#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Hiqjani aparaturat se po vuan, s’ka jetë më”, mes lotëve babai rrëfen vdekjen e së bijës 12-vjeçare

Bardhyli është një baba që 6 vite më parë ka humbur vajzën e tij 12-vjeçare në një aksident. Sot, ai ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babanë e tij, Ibrahimin. Përballja në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan nuk është aspak e lehtë, ndërsa në publik ndodhet edhe bashkëshortja e Bardhylit, Lavdia. Si fillim, mes lotëve, ai nis të rrëfejë ngjarjen e tmerrshme që ka shenjuar jetën e tyre.

Bardhyl: Në datën 26 Qershor të 2016 më ka bërë vajza aksident. U nis nga shtëpia, kishim dasmë, martuam mbesën, u nis ditën tjetër për të ikur. I dhashë prokurën vëllait tim për të ikur në Korfuz. Gjatë rrugës, ka bërë aksident në Qafë-Muzinë, aty e ka bërë aksidentin.

Eni Çobani: Dhe nga të gjithë njerëzit që ndodheshin në makinë, vetëm vajza juaj humbi jetën.

Bardhyl: Vetëm vajza ime.

Eni Çobani: Në moshën?

Bardhyl: Në moshën 12-vjeçare. Duke parë televizor, ishte vëllai tjetër nga shtëpia e vet, pashë makinën me targa greke, ka bërë aksident.

Eni Çobani: Ju e patë në televizor lajmin?

Bardhyl: Po. Kur kam shkuar në spitalin e Gjirokastrës, ç’të shihja më? Mirë që më ka mbajtur Zoti mendjen. I thashë atyre doktorëve “hiqjani aparaturat se kjo po vuan, s’ka jetë më”. E puth babi se edhe e kemi bezdisur këto ditë, edhe ajo nuk ndihet mirë atje, na e bëj hallall se ai që na e ka bërë, do dalë e vërteta,  të vërtetën do ta gjesh ti zonja Eni.

Eni Çobani zgjidh misterin e dëmshpërblimit të aksidentit: Mashtrim

Paratë e dëmshpërblimit nga humbja e vajzës së Bardhylit janë arsyeja pse ai sot në “Shihemi në Gjyq” ndodhet përballë babait të tij, Ibrahimit. Pas vdekjes së vajzës në aksident, në vitin 2016, Bardhyli iu drejtua Francës dhe qëndroi 6 vite pa u kthyer në Shqipëri. 10 ditë pas varrimit, djali i hallës, Selim Sala, i ofrohet për ta ndihmuar për të marrë paratë e dëmshpërblimit.

Asokohe, siç rrëfen Bardhyli në “E diela shqiptare” në Tv Klan, gjendja psikologjike nuk e lejonte të merrej vetë me procedurat, ndaj i la disa prokura Selimit ku e autorizonte. Shuma e dëmshpërblimit, pas zbritjes së shpenzimeve ligjore, është 135 milionë lekë, të cilat Selimi ka thënë se ia ka dorëzuar Ibrahimit,  së bashku me prokurat, që ky i fundit i ka firmosur.

Bardhyli, ka marrë vetëm 50 milionë lekë, ndërsa 85 milionë të tjera nuk i ka parë kurrë. Ku janë paratë dhe çfarë ka ndodhur me to? Eni Çobani sqaron qartë palët dhe publikun.

Eni Çobani: Në prokurën e Selimit, se ky është gabimi që ka bërë zotëria, ja ku e kemi dhe prokurën e Selimit dhe unë e kam vijëzuar me të kuqe, i thotë, “me anë të kësaj prokure, shprehemi se jemi dakord se shuma që presim të përfitojmë kalojnë nga llogaria e avokatit te Selim Nexhip Sala”. Atëherë, ti i ke dhënë një prokurë këtij zotërisë, është e vërtetë, por avokatët nuk e kanë që duhet t’ia japin Selimit. Atëherë, avokati duhej të ngrihej e të thoshte, “Bardhyl i dashur, unë shumën nuk ia kaloj dot këtij se përgjigjem në prokurori”, se ai është njeri i ligjit, Selimi nuk e di ç’profesion ka, por avokati është njeri i ligjit.

