Të ftuar:

Donald e Christy Dervishi

Lusi dhe Mario

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Mish me bishtaja

600 gr mish viçi ose qingji

1 qepë

3-4 qepë të njoma

2 thelpinj hudhër

3 domate

1 lk piper të kuq

800 gr bishtaja jeshile

Kripë dhe piper të zi

2 lgj majdanoz

Vaj ulliri

Në tenxhere vendosim fillimisht vajin, më pas mishin në racione dhe fillojmë ta kaurdisim atë. Shtojmë qepën e thatë të grirë hollë dhe qepët e njoma me unaza. I kaurdisim të gjitha së bashku sote për 5 minuta. Shtojmë hudhrat e grira. Shtojmë pak kripë, erëzat e më pas bishtajat e pastruara.

I kaurdisim ato mirë sa të ulin volumin. Shtojmë majdanoz, gjysmë gote ujë dhe vendosim kapakun. I lëmë 18 minuta të gatuhen. Më pas, pasi tenxherja të ketë nxjerrë avullin, gjithçka është gati për t’u shërbyer.

Kadaif me krem pastiçerie dhe lajthi/ Brusketa

Kadaif i njomë

Kremi i pastiçerisë:

2 të verdha vezësh

50 gr sheqer

3 lgj miell

500 ml qumësht

1 vanilje

Dekori:

100 gr lajthi

Sherbeti:

200 ml ujë

100 gr sheqer

Në një tenxhere të vogël nxehim qumështin. Ndërkohë që qumështi nxehet, në një tas të vogël rrahim të verdhat e vezëve bashkë me sheqerin, vaniljen, 2-3 lugë qumësht dhe miellin në fund, duke u krijuar kështu një masë kremoze. Fillojmë duke e shtuar tek qumështi avash-avash dhe e trazojmë me një mixer dore deri sa kremi të trashet dhe të jetë gati. Ndërkohë kemi pjekur dhe kadaifin e lagur me gjalpë në formën që ne dëshirojmë.

Pasi i kemi nxjerrë nga furra  dhe i kemi vendosur në forma, hapim një gropëz tek kadaifi dhe shtojmë kremin. Dekorojmë me lajthi.

Ai në karrige me rrota, ajo pas tij përgjithmonë… Historia e rrallë e dashurisë mes italianit dhe shqiptares

Lusi dhe Mario, janë një çift shqiptaro-italian i cili jeton në Itali dhe kanë një histori dashurie të  veçantë. Ata janë njohur në vitin 2019 kur Lusi shkoi në Itali për të punuar e ndihmuar Marion, i cili ndodhet në një karrige me rrota. Në një lidhje Skype me programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, çifti përmbledh në vija të përgjithshme historinë e tyre.

Lusi: Unë dhe Mario jemi njohur në fillim të 2019 për punë. Mario kërkonte një person që ta ndihmonte, unë kërkoja punë dhe Mario sikur çdo mashkull, çdo djalë, pas 2 muajve që unë kam punuar për të, filloi pëlqimin, atë dëshirën që kishte për të nisur diçka më shumë se vetëm punë dhe kështu nisi dashuria jonë. Unë nuk ia dhashë direkt përgjigjen, mendova, fola me familjen time se çfarë mendojnë për gjithçka, pastaj ja, u fejuam.

Katerina Trungu: Atëherë nisi gjithçka, atëherë nisi historia juaj që natyrisht vazhdon dhe rritet dita-ditës. Meqenëse më the që fola me prindërit, ishte një hap që ti ke hedhur dhe e veçon në historikun tuaj, si ishte kjo bisedë, çfarë kishte në përmbajtjen e saj dhe cila ishte përgjigjja?

Lusi: Meqenëse familja ime e dinte që unë punoja për Marion, i them që Mario ka shprehur një pëlqim kundrejt meje dhe çfarë mendoni ju. Përgjigjja e familjes time ishte është jeta jote, mund të vendosësh ti dhe kështu kam marrë atë okej-in edhe nga familja, por isha unë ajo që duhet të vendosja për jetën time kështu që jam e lumtur për atë zgjedhjen që kam bërë.

