Pipero: Përdorimi i plazmës ka të dhëna pozitive


Pipero: Përdorimi i plazmës ka të dhëna pozitive

22:40 20/08/2020

“Shifrat e larta deri në mes të Shtatorit, më pas nuk dihet”

Përdorimi i plazmës së gjakut si pjesë e mjekimit për të infektuarit me Covid-19, po jep rezultate. Mjeku Pëllumb Pipero pranoi për Tv Klan se edhe pse medikamenti i saktë ende nuk është gjetur, kjo kurë ka efekte pozitive.

“Duhet të jemi të qartë që mrekulli me skemat e mjekimit me Covid-19 nuk ka sot në asnjë vend të botës, por përdorimi i plazmës ka dhënë rezultate mjaft optimiste dhe po merr përdorim të gjerë në të gjitha vendet. Ndihmon pacientët. Plazma jep një shans për të mbijetuar pacientët”, tha Pipero.

Pipero hodhi poshtë pretendimet se në spitalet shqiptare vdekshmëria e personave të prekur me Covid është më e lartë se në vendet e tjera.

“Nuk më rezulton kështu. Vdekshmëria në Shqipëri, në spitalet tona është e krahasueshme edhe me vendet e tjera.  Natyrisht nëse i referohemi vdekshmërisë në repartet e terapisë intensive tek ne është më i lartë, por kjo është një situatë që duhet analizuar në kohën e duhur. Sa i përket vdekshmërisë në spitale nuk më rezulton që të jetë me lartë se në vendet e tjera”, tha Pipero.

Por sa do të zgjasë kjo situatë e infektimit dhe cilat janë parashikimet për në Vjeshtë?

“Është e vështirë të bëjmë parashikime. Unë besoj që deri nga fundi i gjysmës së parë të Shtatorit situata do të jetë pak a shumë e njëjtë dhe mandej të shikojmë. Them kështu sepse ekspozimi vijon të jetë i lartë qoftë për shkak të pushimeve dhe mosrespektimit të protokolleve”.

Edhe mjeku Pipero ka bindjen se mosrespektimi i protokolleve të sigurisë shëndetësore dhe mungesa e përdorimit në masë ë gjerë të maskës mbrojtëse janë shkaktarët kryesore të shtimit të numrit të të infektuarve.

Tv Klan



Të ngjashme