Veliaj: Mendojmë për gjeneratën tjetër, sheshe në çdo lagje

Në njësinë numër 3 në rrugën “Endri Keko”, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për një shesh të ri rekreativ. Kryebashkiaku Veliaj inspektoi ecurinë e punëve ndërsa premtoi se sheshe të tilla do ketë çdo lagje.

“Nëse duam që fëmijët t’i rrisim me më shumë kohë në natyrë, me më shumë aktivitet fizik, duhet që hapësirat mes pallateve t’i kthejmë në mjedise ideale për kënde lojërash, stola për të moshuarit, një vend ku mund të ecin ose të mësojnë biçikletën. Kemi ecur me ritmin nga një kënd rekreativ në muaj dhe deri tani janë bërë 75 të tillë”

Çdo investim sipas kryebashkiakut bëhet për gjeneratën e ardhshme.

“Duhet të mendojmë për gjeneratën e ardhshme, jo për zgjedhjet e ardhshme. Zakonisht, është menduar për zgjedhjet e ardhshme dhe është gabim, se mendojmë hesapet e zgjedhjeve dhe harrojmë që po rritet një gjeneratë, e cila ka gjithashtu nevojë për përgjigje. Nëse rrisim fëmijë që mësojnë të mbjellin një pemë, të mbajnë pastër, që e kuptojnë vlerën e komunitetit, që mësojnë që gjërat bëhen në skuadër, kemi përgatitur Tiranën e ardhshme”.

Në çdo hapësirë mes pallateve po krijohen sheshe të vogla me stola, pemë dhe lodra, që janë në funksion të komunitetit.

Tv Klan