Të ftuar:

Alda Bogdani

Ada Hazizolli

Suela Koçibellinj

Çenkuela Hasa

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Speca të mbushura me pulë, kërpudha dhe oriz

6-8 speca të kuq ose mix

1 qepë

Vaj ulliri

1 karrotë

400 gr kërpudha

400 gr gjoks pule

1 domate

150 gr oriz (i zier 7 minuta)

Kripë dhe piper i zi

1 lç kurkuma

1 tufë majdanoz

150 gr djathë kaçkavall

Për këtë recetë mund të përdorni speca të kuq të gjatë ose speca për mbushje. Pastrojmë specat dhe i vendosim në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekje. I spërkatim me pak vaj dhe i pjekim në temperaturë 180 gradë për 15 minuta. Ndërkohë në një tigan me vaj ulliri kaurdisim një qepë të grirë hollë. Shtojmë në të karrotën të grirë në rende ose në kubikë të vegjël. I përziejmë mirë e më pas shtojmë mishin e pulës të prerë dhe atë në kubikë shumë të vegjël ose të grirë. Përziejmë mishin me qepën dhe karrotën deri sa mishi të ndërrojë ngjyrë dhe të zverdhet. Shtojmë kërpudhën (në rastin tonë i kemi të konservuara). I përziejmë mirë duke shtuar më pas një domate të qëruar dhe të grirë. E përziejmë mirë dhe lëmë përbërësit të gatuhen për 5 minuta. Shtojmë orizin gjysmë të gatuar, kripë dhe piper, kurkuma, majdanoz të grirë. I përziejmë mirë dhe gati për të mbushur specat. Nëse specat janë të gjatë, i bëjmë një prerje për së gjati, pastrojmë farat dhe u mbushim, i mbulojmë me djathë e më pas i vendosim përsëri në furrë në temperaturë 180 gradë për 15-20 minuta.

Petulla të fshira

Për brumin:

250 gr miell për çdo përdorim

250 ml ujë

250 ml qumësht

1 lç kripë

3 vezë

2 lgj gjalpë i tretur ose vaj

1 lgj gjalpë për lyerjen e tiganit

Për mbushjen

1 fk gjalpë i tretur

4-5 thelpinj hudhra

200 gr djathë të bardhë dhie

Në një tas vendosim miellin e situr, shtojnë në të ujin e qumështin dhe i përziejmë me tel dore deri sa të na formohet një masë homogjene. Shtojmë kripë, vezët e plota dhe vazhdojmë të përziejmë deri sa të na bëhet një masë kremoze. Në fund shtojmë 2 lugë gjelle gjalpë të tretur ose vaj. Ngrohim tiganin në temperaturë mesatare, e lyejmë atë me gjalpë ose vaj dhe shtojmë një garuzhde jo plot me brum. E hapim duke lëvizur tiganin. E pjekim njësoj si krepat nga të dy anët. Kështu vazhdojmë deri sa të mbarojmë komplet brumin. Në një tas përziejmë hudhrat e shtypura me gjalpin e tretur. Lyejmë një tavë të vogël me gjalpë dhe vendosim një petull të fshirë të cilën e lyejmë hollë me furçë me gjalpin e përzierë me hudhra dhe thërrmojmë pak djathë. Kështu vazhdojmë rresht pas rreshti deri sa të mbarojnë petullat e fshira. Vendosim tavën në furrë në temperaturë 220 gradë për 15-20 minuta e më pas e shërbejmë të prerë në copa.

A kushton më shumë të rrisësh një vajzë se sa një djalë?

“Paratë e mia mora”, rreziku i fshehur i kursimit te fëmijët

Kursimi është një nga mënyrat që prindërit shpesh zgjedhin për të edukuar fëmijën nga ana financiare. Përmes tij, fëmija mund të grumbullojë para duke kryer detyrat e ngarkuara nga prindi që më pas mund të zgjedhë t’i shpenzojë, të kuptojë vlerën e asaj që kursen dhe përdor duke krijuar përgjegjësinë e tij financiare.

Këtu lind një pikë e rëndësishme për t’iu mësuar fëmijës: t’i tregojë prindit si po vepron me paratë. Në bisedën e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Suela Koçibellinj thekson rëndësinë e këtij aspekti duke  sjellë një shembull konkret sesi një fëmijë kishte marrë para nga kursimet e tij për t’ia dhënë dikujt që e presiononte.

