#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Ish-burri, siç ka mbiemrin, më ka groposur me gjithë fëmijët”, vajza: Nëna nuk më hap derën e shtëpisë

Arbëresha ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” nënën e saj, Riven. Gjatë prezantimit të dy zonjave në këtë rubrikë të “E diela shqiptare” në Tv Klan, Arbëresha u shpreh se ndihet e mohuar nga nëna e saj. Ajo i kërkon Rives që ta strehojë së bashku me dy fëmijët, por nëna kundërshton dhe i mbyll derën e shtëpisë.

Arbëresha: Këtu e 8 vjet jam e ndarë. Kam qenë e martuar 28 vjet me Altin Gropa.

Eni Çobani: Është mbiemri i tillë, nuk është se ju ia vini…

Arbëresha: Jo, jo Gropa.

Eni Çobani: Respekte!

Arbëresha: Siç ka mbiemrin, më ka groposur fundësisht me gjithë fëmijët e mi. kam dy vajza. Kam 22 vjet që jetoj në Greqi. Në këto 22 vjet fëmijët i pata lënë te nëna ime. Njërën, vajzën e madhe te nëna ime dhe vajzën e vogël te vjehrri im dhe te njerka e ish-burrit tim. Me shumë probleme, me shumë halle, jam kthyer tani dhe dua që të shkoj te nëna ime. Nëna ime nuk më hap derën e shtëpisë.

Eni Çobani: Arsyeja? Se është shumë e rëndë, besoj, për Riven ta dëgjojë këtë fjalë.

Arbëresha: Po, është shumë e rëndë. Arsyeja është se unë nuk kam ku të shkoj zonja Eni. Jam në mes të rrugëve. Jam kthyer përkohësisht tani në Shqipëri, por nuk kam ku të jetoj sepse nuk po gjej as edhe një rrugëzgjidhje. Kam 8 vjet që jam ndarë dhe nuk po gjej rrugëzgjidhje as me shtet, as me…

Riva e ndërpret dhe pas përshëndetjes, nis të tregojë anën e saj të historisë.

Riva: Ajo kërkon një rrugëzgjidhje nga unë, por unë nuk e zgjidh dot atë se unë kam një shtëpi, kam djalin, kam nusen, kam edhe tre fëmijë dhe nuk kam vend ku ta fus atë.

Arbëresha: Po pse unë çfarë jam, nuk jam fëmija jot?

Riva: Nuk kam vend.

Arbëresha: Si nuk ke vend? Atje në atë shtëpi nuk jemi rritur, në atë shtëpi nuk kemi jetuar derisa u martova?

Riva: Unë të rrita, të martova, t’i mbajta dhe dy fëmijët, t’i mbajta deri në 7 vite të dy fëmijët. Tani nuk kam mundësi më.

Arbëresha: Ke detyrime. Do më lësh në rrugë? Apo të iki të ngelem në rrugë me dy fëmijët e mi, të vritem me ish-burrin tim në shtëpi?

Babai tentoi të mbyste të bijën, nëna rrëfen e ngashëryer: Vajza më ngriu, nuk fliste, m’u bllokua

Problemi mes nënës dhe vajzës të cilat ndodhen përballë njëra-tjetrës në “Shihemi në Gjyq”, rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan sapo është thelluar edhe më. Përveç faktit që Riva nuk pranon ta marrë vajzën e saj, Arbëreshën në shtëpi, kjo e fundit nxjerr një detaj të ri.

Riva ishte në dijeni të parave me fajde që ish-bashkëshorti i Arbëreshës kishte marrë nga një person që tani ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për një shumë prej 20 mijë Eurosh dhe Arbëresha i kërkon llogari nënës për këtë. Ajo i përmend të gjithë jetën e mundimshme dhe vështirësitë që ka duruar gjatë martesës, ndërsa tregon edhe një episod tronditës.

Arbëresha: Si i dhe këto lekë pa më pyetur mua se kam punuar 15 vjet duket pastruar shtëpitë e grekut atje, duke punuar nga dy punë në Greqi, duke i lënë fëmijët vetëm, duke i parë në orën 2 të natës në gjumë dhe duke ikur në mëngjes prapë në punë. Dhe unë të vij të katandisem në këtë mënyrë? Mos të gjej një rrugëzgjidhje, zonja Eni? Mos të gjej një rrugëzgjidhjes? Para ndarjes, desh më mbyti vajzën në Greqi. Dhe vajza ime sot nuk duron acarime. E kam çuar në spital me oksigjen zonja Eni sepse vajza më ngriu, nuk fliste, m’u bllokua vajza.

Eni Çobani: Si desh e mbyti?

