Mediat italiane kanë publikuar fotot e 21 shqiptarëve të arrestuar në operacionin e gjerë antidrogë të së martës, të koduar “Lulet e Pranverës”. Në pranga ranë në total 27 persona, mes të cilëve edhe shtetas italianë, në operacionin që u shtri në dy anët e Adriatikut.

Sipas detajeve të zbuluara së fundi nga mediat italiane, shqiptarët ishin organizatorët kryesorë të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Kanë trafikuar tonelata kokaine dhe heroine, të cilën e transportonin me gomone të fuqishme që mund të lundronin edhe në oqeane. Nga hetimet 2-vjeçare, rezulton se të arrestuarit ishin të ndarë në 4 grupe. Për transportin e drogës përmes detit rekrutoheshin skafistë shqiptarë. Italianët e arrestuar kishin rol të dorës së dytë, si garantues të mjeteve logjistike.

Baza e grupit ishte në Leçe. Droga shqiptare zbarkonte në brigjet salentine dhe shpërndahej në 8 rajone nga Siçilia në Lombardi, por edhe në shtete të tjera si Zvicra e Gjermania. Bashkëpunim të ngushtë shqiptarët kishin edhe me mafien siçiliane. Shpesh herë mafiozët italianë u paguanin shuma të konsiderueshme shqiptarëve për të ruajtur zonat e shitjes së drogës. Një pjesë e parave u sekuestruan në operacionin e të martës, krahas një sasie armësh e municionesh.

Tv Klan