#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #shiheminegjyq #Eliverta #Eror

Më në fund u bë me shtëpi, Syrja falenderon pas dy vitesh zonjën Eni Çobani

Rubrika “Shihemi në gjyq”,  në  “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, nisi ndryshe këtë të diel. Një seancë ndërmjetësimi e ndodhur më 27 shtator 2020 erdhi sërish në vëmendjen e emisionit. Bëhet fjalë për rastin e zotit Syrja Saliaj.

Bëhet fjalë për një seancë ku morën pjesë dy kushërinj për të zgjidhur problemin e pronësisë së një shtëpie që është blerë në vitin 1999. Syrja, i cili jeton në Amerikë, i kishte bërë një nder Artanit duke i dhënë 15 milionë lekë për të blerë shtëpinë dhomë e kuzhinë që të mos ngelte në mes të katër rrugëve. Pas 21 vitesh Artani nuk i kishte paguar asnjë lekë Syrjasë dhe për këtë arsye ai kërkon pronësinë e shtëpisë ose t’i kthehen lekët. Në 2018, Syrja paguan edhe 5 milionë e 200 mijë të tjera për ta privatizuar shtëpinë, dhe i kërkonte firmën e Artanit që t’ia jepte atë shtëpi.

“Po ju them përpara gjithë shqiptarëve Adrianës së dashur, Artanit gjithashtu, ju zotëri të ktheheni në  Amerikë, të keni jetë të gjatë dhe shumë shpejt do e themi publikisht, ose prona do kalojë në emër të Syrja Saliaj, ose shuma e përllogaritur nga një ekspert kontabël, duke filluar nga shuma e vitit ’99 e sot do kalojë në emër dhe për llogari të Syrja Saliaj”, ky ka qenë premtimi i zonjës Eni Çobani për këtë çështje.

Premtim ky që ajo e ka mbajtur. Tashmë zoti Syrja Saliaj ka arritur ta marrë banesën e tij. Ai ishte në një lidhje direkte për të falenderuar publikisht zonjën Eni Çobani, pasi sipas tij vetëm ajo mund ta zgjidhte këtë çështje.

Ardit Gjebrea: Përshëndetje! Ja ku është zoti Syrja.

Eni Çobani: Syrja i dashur përshëndetje! Nuk kemi pasur mundësi të flasim kështu, por unë jam shumë e emocionuar që po të shikoj. Nuk jemi parë që në  2020 së bashku.

Ardit Gjebrea: Urime për shtëpinë zoti Syrja!

Syrja Saliaj: Ajo që thotë zonja Eni është më se e vërtet e po të ketë një avokate si ajo, nuk ke nevojë, se  unë nuk kam qenë në  asnjë  seancë gjyqi. Vetëm Eni Çobani e ka bërë këtë punë, prandaj e falënderoj!

Eni Çobani: Në fakt nuk ka pasur mundësi zoti Syrja të jetë në asnjë seancë gjyqësore, por unë e kam vënë në dijeni pas çdo seance se çfarë ka ndodhur. Syrja edhe një herë shumë faleminderit. Jam shumë e lumtur! Kur të vish në Fier e pastaj në Tiranë, do e festojmë së bashku!

Syrja Saliaj: As mos e diskuto këtë punë!

I kanë vdekur 4 fëmijë, nëna: Nusja më hodhi nga shkallët, djali më thotë dil nga shtëpia

Eliverta, një nënë nga Pogradeci ka kërkuar ndihmë në “Shihemi në Gjyq”. Siç paralajmëron Eni Çobani, rasti është mjaft i vështirë, por më shumë zbulohet në insertin e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Berolda: Ju jeni një nënë e vuajtur.

Eliverta: Po moj bijë, e vuajtur jam se kam hapur 4 varre, kam varrosur 4 fëmijë dhe Zoti më ka lënë vetëm një.

Berolda: Me këtë djalë jeton?

