Në Francë po rriten sërish rastet e infektimeve

Shifrat e vdekjeve nga koronavirusi vijojnë të jenë në nivele problematike, teksa duket nën kontroll përhapja e infektimeve të reja, falë edhe masave të ashpra të ndërmarra nga shumë vende.

Ky 24-orësh preku shifrën e dytë më të lartë ditore të viktimave në shkallë globale me mbi 16 900 raste të reja. Në Shtetet e Bashkuara, vdekjet ditore ishin ndër nivelet më të larta me mbi 4 mijë raste.

Shifra e dytë më e lartë pas rekordit të 20 Janarit u shënua në Britaninë e Madhe me mbi 1 700 vdekje në një ditë. Në mbi 900 vijon të jetë edhe në Gjermani, numri i viktimave ditore.

Shpresë japin shifrat e infektimeve që ruajnë tendencën rënëse në këto vende. Përjashtim bën Franca ku rastet e reja po shtohen çdo ditë. Qeveria dyshon se një prej shkaqeve mund të jetë edhe qarkullimi i mutacionit britanik.

Autoritetet thanë se po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së një karantine të tretë kombëtare nëse nuk ndalet tendenca rritëse. Masa më e ashpër që po aplikohet aktualisht është shtetrrethimi 12-orësh që nis që në 6 të pasdites. 

Tv Klan