Aksidenti fatkeq e la të paralizuar, Lusi tregon dashurinë ndaj italianit: E kam bërë të kuptojë se…

Një çift i bukur italiano-shqiptar i janë bashkuar në këtë ditë Shën Valentini emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan. Lusi, e cila është shqiptare, është njohur me Marion në rrethana të veçanta sepse ai ka mbetur i paralizuar pas një aksidenti në Korrik 2008. Lusi rrëfen këtë pjesë të historisë së tij dhe më pas kalon në të tashmen për të treguar si është jeta e tyre si çift.

Lusi: Mario në 2008 ka pësuar një zhytje në det dhe ka thyer palcën e kurrizit dhe nga ai moment Mario sot është i varur nga një person tjetër, duhet të jetë dikush që ta ndihmojë. Normalisht Mario ka shumë vështirësi me veten e tij. Si thotë gjithmonë, unë jam ajo pjesë e fatit të tij që e kam bërë ta kuptojë se ka jetë edhe jashtë, ka gjithçka në ditët e përditshme.

Agida Koçi: Ka qenë i mbyllur më përpara se të takonte ty, rrinte më shumë brenda ose shikonte pak me më zymtësi jetën?

Lusi: Jo, i mbyllur por ishe në një zonë ku Mario dilte shumë rrallë, kemi ndërruar atë pjesën e zonës, kemi nisur gjithçka nga zero, gjithçka me njëri-tjetrin dhe jemi shumë krenarë, edhe me situatat që kemi ia dalim shumë mirë.

“Shpresojmë të kemi një fëmijë”, çifti shqiptaro-italian shpreh dëshirën e madhe

Programi “Shije Shtëpie” në Tv Klan solli një rrëfim të veçantë dashurie për Shën Valentin. Lusi, një vajzë shqiptare është martuar me Marion, një djalë italian që prej vitit 2008 ndodhet në një karrige me rrota. Lusi dhe Mario u njohën në vitin 2019 për marrëdhënie pune, por brenda pak kohësh lindën ndjenjat midis tyre.

Lusi tregon se nga ana e familjes pati shumë mbështetje, ndërsa për të është i  rëndësishëm respekti që merr prej Marios. Marrëdhënia e ngushtë mes tyre i ka shtyrë të mendojnë edhe për të ardhmen dhe një dëshirë të madhe.

Mario: Jetoj ditë për ditë, ajo që ndodh, le të ndodhë. Nuk ia vlen të planifikosh sepse programet nuk dalin asnjëherë. Nëse duam të bëjmë diçka e bëjmë. Projektet tona janë që ndoshta, shpresojmë që një ditë të kemi fëmijë.

Katerina Trungu: Ju dëshironi që të keni një fëmijë së shpejti? E keni menduar këtë gjë?

Lusi: E kemi menduar, shpresojmë që të vijë. Nëse do Zoti, ndodh. Ne po presim që të kemi kushtet për t’i dhuruar një jetë më të mirë se e jona për të. Shpresojmë që t’ia arrijmë.

Donaldi dhe Christy, çifti që zgjodhën dashurinë përballë çdo pengese e paragjykimi

Donald dhe Christie janë një çift shqiptaro-amerikan që janë njohur në Petrelë, por jeta dhe familja e tyre sot ndodhen në Prishtinë. Në një lidhje Skype me programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ata tregojnë të gjithë rrugëtimin e tyre të dashurisë. Gjithçka nisi me një shëtitje në kalanë e  etrelës dhe ishte Christie ajo që ndjeu e para pëlqimin për Donaldin.

Me kohën, bisedat mes tyre u bënë më të thella derisa erdhi edhe kurorëzimi i martesës, e cila është e dyta për Christie. Nga martesa e mëparshme ajo ka 3 fëmijë dhe Donaldi tregon se me ta ka një marrëdhënie shumë të mirë. Çifti ka njëfarë diference në moshë, por kjo nuk i ka penguar të gjejnë ekulibrin në martesë dhe prindërim. Prej pak muajsh ka ardhur në jetë edhe vajza e tyre, Ajkana.