Eliverta: Po, me këtë djalë jetoj por më ka hipur një sherr shumë, shumë i madh. Nusja më ka hedhur prej shkallëve, djali më thotë dil prej shtëpisë, e nusja më thotë dil prej shtëpisë.

Berolda: Nusen keni sjellë sot?

Eliverta: Jo, nuk kam sjellë nusen. S’kam punë me të bijën e botës unë. Unë kam sjellë djalin.

Nëna i tregon bërrylin djalit: Sa të më regëtijë një damar, këtë të jap!

Eliverta ka thirrur djalin e saj, Erorin në “Shihemi në Gjyq”, rubrika e ndërmjetësimit nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Shkak është bërë shtëpia, për të cilën Erori kërkon pronësinë ose zgjidhjen e problemit për një hapësirë ku ata kalojnë. Eliverta është e para që nis të rrëfejë situatën.

Eliverta: Më ka hipur një sherr në familje dhe kam sherr edhe me djalin, edhe me nusen, edhe nipi ma bën “nëna”, edhe mbesa “do na vrasësh babin, është babi rrugëve” më thonë nipi dhe mbesa. Po jo more bir i nënës se nuk e lë babin rrugëve ta vras por do ta zgjidh unë këtë problem se një djalë ka nëna, 4 i kam të varrosur. “Nëna ti do na lësh rrugëve”, thonë fëmijët.

Erori nis të ndërhyjë duke thënë se kjo situatë po e shtyn të largohet nga shtëpia dhe nis të shtrojë kërkesën e tij ndaj nënës.

Eror: Dua shtëpinë dhe rrugën.

Eliverta: Tët atë e ke shtrirë, ku do ta lësh atë, kush do ta varrosë atë?

Eror: Çfarë thua? Në vend të varroset ai, varrosem unë atje me ata.

Eliverta: Do ta zgjidhim.

Eror: Kur vete në Greqi, nuk e di ti e le ta dinë të tërë. Gjumin copë-copë e bëj unë. Pse? Se mendoj çdo gjë.

Eliverta: Po do ta zgjidhim mo problemin, nuk do ta lëmë.

Eror: Zgjidhe! Kur do ta zgjidhësh?

Eliverta: Po duruam, duruam deri tani, tani do ta zgjidhim problemin. Kemi vajtur vend më vend, çfarë të bëj unë e zeza?

Eror: 2022-shi moj! Ke 20 vjet!

Eliverta: Nuk të jap asgjë unë ore! Sa të më regëtijë një damar unë nuk të jap, këtë të jap!

Eror: Sa të kem krahët, nuk dua t’ia di fare për shtëpinë unë moj!

Eliverta: Kur të vdes unë, merre se nuk kam njeri tjetër, vetëm ty të kam, e merri pastaj të tëra. Mblidh mendjen!

U hodh nga varka që të shpëtonte vëllain, por u përball me akuza: Mos e mbyte për njëmijë lekë?

Eliverta është një nënë e vuajtur, e cila ka humbur 4 fëmijë. Ajo ka një djalë të vetëm, Erorin me të cilin sot përballet në “Shihemi në Gjyq”, nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Mes gjithë problematikës së tyre, Erori kujton momentin e dhimbshëm të humbjes së njërit prej vëllezërve, në të cilin ai ka qenë i pranishëm. Veç vuajtjes, Erorin e mundojnë edhe fjalët e njerëzve e akuzat se ai ka mbytur vëllanë, të cilin u përpoq ta shpëtonte.

Eror: Kam vajtur në plazh, kam qenë me varkat e këmbës, i di ato varkat e këmbës?

Eni Çobani: Po, që luhen me këmbë.

Eror: Hipa në një me djemtë e xhaxhait dhe me vëllain tim. Më porositi djali i xhaxhait “mos e merr se do të hidhet”. Jo, unë. Kur më shikonte kështu më erdhi keq, hajde thashë, e mora unë. Shkuam sa më mbulonte mua, e ndjeva se do hidhej. Kur u hodh në ujë, u hodha unë…

Eliverta: Kur më lajmëruan mua, e kishte nxjerrë televizori që filan kështu. Kur vajta unë, unë vajta kështu siç isha, më thanë hajde se ta kanë marrë Erorin në burg. Obobo thashë unë dhe ika, gjeta një furgon dhe shkova në Pogradec.

