Vazhdojnë keqkuptimet mes Emës dhe Ervinit

Në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e kaluar mes shumë personazheve të njohur, por edhe një publiku të gjerë, u shfaq premiera e komedisë “2 Gisht Mjaltë 2”.

Në tapetin e kuq nuk mund të mungonin kryepersonazhet, Ermal Mamaqi,  Elvana Gjata  dhe yjet e kinematografisë, Marjana Kondi, Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Sejfulla Myftari, Xhevahir Zeneli etj.

Ema dhe Ervin, dy personazhet kryesore të filmit, por tashmë bashkë me bebushen e tyre, vendosin të shkojnë me pushime në Turqi, por një ngatërresë aeroporti, sjell probleme të tjera në çift dhe një takim i papritur bën që personazhet të përfundojnë në një resort në Zvicër.

As aty nuk kanë të ndalur keqkuptimet, por edhe humori që shoqëron çdo skenë.

Elvana Gjata: Ka një dinamikë shumë më të fortë dhe do të ju shkaktojë më shumë të qeshura se i pari.

Regjisori dhe aktori, Ermal Mamaqi, rrëfen emocionet dhe pritshmëritë.

Ermal Mamaqi: Jam shumë i lumtur për interesin dhe besoj që ky film do të thyejë rekordin tim. Publiku nuk do të kalojë 5 minuta pa qeshur.

Tregon edhe për momentet e para të tij dhe dëshirën për t’u bërë aktor edhe pse i paragjykuar.

Ermal Mamaqi: Kur bëj ato skeçet e mia fëminore përpara mamit dhe babit dhe vëllait tim, ata më thonin “boll me karagjozlliçe”. Tani, filmat e mi nuk i sheh vetëm familja ime, por të gjitha kinematë për të bërë njerëzit për të qeshur dhe të lumtur.

Në rolin e nënës së Ervinit, Marjana Kondi, flet për këtë rol që kapërcen personazhet e saj të mëparshëm.

Marjana Kondi: E kisha pak të sikletshëm sepse kishte disa gjëra që edhe për moshën time, nuk parashkojnë, por ata janë të vendoura në një situatë të mirë.

Ndërsa Elson Bajrakurtaj, me profesion inxhinier, sfidoi vetën e tij në rolin e parë si ish të dashurit të Emës.

Elson Bajrakurtaj: Jam gjendur shumë rastësisht, e mendova realisht si sakrificë, por ka qenë një nga eksperiencat më të bukura të jetës time.

Ashtu siç premtoi Ermal Mamqi, ashtu edhe ndodhi në premierën e komedisë, të qeshurat nuk munguan nga publiku.

Nga 14 Shkurti filmi “2 Gisht Mjaltë 2” do të shfaqet në të gjithë kinematë në vend dhe përtej.

Ermal Mamaqi: Ju pres në gjitha kinematë e planetit.

Tv Klan