Dy persona kanë rezultuar pozitivë pas analizave të bëra për koronavirus në Britani të Madhe.

BBC raporton se dy pacientët janë familjarë. Ata po qëndronin në një hotel në Yorkshire dhe më pas u dërguan në një qendër të specializuar mjekësore.

Sipas autoriteteve britanike, ata kanë ardhur me linjë ajrore nga qyteti Wuhan i Kinës në Britani. Në këtë fluturim ishin 83 britanikë dhe 27 shtetas të kombësive të tjera.

Koronavirusi ka shkaktuar deri tani 213 të vdekur, raste të shënuara të gjitha në Kinë.

Virusi i rrezikshëm është përhapur edhe në vende të tjera të botës, ku janë zbuluar pacientë të prekur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën globale. /tvklan.al