Muaji Gusht luan me ekuilibrin. Shenjat e horoskopit gjejnë lehtësimin që kanë kërkuar, teksa nga ana tjetër iu dalin përballë sfida të reja. Lajmi i mirë është që secila prej tyre gjen zgjidhjen nëse  e merr situatën me qetësi dhe kujdes, duke evituar teprinë në aspektet përkatëse. Krisanthi Kallojeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan na njeh me këshillën dhe parashikimin mujor për çdo shenjë.

Dashi – Ky muaj erotik për ju nis me dinamizëm e mundësi të veçanta. Ju jeni gati të ndërmerrni iniciativa dhe risk, por pretendimet janë të larta dhe mënyra si do veproni e reagoni nuk ju ndihmon. Mundohuni të shfrytëzoni gjithë potencialin. Ditët e vështira janë datat 1, 2, 7 dhe 8.

Demi – Ju që vështirësoheni të dilni nga zona e rehatisë dhe siguria është diçka e rëndësishme dhe e domosdoshme për ju, këtë herë, pretendoni dhe kërkoni me forcë dëshirat tuaja e lirinë, ka rrezik të prishni ekuilibrin tuaj dhe të të afërmve. Asgjë nuk ju ndalon, por ka një pasojë. Me Hënën e plotë në datën 12 keni përshtypjen dhe ndjesinë që luftoni kot me vështirësinë. Merrni kohë, çlodhuni dhe evitoni tensionet e konfliktet. Paralelisht do të keni ndihmën e të dashurve dhe mundësinë të zgjidhni gjërat me dialog. Fundi i muajit do jetë më i mirë për ju.

Binjakët – Në Gusht kultivoni sa më shumë qetësi të jetë e mundur. Përdorni energjinë tuaj të brendshme në realizimin e një qëllimi. Vetëm me një komunikim të mirë dhe veprime të kontrolluara do të merrni atë që dëshironi pa probleme. Nga data 20 Gusht e sidomos me Hënën e re më 27, do të keni dëshirë, vullnet, guxim dhe shtysë për të arritur mjaft nga ato që synoni, por mos mendoni t’i drejtoni të gjitha e të gjithë.

Gaforrja – Dëshira juaj kryesore është gjetja e mjeteve për të arritur çfarë dëshironi, të cilat kryesisht janë financiare, me qëllim realizmin e një projekti të rëndësishëm për ju të cilit do t’i shërbeni me vendosmëri e guxim. Sigurisht që disa do kenë shanse shumë të mira e të mëdha, por duhet të evitoni konfliktet me të tjerët sepse do hyni në situata të pakëndshme.

Luani – Jeni të vendosur të luani rolin e protagonistit dhe të nxirrni në pah gjithë talentin tuaj teatral. Kujdes pasi sharmi e shkëlqimi juaj provokon të tjerët. Ruani marrëdhëniet e bashkëpunimet duke kombinuar strategjinë dhe vendosmërinë në veprimet, lëvizjet dhe iniciativat që do të merrni, pavarësisht nga vështirësitë. Hëna e plotë në aksin tuaj në datën 12 Gusht sjell pengesa, kufizime, anulime dhe ngjarje të papritura, veçanërisht për të lindurit nga data 11-16 Gusht. Pas datës 20 Gusht fokusohuni te sektori financiar.

Virgjëresha – Skena planetare është e përshtatshme për një rishikim e relaksim, por ju me planet tuaja ambicioze do të shkoni në një drejtim të kundërt. Do të eksploroni horizontet tuaja, do punoni me një plan jete duke qenë të luhatur midis reflektimit dhe iniciativës.

Peshorja – Ky muaj me antitezë për ju pasi do keni shanse e mundësi, por dhe pengesa e vështirësi në jetën personale e profesionale. Mund t’iu kërkohet  të merrni më shumë përgjegjësi me Hënën e plotë në datën 12 Gusht dhe të jeni të kujdesshëm në sektorin financiar. Mos ngatërroni portofolin tuaj me atë të miqve e të të dashurit.

Akrepi – Keni përpara një muaj plot sfida dhe duhet të trajtoni me kujdes situatat, sidomos në gjysmën e parë të muajit duke ruajtur me kujdes marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, veçanërisht, ato për të cilat jeni të interesuar. Disa do ndryshojnë punë e disa do gjenden të lirë e beqarë, kryesisht të lindurit nga data 12-15 Nëntor, të ndikuar nga Hëna e plotë. Kryesorja është të përmbaheni dhe të veproni me strategji duke kanalizuar energjinë tuaj në diçka krijuese e produktive.

Shigjetari – Ndërkohë që përgatiteni për pushime, disa ngjarje të papritura të lidhura me punën e jetën tuaj të përditshme mund t’ju prishin planet dhe t’ju nxjerrin jashtë programit. Fillimi i muajit është shumë i mirë, sidomos për të lindurit në 10-ditëshin e parë të shenjës. Sigurisht do gjeni mënyrën për të kaluar mirë, për të pushuar, udhëtuar e pasur aventura, por duhet të evitoni veprimtaritë e sportet e rrezikshme dhe gjithmonë të keni mendjen në detyrimet ndaj biznesit apo punës suaj. Pas datës 20 përkushtojuni punës dhe përballuni me konkurrentë.

Bricjapi – Nëpërmjet dialogut, duke bërë një hap drejt të tjerëve, por duke ruajtur kontrollin do të keni sukses në të gjitha drejtimet dhe do tejkaloni vështirësitë e Gushtit. Do përjetoni momente të bukura familjare, një histori dashurie, aventurë të pazakontë në një atmosferë elektrizuese që nuk dihen si do  shkojnë apo sa do zgjasin. Jetoni momentin dhe tregohuni të matur. Kujdes në pasuritë e patundshme dhe investimet e mëdha financiare. Vendosni përgjegjësitë tuaja mbi ambiciet personale.

Ujori – Nëse qëllimet dhe projektet tuaja janë të mira, frytdhënëse e inovative, gjeni kohën për t’iu shpjeguar të tjerëve se çfarë kërkoni të realizoni me ndryshimet tuaja. Mos këmbëngulni në idetë e parimet tuaja sepse do përballeni me reagimet e të tjerëve.

Peshqit – Në fillim të Gushtit puna e jeta e përditshme ju sjellin kënaqësi, por duket se gjërat nuk shkojnë siç kishit menduar ju. Nuk hezitoni të thoni me zë të lartë atë që deri më tani e bënit duke pëshpëritur. Do arrini momentin të provokoni ata që ju rrethojnë. Përpiquni të jeni sa më të vetëdijshëm për përgjegjësitë, të keni frymën kolektive, të zgjidhni çështjet me dialog dhe të kujdeseni për veten. Pas datës 20 evitoni tensionet në ambientin familjar dhe kontradiktat në marrëdhënie e bashkëpunime, sidomos të lindurit në ditët e para të shenjës./tvklan.al