Sheshi i Ri Skënderbej, është përzgjedhur në listën e finalistëve për Çmimin Europian të Hapësirës më të Bukur Publike 2018, në Barcelonë.

Lajmi është bërë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetet sociale. Këtë rast kreu i qeverisë e ka shfrytëzuar edhe për të kritikuar kundërshtarët e ndërtimit të Stadiumit të Ri, apo edhe të Teatrit të ri Kombëtar.

Kur 10 vite më parë, thosha se Sheshi i Ri Skenderbej do jetë ndër hapesirat më të bukura publike të Europë, çfarë nuk më dëgjuan veshët

Sot, Sheshi i Ri Skënderbej, pasi u bllokua si kantier, u shkatërrua për t’u zëvendësuar me një rrethrrotullim makinash me një kurabie bari në mes dhe, më në fund u rindërtua e përfundua, është përzgjedhur në listën e finalistëve për Çmimin Europian të Hapësirës më të Bukur Publike 2018, në Barcelonë. Të shohim nëse do të shpallet fitues, por sidoqoftë ka marrë tanimë edhe vulën më prestigjoze europiane, si një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës.

(Prandaj, ata që hidhen përpjetë sapo shfaqen të rejat që sjell vizioni e këmbëngulja modernizuese në hapësirën tonë të përbashkët, bëjnë mirë ta nxjerrin mësimin nga kjo histori, sepse nesër edhe Stadiumi i Ri Kombëtar edhe Teatri i Ri Kombëtar, do të jenë në të njëjtën kategori të Familjes Europiane të veprave të bukura urbanistike e arkitektonike, siç është tanimë Sheshi i Ri Skënderbej

)”, shkroi Rama./tvklan.al