Shifra të frikshme në SHBA për numrin e viktimave gjatë 24 orëve të fundit

Shifra të frikshme në SHBA për numrin e viktimave gjatë 24 orëve të fundit

23:32 09/04/2020

Për të dytën ditë radhazi, Shtetet e Bashkuara thyen rekordin e vikimave ditore nga koronavirusi. Afro 2 mijë të vdekur u shënuan në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin e tyre në mbi 15.800. Në gjithë vendin numërohen aktualisht mbi 440 mijë të prekur, teksa ritmet e përhapjes së pandemisë vijojnë të jenë tepër të larta.

E teksa Presidenti Trump nuk ka pranuar të ashpërsojë masat si në gjithë botën për frenimin e koronavirusit për të mos bllokuar ekonominë, spasojat negative gjithësesi po shfaqen. 6.6 milionë të papunë të rinj u shtuan në listat e atyre që kërkojnë ndihmë nga shteti.

E lartë vijon të jetë shifra e viktimave ditore edhe në Britaninë e Madhe, pavarësisht se në 24 orët e fundit u shënuan 887 të vdekur, 48 më pak se rekordi i të mërkurës.

Kryeministri Boris Johnson vijon të jetë i shtruar në terapi intensive, teksa zëdhënësit thanë se kushtet e tij shëndetësore janë drejt përmirësimit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi reduktimin e ritmeve të infektimit gjatë ditëve të fundit, teksa janë shënuar vetëm rreth 1 mijë të infektuar të rinj. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë distancën dhe të lajnë vazhdimisht duart, teksa kërkoi durim deri në gjetjen e vaksinës.

Spanja dhe Italia shfaqën sërish shifra të qëndrueshme të përhapjes së virusit. 683 viktima ditore u shënuan në Spanjë e 610 në Itali. Autoritetet italiane thanë se numri i mjekëve që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi ka arritur në 105, ndërsa numërohen mbi 12 pjesëtarë të stafeve mjekësore të infektuar.

Edhe në Turqi shifrat e koronavirusit po shtohen me ritme të shpejta. Deri tani kanë humbur jetën 812 persona dhe mbi 38 mijë të tjerë rezultojnë të infektuar.

Tv Klan

Të ngjashme

Grupi

Kallezo