Pyetja ime sot është kundrejt avokatëve të nderuar dhe kolegëve të nderuar, ku e keni pasur ju të thënë në prokurën tuaj që e kam unë këtu prej 3 faqesh, që shumën që ju do përfitonit nga dëmshpërblimi i humbjes së jetës së vajzës 12-vjeçare duhet t’ia kalonit Selim Salës? Nëse ju më thoni që e keni pasur në mënyrë ligjore këtë, atëherë unë tërheq çdo fjalë që kam thënë deri në këto momente, por unë ligjin e njoh mirë dhe ligjin e kam frikë shumë.

Banka që ka kaluar paratë nga emri i avokatit tek Selimi, ku ka qenë detyrimi ligjor që banka që kërkon 100 dokumenta për lloj-lloj gjërash, në këtë rast ka marrë një prokurë dhe ka thënë, është këtu që duhet të kalojë nga avokati tek Selimi. Është prokurë e Selimit dhe jo e avokatit, paratë kalojnë te avokati dhe avokati nuk e ka që duhet të kalojnë tek Selimi.

Ardit Gjebrea: Është pakujdesi apo është diçka tjetër?

Eni Çobani: Është komplet mashtrim në keqinterpretim të ligjit me dashje nga të gjithë operatorët që kanë qenë në mes, por mbi të gjitha, çfarë ndodh? Merr 135 milionë lekë Selim Sala. Ka marrë 135 milionë lekë se kam letrat e bankës këtu.

Humbi vajzën 12-vjeçare në aksident dhe u vodh nga kushëriri, Eni Çobani: Ka Zot, por ka edhe ligj! Të premtoj se…

Bardhyli humbi vajzën e tij 12-vjeçare në një aksident 6 vite më parë. Nga dhimbja, u largua për në Francë dhe procesin e dëmshpërblimit ia la ta ndiqte kushëririt të tij. Ky i fundit, siç u zbulua gjatë seancës së ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq”, nga shuma 135 milionë, i ka dorëzuar 50 milionë cash në dorë babait të Bardhylit, Ibrahimit.

Babë e bir u përplasën në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan sepse Ibrahimi nuk e besonte që Selimi, nipi i tij të ketë vjedhur paratë. Bardhyli, i ka kërkuar paratë babait të tij, por ai thotë se ia ka dhënë të gjitha. Situatën e zgjidh Eni Çobani.

Eni Çobani: Që nesër, bashkë me Bardhin, më vjen shumë keq, kërkoj edhe bashkëpunimin e zotit Ibrahim, do bëjmë një kallëzim penal pranë prokurorisë së rrethi gjyqësor Tiranë për zotin Selim Sala, por njëkohësisht edhe për avokatët përkatës. Njëkohësisht, në bazë të të gjithë dokumentacionit të paraqitur në këtë seancë ndërmjetësimi, do të shkojmë të paraqitemi dhe do të themi vetëm të vërtetën, do të shohim se ku ka shkuar kjo shumë.

Zoti Selim Sala, në qoftë se nuk erdhe këtu, në prokurori do vish se e ke detyrim ligjor dhe atje do të marrim vesh të vërtetën e madhe që në qoftë se ju nuk vini, do t’ua them unë shqiptarëve. Pra, ku kanë shkuar lekët e vajzës 12-vjeçare?  50 milionë ia ke lënë Ibrahimit pa prokurë, cash në dorë, 85 milionë zotëri, në qoftë se i ke marrë dhe i ke ngrënë, ka dhe Zot, por ka edhe ligj, kështu që do të përgjigjesh deri në fund për 85 milionët e Bardhit.

Bardhi edhe mund të ikë sepse ka edhe një djalë, edhe një vajzë, por unë jam këtu dhe deri në fund Bardhi, të premtoj me shumë emocion, që unë nuk do të të jap thjesht dhe vetëm atë që të takon, por do të të jap mbi të gjitha atë çlirim shpirtëror që ti ke për humbjen e vajzës që ti ke dhe shumën, që dhe shuma që ti ke fituar, po e them në fund, është pak për humbjen që ke pësuar.