Arbëresha: Sepse kemi pasur shumë debate, shumë probleme gjatë gjithë jetës time. Gjatë gjithë jetës time, por unë kam duruar.

Riva: Ja, unë s’i di këto. Pse s’mi ke thënë?

Arbëresha: Çfarë të them moj nënë? Se më dhimbte shpirti, më dhimbte zemra, nuk doja që të mërziteshit dhe juve, si ti dhe babi, rahmet pastë kur ishte gjallë se më kishte pikë të dobët, edhe ti, vëllai dhe motra. Nuk kam dashur.

Riva: Ja që s’i di pra.

Arbëresha: Nuk e di sepse s’doja dhe ti tani kërkon të më nxjerrësh në rrugë?

Riva: Nuk të mbaj dot. Ti gjeje djersën tënde që ke punuar kaq vite…

Arbëresha: Ajo shtëpi është edhe e babait tim, kam vend edhe unë.

Riva: Nuk kam mundësi të të ndihmoj.

“Vajza u mbulua me gjak”, Arbëresha rrëfen tmerrin e përjetuar nga ish-bashkëshorti: Fëmijët nuk guxonin të hanin…

Nënë e bijë dolën këtë të diel në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në emisionin “E diela shqiptare” në Tv Klan. Arbëresha është ndarë para 8 vitesh nga bashkëshorti, ajo është përpjekur t’ia dalë e vetme dhe tashmë do të kthehet në shtëpinë e nënës, e cila sipas saj i ka mbyllur derën. Arbëresha ka pësuar një aksident në dorën e djathtë dhe nuk mund të punojë më, ndaj i vetmi vend ku kërkon mbështetje është nëna e saj.

Megjithatë ajo ka treguar se ka edhe një banesë në Fier, e cila është pronë e përbashkët mes saj dhe ish-bashkëshortit me  të cilin ajo është ndarë për shkak të dhunës. Ajo thotë madje se ai nuk dhunonte vetëm atë, por edhe fëmijët, madje ajo tregon se si njëherë ai ka ushtruar dhunë mbi vajzën e tyre, ku për pak e ka mbytur, por që Arbëresha nuk e kishte denoncuar, pasi nuk donte ta shikonte në burg.

Arbëresha: Në vitin 2012 patëm sjellë vajzat për pushime për festa në Shqipëri. Për një moment u ngrit peshë ish-bashkëshorti ime e tha “do ikim do kthehemi në Shqipëri”. Nuk pranova të vija  në Shqipëri që të jetonim sepse unë punoja. Ngelën një periudhë pa punë dhe u detyruam u kthyem. U kthye, jo se u ktheva.

Eni Çobani: A u kthye zotëria! Ju e latë vetëm burrin.

Arbëresha: Vajzat ishin këtu për pushime dhe u kthye zotëria, kam ardhur dhe unë bashkë me të, por fati im i mirë më ndihmoi një nënë greke, më mbajti në shtëpinë e saj, e ndihmoja të pastronte shtëpinë kur kisha kohë dhe e ndihmoja gjatë ditës. Lekët siç i merrja ia sillja zotërisë këtu, Altin Gropës. Merrte dhe lekët nga përqindja e një viti më parë që e kishte mbyllur. Atë vit që ndenjën këtu jeta e fëmijëve  u shkatërrua sepse lanë shkollën përgjysmë në Greqi dhe filluan semestrin tjetër këtej. Dhe filloi edhe punë te zoti Rrap Sota, shkonte në Janinë dhe merrte mish. Por edhe në këtë periudhë siç punoja lekët ia sillja këtij prapë, në të gjithë këtë periudhë.

Eni Çobani: Pra ju nuk keni pasur asnjë lekë në dorë.

Arbëresha: Siç punoja zonja Eni, hiqja vetëm biletën e autobusit dhe një kafe dhe i sillja këtu. Në fund të vitit më kërkoi prapë që të kthehej prapë në Greqi. U detyrova mblodha familjen time në Greqi. Në ato momente filluan debatet më të shumta se ishte pa punë. Filloi dhuna ndaj fëmijëve. Fëmijët e mi nuk guxonin të hanin bukë shumë se shëndosheshin. Fëmijët e mi nuk guxonin të hapnin frigoriferin. Sepse po të hapje frigoriferin dy minuta të shikoje çfarë do merrje prishej frigoriferi. Pas këtyre përpjekjeve që jam munduar gjithmonë të mos e shkatërroj familjen. Kam duruar dhunën, ofendimet, kam duruar…

Eni Çobani: Po pse gjithë kjo sakrificë, nuk e kuptoj?

