Asgjësohen 120 krerë të prekura në një fshat të Fierit

Shfaqet gripi i shpendëve në fshatin Adë të njësisë Frakull të Fierit. Autoritetet kanë konstatuar dhe asgjësuar 120 krerë te prekura nga ky virus. 70 prej tyre janë pula fushe ndërsa të tjerat janë zogj deti, rosa dhe pata.

Është bërë dezinfektimi i fermës dhe shpendët janë groposur. Janë marrë edhe 82 kampionë gjaku në shpendët e familjes ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në pularitë e zonës.

Kjo është vatra e katërt e konfirmuar nga autoritetet e gripit të shpendëve. Në muajin Qershor ai u konfirmua në Fushë-Krujë, në Dajt në periferi të Tiranës dhe në Bujan të Tropojës.

Pas konfirmimit ministrja e Bujqësisë urdhëroi ndalimin në rang kombëtar të tregtimit të shpendëve të gjallë në mjediset e hapura  dhe në tregjet e kafshëve të gjalla. Tashmë lejohet lëvizja e shpendëve me destinacion thertoret, të shoqëruar vetëm me certifikatë shëndetësore veterinare.

Ekspertët thonë se produktet dhe nënproduktet me origjinë nga këto shpendë nuk paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve. I rëndësishëm është respektimi i higjienës dhe gatimi në temperatura të larta të të gjitha produkteve me origjinë shtazore.

Si masë paraprake Shqipëria ka vendosur të ndalojë importin e shpendëve të gjallë dhe nënprodukteve të tyre nga Kosova dhe veriu i Greqisë të cilat iu bashkuan listës me 15 shtete të tjera të përcaktuara që prej Janarit.

Deri tani nuk ka konfirmime në vend që gripi i shpendëve të ketë infektuar njërëz. Raste të tilla janë të rralla, ndërsa deri më sot janë konstatuar vetëm disa raste në Rusi pa problem për jetën.

Tv Klan