Të ftuar:

Denisa Kele – Pedagoge

Vasilika Ombra – Botuese

Santana Comora – Kryeredaktore mode

Nini Feshti – Editor Vizual

Në skype:

Olga Kalimera (artizane)

Gazetare: Ermelinda Zef Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Qofte me qull

Për brumin e qofteve

500 gr mish të grirë ( viçi )

1 qepë

Kripë + piper të zi

1 lugë kafe hudhër pluhur

1 lugë çaj nenexhik i thatë

1 vezë

1 fetë bukë

50 ml qumësht ( për zbutjen e bukës )

Vaj për skuqjen e qofteve

Për qullin

3 lugë gjelle miell

1 lugë gjelle gjalpë + 3 lugë gjelle vaj

1 litër ujë

4-5 thelpinj hudhra

2 lugë gjelle uthull

Kripë + piper të zi + dafinë

Të gjithë përbërësit e brumit të qoftes i vendosim në një tas. Bukën pasi e kemi zbutur në qumësht ose ujë e kullojmë dhe thërrmojmë në përbërësit e tjerë. Punojmë mirë me dorë brumin e qofteve. E lëmë të pushojë për 30 minuta në frigorifer e më pas formojmë qofte në madhësinë që preferoni. Ngrohim vajin në tigan dhe skuqim qoftet nga të dyja anët derisa të marri ngjyrë të artë. Në një tenxhere ose tigan të thellë shkrimë gjalpin në vaj dhe kaurdisim miellin derisa të marrë ngjyrë të artë. E shuajmë me një litër ujë ose lëng mishi ose pule. Shtojmë dafinë dhe e lëmë sa të marrë valë. Shtojmë në të hudhra të shtypura me uthulla dhe e rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi. Nëse dëshironi në fund mund të shkrini pak gjalpë dhe pak piper të kuq dhe e përvëlojmë për një shije akoma më të mirë.

Pilaf perfekt, bullgur me 7 përbërës

2 gota bullgur ( kokërrmadh )

1 qepë

2 speca mix

1 lugë çaj salcë domate

0.5 gotë pure domate

4 gota lëng perimesh ose pule

1 lugë çaj gjalp

2 lugë gjelle vaj + kripë + piper të zi

Në një tenxhere apo tigan të thellë ngrohim vajin dhe kaurdisim qepën dhe specat të prerë në kubik shumë të vegjël (0.5 cm). Pasi të kenë ulur volumin shtojmë salcën dhe purenë e domates dhe i përziejmë mirë. Më pas shtojmë bullgurin, e trazojmë duke shtuar më pas lëngun e perimeve, ujë ose lëng mishi ose pule. Kë të dëshironi. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, dhe pasi e përziejmë vendosim kapakun dhe lëmë bullgurin të ziejë për 15 min në temperature mesatare. Pasi kalojnë 10-12 minuta shtojmë 1 luge çaj gjalpë e përziejmë dhe vendosim përsëri kapakun. E lëmë dhe pak minuta sa të plotësohet 15 minuta. Fikim zjarrin, vendosim mbi tenxhere një pece e më pas kapakun dhe e lëmë të pushojë në zjarrin e fikur dhe 15 min të tjera. Më pas e shërbejmë të ngrohtë.

Si lidhja nënë-djalë na ndikon gjithë jetën?

Donte vajza, por bëri 3 djem! Kalimera: Rashë në depresion, mendoja se ishte dënim nga Zoti

Lidhja e nënave me djemtë, ishte një nga temat e kësaj të marte në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan.

Olga Kalimera, e ftuar në një lidhje Skype, ka folur rreth eksperiencës dhe marrëdhënies që ka me 3 djemtë e saj. Kalimera tregoi se gjithë jetën e saj, priste që Zoti ta bekonte me vajza, por ndodhi komplet e kundërta.

Ajo gjithashtu u shpreh se ka kaluar në depresion, pasi fëmija i 3-të ishte djalë e jo vajzë. Ishte ky momentit kur ajo i thoshte Zotit: “Çfarë kam bërë unë që më ke dënuar kaq shumë, duke më dhënë përsëri një djalë”.

Por sot, nëse do ta pyesni Olga Kalimeran për të ndërruar njërin nga djemtë me ndonjë vajzë, ajo do t’ju përgjigjej: “Jo!”.


Olga Kalimera: Unë jam nga ato mamatë që në jetën time thosha që: “Dua që Zoti të më bekojë me 3 vajza. Do isha mamaja më e lumtur po të kisha 3 vajza”. Por nuk erdhi as tek i pari, as tek fëmija i dytë, as tek fëmija i tretë. Domethënë isha, në fëmijën e 3-të, jua them sinqerisht, edhe para gjithë publikut, që unë kam kaluar në depresion. Thosha: “O Zot çfarë kam bërë unë që më ke dënuar kaq shumë, duke më dhënë përsëri një djalë”. Domethënë e kam kaluar shumë vështirë, ardhjen e një fëmije të 3-të, djalë. Më besoni, unë jam një njeri që në punën time vetëm krijoj gjëra të bukura, vetëm fjongo, kordele, lule rozë, gjëra vetëm që të çelin zemrën, jetën në përditshmëri, e të shkosh në shtëpi, 3 burra, edhe burri 4, vetëm këpucë, vetëm topa, vetëm televizori i sallonit ishte vetëm në basketboll ose futboll, edhe jam një njeri që jap ndihmë tek të tjerët. Ishte momenti që unë isha e lidhur shumë me Shtëpinë e Fëmijës, në Sarandë, dhe kur mora vesh që unë kisha përsëri një djalë, doja të shkëpusja çdo gjë. Se e shikoja që mua Zoti më ka dënuar në këtë gjë. Domethënë, diçka kam bërë gabim. Dhe jua them sinqerisht, kur djali im i madh, në atë periudhë, më kaloi një peripeci shumë të madhe, thashë: “Jo, Zoti di se çfarë ka dhënë. Zoti më ka dhënë fëmijë, kam 3 fëmijë dhe duhet ta heq nga mendja që pse mua më ka dënuar Zoti që nuk më ka dhënë një vajzë”. Kam 3 çuna dhe jam kaq e lumtur me lidhjen që kam me çunat e mi, që nuk e di, nëse do më thoshit tani: “Do ta ndërronit me ndonjë vajzë?”, unë do të thosha: “Jo!”. 

Lidhja e fortë mes nënës dhe djalit, a mund të jetë e “dëmshme”?

Telefonuesja: Ja pse nënat bëhen paranojake kur djali martohet

/tvklan.al