Nga KZAZ-ja në shkollën “1 Maji”, aty ku një sherr masiv ku u përfshinë disa persona, jo vetëm solli një pamje të padëshiruar për këtë proces zgjedhor që deri më tani ka qenë përgjithësisht pa probleme, por ndërpreu gjithashtu edhe numërimin në këtë qendër, Ilirjan Celibashi tha se KQZ kishte marrë vendimin për shfuqizimin e akredimit e vëzhguesve në këtë KZAZ duke i zëvendësuar ata me të tjerë. 

“Incidenti që ka ndodhur natyrshëm që e acaruar situatën, nuk ka krijuar një kusht pune të mirë për anëtarët e grupeve të numërimit, dhe për vetë KZAZ-në. Tani për ta risjellë këtë situatë në pozitat e ligjit dhe të transparencës, edhe të integritetit, kemi vendosur që të shfuqizojmë të gjitha akreditimet e vëzhguesve, të dhënë deri më sot dhe kemi dhënë akreditime për vëzhgues të tjerë. Çdo autorizim që u është dhënë vëzhguesve deri më sot, vetëm për këtë KZAZ janë shfuqizuar. Kemi dhënë akreditime të reja, nga vëzhgues të rinj,  nga një për çdo subjekt zgjedhor”, tha Celibashi.

Celibashi shtoi më tej se, “Në këtë sallë nga ky moment e në vazhdim, do të jenë vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, 13 të tillë, do të jenë deri në 7 vëzhgues të organizatave jo fitimprurëse, konfirmimi për të cilat do ta bëjë KQZ në konsultim me KZAZ-në . Do të jenë vetëm përfaqësuesit e medias dhe kandidatët për deputet”.

Komisioneri tha se numërimi në këtë qendër do të vijojë pas një pushimi prej 4 orësh.

“Numërimi do të vazhdojë tani, por do të dalin të gjithë vëzhguesit që kanë pasur akreditim deri në tani dhe do të përfundojë procesi i vlerësimit të fletëve të votimit që numëruesit kanë hapur tani. Kemi autorizuar një pushim prej 4 orësh në konsultim edhe me kandidatët për deputetë, kryesisht ë forcave kryesore politike. Kemi autorizuar një pushim për 4 orë për KZAZ-në dhe anëtarët e grupeve të numërimit. Ishin të gjithë në nevojën për ta pasur këtë pushim edhe për shkak të lodhjes dhe të stresit dhe nuk bënte sens se anëtarët e KZAZ kanë një pjesë e tyre që të premten që janë duke punuar. Kështu që nuk vlente që të vazhdojnë të jenë në detyrë kur nuk kanë eficencë”./tvklan.al