“Shihemi në Gjyq” nis me tone të ashpra: Eduardi e quan vëllain monstër, nuk do ta shohë me sy…




“Shihemi në Gjyq” nis me tone të ashpra: Eduardi e quan vëllain monstër, nuk do ta shohë me sy…

18:35 20/06/2021

Të ftuar në rubrikën “Shihemi në Gjyq” kanë qenë të ftuar Eduardi dhe Gramozi, dy vëllezër të cilët prej vitesh kanë probleme me njëri-tjetrin dhe konflikte. Para shumë vitesh Eduardi ka marrë një kredi në emër të tij për Gramozin dhe kjo kredi nuk është paguar ende.

Nga 15 milionë Lekë që kanë marrë kredi, tani shuma nga përqindjet ka shkuar 30 milionë. Eduardi tregon se banka kontakton me të dhe i kërkon të paguajë kredinë, ndryshe do i marrë pronat. Ai e ka sjellë Gramozin që të paguajë kredinë dhe ai të jetë i qetë sepse ia ka shkatërruar familjen.

Eduardi: Vij nga Lushnja për një problem shumë serioz e të madh që më ka bërë ky lloj monstre qe më ka dalë para syve.

Gramozi: Nuk e lejoj të më flasë në atë lloj gjuhe sepse nuk është hasmi im, por është një nga vëllezërit e mi.

Eduardi: Ishim vëllezër, tani nuk jemi më.

Gramozi: Nuk e kam mashtruar dhe nuk kam ndërmend ta mashtroj.

Eduardi: Ti më ke shkatërruar familjen, më ke groposur mua. Në vitin 2004-2005 ky lloj kishte një biznes dhe unë fillova të punoj tek ky për të mbajtur familjen. Në 2008 më thotë ky që do vish të hedhësh një firmë, të marr një kredi sepse nuk është problem. Ishte biznesmen, puna po i ecte dhe i besova.  Shkuam tek banka dhe nuk lexova çfarë kishte shkruar, mora dhe gruan me vete. Nuk e lexova sepse e besoja, ai më mashtroi.

Gramozi: Po respektoj radhën sepse jemi njerëz, por të lutem ofendimet t’i ndalojë se po e nisëm me ofendime një Zot e di se ku do dalim.

Gramozi shprehet se nuk e mohon faktin që Eduardi ka marrë 15 milionë Lekë në bankë për atë dhe i thotë vëllait që t’i vijë zor që e ka sjellë tek “Shihemi në Gjyq” për 15 milionë Lekë të vjetra. Ai kishte një biznes së gjësë së gjallë që i ecte shumë mirë deri në vitin 2009 dhe punëtorët e tij merrnin kredi në bankë për të. Sipas tij leverdia e punëtorëve që merrnin kredi për të ishte rroga mujore plus një fitim tjetër.

Eduardi: Zonja Eni ky më ka shkatërruar jetën.

Eni Çobani: E dëgjoni që e ka thënë disa herë që i ke shkatërruar familjen? Të bën përshtypje ndopak?

Gramozi: Më është pirë gjaku, mua s’më bën përshtypje më për gruan time, e për fëmijët e mi, jo më për këtë. Unë jam debitor tek ky zotëria 15 milionë të vjetra kredi.

Eni Çobani: Jo je 30 milionë Lekë, sepse kur nuk e paguan kredinë rritet përqindja. Tani ia paguan këto 30 milionë?

Gramozi: Bankat janë grabitqare.

Gramozi tregon se për momentin nuk ka para dhe nuk ia paguan dot borxhin. Ai tregon edhe arsyen pse nuk i eci më biznesi. Në 2010 ka bërë një aksident të rëndë në Llogara ku për dy vite me radhë luftoi me jetën, duke bërë edhe shpenzime të shumta. Në vitin 2012 ai arrestohet për një vepër penale që nuk e ka pranuar dhe nuk do e pranojë sa të jetë gjallë.

Gramozi: Jam akuzuar për 440 mijë Lekë të vjetra false dhe jam dënuar me 5 vite dhe 6 muaj burg. I kam bërë 4 vite, një vit ma fali amnistia dhe ca të tjera i fitova gjatë rrugës duke iu lutur të famshmëve, gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve dhe i thoja unë nuk jam për këtu, jam për biznes. Në kokën time ka vetëm ide biznesi dhe nuk më dëgjoi njeri. 2 vite nëpë spitale, 4 vite burg, 6 vite, ku t’i gjeja unë klientët që klientët e mi thanë inshallah vdes, kështu del logjika dhe nga 501 milionë Lekë të vjetra, unë nuk gjej as 1 milion Lekë të vjetra. Kisha dhënë mall likuidim, jep-merr, ata përfituan nga rasti dhe nuk m’i kanë kthyer. /tvklan.al





Të ngjashme