Emergjencat: Parashikohen përmbytje, merrni masa

Reshje shiu dhe breshëri të shoqëruara me erë dhe shtrëngata. Sipas sinoptikanëve, moti i keq do të mbërthejë pjesën më të madhe të vendit duke nisur nga nata e së premtes dhe përgjatë ditës së shtunë. Sipas ekspertëve, intensiteti i lartë i reshjeve mund të sjellë vërshim të ujit dhe përmbytje.

“Kaq shumë intensitet në pak orë parashikohet të sjellë përmbytje. Qytetet si Shkodra, Lezha, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, Saranda, do të kenë sasi reshjesh mbi 100 mm”.

Problematike parashikohet të jetë situata në zonat bregdetare, çka pritet të sjellë rrezikshmëri për lëvizjen e mjeteve detare.

“E diela do të kthejë përkohësisht kthjellimet, por e hëna parashikohet të risjellë reshjet intensive. Ndërsa temperaturat do të pësojnë ulje me një maksimum prej 24 gradë Celsius”.

Për këtë situatë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar 5 prefektuarve në veriperëndim dhe jug të vendit që të kalojnë në gjendje gatishmërie për dy ditët në vijim.

Agjencia kërkon që të vlerësohen zonat e rrezikuara nga përmbytjet dhe të përcaktojë vendet ku do të strehojë popullsinë në rast evakuimi. Në gatishmëri kanë kaluar edhe Forcat e Armatosura dhe ato të policisë.

Tv Klan