Policia në Tajlandë ka arrestuar një grua, luani i së cilës është filmuar teksa shijonte një shëtitje në një makinë të hapur në rrugët e Pattayas. Në pamjet që janë bërë mjaft virale, shihet luani në pjesën e pasme të një “Bentley” të bardhë.

Autoritetet në Tajlandë thanë se gruaja e quajtur, Sawangjit pretendoi se e kishte blerë kafshën nga një tajlandez në Nakhon Pathom, i cili lehtësoi me sukses dorëzimin e saj në Pattaya. Megjithatë, transferimi dhe pronësia e luanit është i paligjshëm pasi kafsha nuk u regjistrua zyrtarisht nga autoritetet.

Në këtë mënyrë, Sawangjit përballet me akuza për posedim të një kafshe të egër pa leje, e cila dënohet me 1 vit burgim dhe gjobë deri në 2,800 Dollarë.

Shoferi i makinës ishte një mik i pronares së luanit, i cili sipas raportimeve është larguar nga vendi. Ai akuzohet për nxjerrjen në vende publike të një kafshe të egër, gjë që sjell burgim deri në 6 muaj dhe gjobë. Personi që i shiti luanin Sawangjitit do të përballet gjithashtu me akuzat për shitjen e një kafshe pa leje.

Në Tajlandë nuk është e paligjshme që të posedosh një luan, por ai duhet të regjistrohet zyrtarisht. Sipas autoriteteve, aktualisht ka 224 luanë në Tajlandë që janë në pronësi të ligjshme./tvklan.al