Një sulm në shkallë të gjerë me dron në Kiev i ka marrë jetën të paktën tre personave, mes tyre dhe një fëmijë 5-vjeçar si dhe tetë janë plagosur. Sulmet kanë shkaktuar zjarre në disa ndërtesa të larta të banimi.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko, në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram tha se shërbimet e urgjencës u erdhën në ndihmë qytetarëve që u rrezikohej jeta.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 147 dronë gjatë natës, por mbrojtja e tyre ajrore mundi të shkatërronte vetëm 97 prej tyre, ndërsa 25 nuk arritën objektivat.

Sulmet me dron vijnë disa orë përpara bisedimeve që priten të mbahen në Arabinë Saudite, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës trevjeçare intensifikohen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë presion për një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë dhe shpresojnë të arrijnë një armëpushim deri më 20 Prill.

Por pavarësisht përpjekjeve për të dhënë fund konfliktit, të dyja palët kanë raportuar për sulme të vazhdueshme.

Klan News