“Megjithëse fëmija ka lekun e vet, pra në parim ka lekun e vet të cilin ia kanë dhuruar, mirë është te ajo para të kontrollojë prindi sepse fëmijët kanë tendencë të thonë është imi kjo dhe nuk duan të japin llogari. Edhe për atë paranë që marrin duhet të tregojnë. E di pse? Kush ishte rasti i fundit në shkollën e vajzës sime dhe ime bijë më tregon dje që një fëmijë i klasës kishte sjellë 20 mijë lekë për t’ia dhënë borxh dikujt në shkollë. Kjo u mor vesh nga mësuesja dhe e vërteta është se i kishte bërë presion dikush më i rritur dhe ai i kishte marrë nga paraja e vet në shtëpi. Por kështu fëmija yt ngelet peng i dikujt që është keqbërës, keqdashës”.

Rasti ishte identifikuar nga mësuesja, por mbetet një rrezik ndaj të cilit fëmijët mund të ekspozohen nëse prindërit nuk tregojnë kujdes.

“Fjala kishte dalë sepse fëmijët e klasës e kishin parë, ia kishin thënë mësueses dhe justifikimi i tij ishte   paratë e mia mora në shtëpi”, përfundon aktivistja.

Pasuri e vërtetë! Hazizolli rendit shifrat: 50-92 milionë lekë për 18 vitet e rritjes së një fëmije

Fëmijët janë pasuri në kuptimin e plotë të fjalës. Nëse e zbërthejmë këtë nga ana matematikore, kostoja e rritjes së fëmijëve arrin një shumë të konsiderueshme. Në një statistikë që sjell Ada Hazizolli në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, në botë kjo kosto përllogaritet rreth 220 mijë euro për moshën nga 0-18 vjeç.

Llogaritja është bërë duke marrë në konsideratë strehimin, transportin, arsimin, udhëtimet, aktivitetet jashtëshkollore dhe kurset. Në Shqipëri, kjo nuk është përllogaritur, por ka disa tregues.

Ada Hazizolli: Në Shqipëri, paga mesatare është nën 80 mijë lekë në muaj dhe gati duke marrë parasysh dy prindër që  janë me këtë nivel  pagash, por sigurisht që nuk janë në këtë nivel pagash, kjo është një pagë mesazare, atëherë i bie që gati 20% e të ardhurave shkojnë për shpenzimet e fëmijëve.

Kostoja ndryshon në varësi të fazave. Përgjithësisht, fazat ndahen në 0-6 vjeç, 6-14 vjeç dhe 14-18 vjeç.

Ada Hazizolli: Për fazën e parë, mesatarisht gjithmonë sepse nuk dua të keqinterpretohem, mund të arrijë nga 2.4 milionë të vjetra në 4 apo 4.8 milionë të vjetra në vit. Çfarë përfshieht? Në fazën e parë,  fëmijët nuk është se kanë shumë kërkesa. Mund të ketë nevojë për panolina, qumësht nëse është e nevojshme për mirërritje, mund të ketë disa kosto për veshmbathje dhe këto shkojnë 20000 lekë në muaj që është kostoja përafërsisht për këtë fëmijë që janë blerjet paraprake që bëhen. Ndërkohë që kostoja maksimale mund të shkojë në 40000 lekë në muaj për këtë fëmijë nga 0-6 vjeç sepse mund të përfshihet një dado që ti je i detyruar nëse je në marrëdhënie pune për ta pasur në shtëpi, mund të përfshihet çerdhja që po ashtu janë në tarifa 20000 lekë në muaj që i shtohen kostos tjetër 20000 lekë dhe shkon përkatësisht, 2.4-4.8 milionë të vjetra.

Hazizolli thotë se edhe në fazën e dytë mund të qëndrojë kjo vlerë, por në vend të panolinave, çerdhes a qumështit shpenzimet mund të shkojnë për nevoja të tjera si kurset apo udhëtimet. Deri në moshën 18-vjeçare, totali i rritjes së një fëmije shumëfishohet.

Ada Hazizolli: I gjithë cikli nga 0-18 në kontekstin shqiptar unë do të thosha që shkon mesatarisht 50 milionë deri në 92 milionë.

Shpenzimet mesatare të rritjes së një fëmije