Pjesë e programit “Historia ime” në Tv Klan, është bërë një nënë 37 vjeç nga Elbasani e cila ka rrëfyer historinë e saj të dhimbshme. Sonila rrëfen se për shkak të kushteve të vështira ekonomike, i është dashur të jetojë me bashkëshortin dhe fëmijët në një shtëpi e cila ishte e pabanueshme, pa drita, pa ujë dhe pa dritare. Kur doli jashtë që të lante rrobat tek shtëpia e të ëmës, ajo kishe lënë një qiri në dhomën ku flinin dy fëmijët e saj të vegjël. Ajo e parandjeu se diçka e keqe po ndodhte dhe vrapoi tek shtëpia.

Kur hap derën e dhomës ajo shikon djepin e vajzës të përfshirë nga flakët, ndërsa djali i vogël i shtrirë në divan ishte në fytyrë i nxirë. Këmba e majtë e vajzës ishte djegur komplet. I janë djegur tendinat e këmbës. 4 gishtat e kësaj këmbe iu shkrumbuan. Ka shpëtuar pa u djegur vetëm gishti i madh i këmbës, në të cilin vajza mbështetet me vështirësi. Sot vajza(Fabiola) e cila është 11 vjeç, nuk mund të ecë dhe lëviz falë një karrigeje me rrota. Vajza ka bërë ndërhyrje çdo vit. Tani ka nevojë sërish për ndërhyrjen e radhës që me shumë mundësi mund të jetë dhe ndërhyrja e saj e fundit për të cilën ka nevojë.

Por kushton shumë. Konkretisht, sipas kontrollit që ka bërë tek Spitali Amerikan, për këtë ndërhyrje nevojiten 17 mijë Euro, të cilat familja e vajzës nuk i ka dhe kjo është dhe arsyeja e saj që po vjen në program,  për të kërkuar ndihmë. Sonila dhe bashkëshorti i përkasin komunitetit egjiptian, dhe mbledhin të dy shishe plastike.  Me këtë jetojnë, paguajnë qiranë dhe rrisin dhe 4 fëmijët e tyre.

Sonila është ndjerë shumë keq që nga ai moment, dhe deri më sot nuk e harron dot asnjë çast atë ditë. Ajo e ka përjetuar shumë këtë dramë të madhe, duke ndjerë dhe përgjegjësinë e fajit nga ana e saj. Madje ka kaluar një depresion të fortë, për të cilin vazhdon kurohet ende me ilaçe.

Vajza me probleme shëndetësore merr një kemp prej 100 mijë lekësh të vjetra, kurse Sonila duke qenë se figuron e ndarë me bashkëshortin merr një ndihmë ekonomike prej 45 mijë lekësh të vjetra.

Sipas fjalëve që i kanë thënë dhe mjekët, ajo pretendon që i takon që ta përfitojë kempin e gocës me gjithë pensionin e kujdestarisë, pra të marrë dhe 100 mijë lekë më shumë, por Komisioni i Kempit në Tiranë nuk ia jep.

Sonila: Ka qenë data 24 Dhjetor, e pa doktori dhe tha ti do kesh një rrugë shumë të gjatë me këtë fëmijë, duhet të rrish e qetë dhe e fortë që dhe ne të bëjmë punën tonë. Gocës i duheshin dy ilaçe që bënin 75 mijë Lekë kundër infeksionit dhe një ilaç që e mundte këtë djegie. Unë nuk kisha, doktorëve ngaqë i erdhi keq, futën nga xhepi i vetë Lekë dhe ma blenë këtë ilaç. Doktori tha që këtë lloj ilaçesh duhen për 4 muaj. Burri gjeti një shoqatë këtu në Tiranë dhe na ndihmoi që të blinim mjekimin e shtrenjtë.

Mirela Milori: U rikuperua disi?

Sonila: Derisa gjetëm këtë shoqatë, nuk ia kishim dhënë mjekimin dhe kjo la pasoja. Shoqata na ka ndihmuar shumë, çfarë kërkonte doktori, shoqata ishte gati. Goca qëndroi 4 muaj në spital dhe më pas u rikthyem sërish në po atë shtëpi se nuk kisha se ku ta fusja. I thoja burrit që nuk dua ta shoh me sy këtë shtëpi dhe ai më thoshte nuk ke ku të shkojmë. Vjehrra e mori vesh që goca u dogj dhe nuk na pranoi në shtëpi. I ka kushtet vjehrra ime, nëse unë do isha në atë shtëpi, vajza ime nuk do ishte në këtë gjendje. Fëmijët e mi nuk e njohin gjyshen e vetë. Kur hyra prapë në atë shtëpi, unë hyra në depresion, fillova të mos i doja as fëmijët, as bashkëshortin. Nuk e shihja dot vendin aty, më kujtohej vendi ku u dogj goca. Ajo nga dhimbjet e mëdha që kishte se ia prisnin mishin me gërshërë. Nga dhimbjet e tepërta ajo shkulte flokët me dorë, sa herë e mjekoni. Djali në atë kohë qëndroi 2 muaj në spital, kishte pësuar vdekje klinike, i ishte marrë fryma dhe i ishin mbushur mushkëritë me tym.

Vitet e fundit, Sonila tregon se ajo dhe bashkëshorti së bashku me fëmijët e tyre kanë ikur nga qyteti i Elbasanit, dhe janë vendosur në Durrës, për të harruar atë që ju ka ndodhur, por edhe nga shqetësimi që ju krijonin familjarët e të shoqit. Tashmë, prej vitesh, nuk kanë më asnjë raport me ta, nuk flasin fare me njerëzit e bashkëshortit.

Tërmeti i madh i 26 Nëntorit përfshiu dhe dëmtoi dhe shtëpinë e Sonilës. Ajo u gjend nën rrënoja së bashku me dy fëmijët të cilët i nxori me vështirësi, por fatmirësisht shpëtuan familjarisht. /tvklan.al