Blerësi i kthen bronzin ukrainasit

Stanislav Horuna fitoi medaljen e bronzit në Karate në kategorinë nën 75 kg në lojërat Olimpike të Tokios vitin e kaluar. Pas nxjerrjes në ankand, Federata e Karatesë e Ukrainës njoftoi së fundmi se medalja ishte blerë nga një shtetas japonez.

Falë këtij ankandi, u mblodhën 19,400 euro, të cilat Horuna kishte premtuar se do të përdoreshin si mbështetje për ushtrinë, spitalet dhe përpjekjet për evakuim në Ukrainë.

Por ai u surprizua nga blerësi. Fituesi i ankandit e kishte kontaktuar për t’i premtuar se do t’ia kthejë medaljen olimpike kur të përfundojë lufta.

Sportisti pranoi se gjëja e rëndësishme tani nuk ishin interesat e tij personale, por ato që përfshijnë atdheun. Secili duhet të luftojë në mënyrën e vet, ka thënë 33 vjeçari për një media vendase.

Horuna është ndër atletët ukrainas që kanë pezulluar karrierën e tyre sportive për të ndihmuar në mbrojtjen e atdheut. Ylli i karatesë i ishte bashkuar një njesie ushtarake në Lviv. /Tv Klan