Eror: Donin ta çanin… vetëm një kushëri s’e la. “Po e çatë atë të morgut, do hyni në burg” tha.

Eni Çobani: Ju keni qenë aty kur u mbyt vëllai?

Eror: Unë kam qenë me vëllanë.

Eliverta: Ai u hodh të shpëtojë të vëllanë, ai ia kishte kapur këmbën, e tërhiqte poshtë, desh u mbyt edhe ky.

Eror: Më mirë të kisha vajtur me atë se sa të rri kështu, të vritem me tjetrin. E lus Zotin, pse s’më hëngre mua me vëllanë, thashë. Po më mbajnë njerëzit nëpër gojë, llafet.

Eni Çobani: Nuk duhet të flisni kështu se nëna juaj ka kaluar shumë probleme dhe shyqyr që ju ka juve…

Eliverta: E kishin marrë në burg, “mos e mbyte vëllanë për njëmijë lekë?”, e kanë akuzuar në polici, i kishin thënë djalit.

Eror: Më mirë të kisha ikur me atë se sa të rri unë tani…

“Shtëpinë nuk ta jap”, djali: Me mua, bye-bye

Në fund të seancës së ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq”, Eliverta kërkon që të zgjidhet çështja e shtëpisë së saj. Siç u shpjegua gjatë rubrikës së programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, fqinji ka ngushtuar hapësirën e hyrjes së Elivertës për në shtëpinë e saj në një ngushticë sa mund të kalojë vetëm një person.

Erori, djali i vetëm i Elivertës, i thotë nënës së tij se ajo ka 20 vjet që nuk e zgjidh këtë çështje. Ai i kërkon që ajo të kalojë shtëpinë në emrin e tij në mënyrë që ai të ndjekë procedurat, por banesa ndodhet në emrin e babait. Eliverta nuk e përkrah sepse thotë se ai do t’i nxjerrë nga shtëpia nëse bëhet kjo.

Eni Çobani: Të bëra një pyetje, për djalin çfarë do bësh, do ia lësh shtëpinë djalit?

Eliverta: Djali. Në qoftë se unë i nxjerr problemet e këto gjëra, djali ta ketë këtu që është publiku, unë djalit hëpërhë shtëpitë nuk ia jap.

Eni Çobani: Hëpërhë.

Eliverta: Dëgjo, dëgjo, kanë ngjarë shumë raste që vdes burri, vjehrrën e… kam kushërirën time unë, evlati s’e do, i vdiq i shoqi, iku në Itali, e mori dhëndri. Po unë s’kam as çupë, unë vetëm një djalë kam. Të vijë puna të më thojë mua nusja ik, nuk ia jap unë se kanë ngjarë shumë, nuk pyesin erdhi koha.

Eror: Nëno, po ma zgjidhët këtë problemin dakord, po s’ma zgjidhët, me mua bye-bye.

Eliverta: Nuk ta jap, shtëpinë nuk ta jap, rrugën dua të ma zgjidhësh që mos të më vritet ky djalë.

Eror: Bye.

Eni Çobani: Të zgjidhim sa më shpejt rrugën Ardit…

Ardit Gjebrea: U zgjidh, nuk u zgjidh, asgjë, nuk ia jep shtëpinë.

Eni Çobani: Jo, unë besoj që Eliverta do të bindet më pas.

Ardit Gjebrea: Jo, jo. U zgjidh, nuk u zgjidh Eli këtë thotë, puna e rrugës ta harrojë shtëpinë.

Eliverta: Vetëm mos të më vritet djali, mos të ketë sherr…

Eni Çobani: Se pronën ti nuk ia jep.

 Eliverta: Jo, shtëpinë nuk ia jap./tvklan.al