Policia e Tiranës ka vënë në pranga 38-vjeçaren kineze Na Dong, e cila ishte shpallur në kërkim pak ditë më parë për shfrytëzim prostitucioni.
Ajo u kap në Rinas teksa përpiqej të largohej nga vendi. Së bashku me një kineze tjetër 52-vjeçare, të arrestuar më parë, dyshohet se rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze të cilat më pas i shfrytëzonin për prostitucion.
Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy të arrestuarat me anë të fotove të publikuara në faqen “Escort Tirana” ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave.
38-vjeçarja e cila u vu në pranga të shtunën akuzohet se i ka marrë 15 mijë euro një prej vajzave e cila kërkoi të tërhiqej nga aktiviteti.
Dy kinezet, pasi i prisnin vajzat në Rinas, i akomodonin më pas në një ambient të marrë me qira pranë Prokurorisë së Tiranës dhe i shfrytëzonin ato kundrejt tarifave 150-300 Euro.
Atyre u siguronin dhe viza pune dhe leje qëndrimi në Shqipëri, dokumente që po verifikohen nëse janë të rregullta apo janë falsifikuar.
Ndërkohë policia ka sekuestruar 4500 euro, laptop, aparate celulare, 2 pasaporta dhe 3 fletore me shënime gjatë operacionit “Red Light 2”.
Klan News