjeçari, por pasi mori dëshminë e të plagosurve, policia arrestoi edhe vëllain e tij. Rreth 2 orë pas ngjarjes, nënë e bir treguan se ata kishin marrë pjesë të dy në konflikt.

“Rreth orës 20:10, në lagjen nr.12, Durrës, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta (për vende parkimi), fillimisht me sende të forta, shtetasi Z. J., rreth 45 vjeç, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin F. Ç., rreth 23 vjeç.

Si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë dhe shtetësja V. Ç., rreth 45 vjeçe, ( e ëma e shtetasit F. Ç.,), e cila ndodhej në momentin e konfliktit dhe është dërguar në spital nga shërbimet e Policisë dhe ndodhet bashkë me djalin nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Autori i dyshuar shtetasi Z. J., është shoqëruar menjëherë në ambientet e Policisë Durrës për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”, tha policia e Durrësit në një njoftim zyrtar për mediat./tvklan.al