Arbëresha: Dhe mbi të gjitha erdhi momenti që nuk duron dot më…

Eni Çobani: Dhe ju shkuat drejt divorcit.

Arbëresha: Nuk doja të shkoja drejt divorcit. Pata disa probleme dhe i thashë të vinte të rrinte në Shqipëri meqenëse banesën e kishim. Vinte rrinte dy-tre ditë dhe ikte prapë. Në ato momente i kam thënë do ikësh nga shtëpia, se filloi shumë debate në shtëpi. Në atë moment ngrihet dhe më qëlloi. Futen vajzat në moment të dyja, atëherë ishte momenti që kapi vajzën nga fyti. Vajza vajti për t’u parë në pasqyrë nëse i kishte lënë shenja apo jo në grykë ai i jep dhe një grusht nga lart në fytyrë te mjekra dhe vajza u mbulua me gjak dhe prapë unë nuk e denoncova, se nuk doja që babai i fëmijëve të mi të ishte mbrapa kangjellave të burgut në një shtet të huaj. Kur kam ardhur në Gusht të 2014 dhe në atë periudhë që i thashë të largohej, të rrinte në shtëpi, shkoi te të gjithë njerëzit e mi. Fliste fjalët më banale për mua, që unë isha e rrugëve, që unë pija drogë, që unë pija duhanin dhe më kanë thënë njerëzit që Altini kishte të dashur tjetër. Këtu kërkoj një mbështetje nga nëna ime, kërkoj të gjej rrugëzgjidhja zonja Eni, por nuk po e gjej.

“Do ia plotësoj dëshirën”, mamaja pranon ta mbajë vajzën në shtëpi

Arbëresha kishte thirrur në një seancë ndërmjetësimi në rubrikën “Shihemi në Gjyq” në “E Diela Shqiptare” nënë e saj pasi kërkon mbështetje prej saj. Arbëresha është divorcuar para 8 vitesh dhe tashmë kërkon të qëndrojë në shtëpinë e nënës, pasi ajo nuk mund të punojë më për shkak të një dëmtimi në dorën e djathtë.

Nga ana tjetër ajo ka treguar se ka një shtëpi në pronësi të përbashkët me ish-bashkëshortin e saj, e madje asaj i takon një pjesë pasurie të cilën ajo nuk e ka marrë, pasi ai nuk ka paguar as pensionin e detyruar ushqimor. Në seancën e sotme Eni Çobani i është drejtuar zotit Altin Gropa, pavarësisht se nuk u bë i mundur komunikimi direkt me të duke treguar se si mund ta zgjidhin këtë çështje me ndërmjetësim. Gjithashtu ajo iu drejtua edhe nënës së Arbëreshës duke i thënë se vajzës së saj që gjendet në një situatë të vështirë i duhet dhënë një dorë, ndërsa zonja Rive pranoi ta ndihmojë duke thënë se do ia plotësojë dëshirën. 

Eni Çobani: Në kohën kur ju keni ndarë banesën, keni bërë një gabim tjetër, nuk i keni çuar këto në gjykatë. Deri sa nuk i ke çuar në gjykatë zonjë, kjo është pasuri, që ju duhet t’ua ndante gjykata. Atëherë gjykata duhet të bëjë një pjesëtim të ri të pasurisë suaj duke parë që ku janë paratë që  janë dhënë. Besoj se zoti Altin edhe ju si babai i dy vajzave të mrekullueshme që unë i ka parë do bini dakord, pastaj se i pranon Riva në shtëpi apo nuk i pranon, ky është një problem i Rives. Rive unë e kuptoj që ti jeton me djalin dhe ta duash djalin, por ke edhe dy vajza të tjera. Kësaj vajzës tënde i ra ky fat i keq. Tani meqenëse kjo ka këtë fat do dhe një dorë nga nëna.

Zonja Riva: Dakord. Do ia plotësoj dëshirën.

Eni Çobani: Jeni dakord me këtë zgjidhje që unë sapo ju dhashë. Pra 30 milionë të bën kjo shuma, dy milionë do ia japësh zotërisë se i takon dhe ju të merrni pjesën që ju takon.

Arbëresha: Po jam dakord, zonja Eni, të marrë gjithsecili pjesën që i takon.

Eni Çobani: Këtë thirrje i bëjmë Altinit. Altin të përshëndes, të pres në një seancë tjetër ndërmjetësimi publik apo privat. Me këto letrat përpara, të ulemi bashkë, të bëjmë aritmetikën dhe të dalim në përfundimin se sa do i japësh zonjës, nëse nuk ke do i lëshosh shtëpinë./tvklan.al