Katerina Trungu: Christie erdhi me 3 fëmijë nga një martesë e mëparshme, kështu që ti tani je njerku i tyre.

Donald: Njerku i tyre. Tani mund ta themi, fillimet tona kur s’kishim lidhur martesë bashkë, ka qenë 2018-2019, pas një viti në 2018 filluam të dilnim më shpesh bashkë dhe 2019 ka qenë kurorëzimi i lidhjes tonë, më 28 Janar 2019 kur jemi martuar bashkë. Nuk është se kam jetuar me të gjithë fëmijët, por nga 2019 e këtej me djalin e mesëm dhe vajzën tashmë të madhen mund ta quajmë atë meqenëse kemi një vajzë tjetër më të vogël, kemi jetuar deri vjet. Djali i madh u largua në Dhjetor 2018, shkoi për të jetuar në Amerikë, kurse djali i mesëm dhe vajza jetuan me ne. Djali i mesëm shkoi vitin e kaluar në Amerikë, sivjet jam unë, Christie dhe vajzat në Prishtinë.

Katerina Trungu: Vazhdoni të qëndroni me vajzat në Prishtinë. Si të është dukur vetja si babai i tyre? Si e ke kryer këtë rol? Kam përshtypjen më shumë ke qenë si mik i fëmijëve apo jo?

Donald: Nuk e di, nuk mund ta them unë se si jam dukur si baba i tyre, mund ta thojë Christie më mirë.

Agida Koçi: Si je ndierë ti vetë?

Donald: Unë jam përpjekur që të isha mirëkuptues me ta, të krijoja disa marrëdhënie që ishin në harmoni dhe t’i mësoja në një farë mënyre, t’i jepja këshillat e mia. Nuk e di a e kam kryer mirë apo jo prindërimin por që Christie mund të flasë më mirë për këtë.

Katerina Trungu: A është një baba i mirë? Se ne shqiptarët jemi shumë familjarë Christie, e kemi një tipar të fortë këtë.

Christie: Po, kemi një ekulibër të mirë. Unë jam tepër liberale, jam pak e butë me fëmijët ndërsa ai është më i prerë.

Donald: Shpresoj se ata e duan këtë lloj mënyre nga unë.

Ajo më e madhe në moshë dhe me 3 fëmijë, dashuria e çiftit që mposhti paragjykimet sociale

Christie dhe Donald janë një çift jo shumë i zakonshëm. Christie është amerikane, mësuese dhe vjen nga një martesë e mëparshme prej të cilës ka tre fëmijë. Donaldi është nga Skrapari dhe i vetmi fëmijë që ka është një vajzë e cila ka ardhur në jetë prej pak muajsh nga kurorëzimi me Christie.

Një dashuri që ka kaluar paragjykimet dhe pengesat dhe që tregohet sot në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, dedikuar Shën  Valentinit. Në këtë pikë të historisë, Donaldi tregon të gjitha pyetjet që i janë bërë lidhur me marrëdhënien e tij.

Donald: Ka ekzistuar në fillim duke qenë se ishte një lidhje pak e veçantë duke qenë se nuk ishte tradicionale që gruaja duhet të jetë më e vogël se burri, aq më tepër që ishin dhe fëmijët. Në fillim rrethi shoqëror i imi, familja nuk e kanë kuptuar lidhjen tonë se nuk e njihnin Christie, nuk e dinin çfarë njeriu ishte dhe duke qenë se nuk e njihnin ishin edhe hamendësimet, ishin këto pse-të në fillim. Me kalimin e kohës, duke parë ata që ne vazhdonim lidhjen tonë, duheshim dhe kishim respekt për njëri-tjetrin dhekishim ndërmend që të vazhdonim jetën bashkë, e panë ata që ne e kishim më serioze lidhjen tonë, nuk ishte thjesht një lidhje aventurë nga këto që kalon për një kohë të shkurtër dhe pastaj largohesh. Filluan u bënë më mirëkuptues edhe rrethi familjar, shoqëria, halla, xhaxhai.

Agida Koçi: Dhe si i përgjigjeshit ju? Cila ishte përgjigjja juaj?

Katerina Trungu: Në rastin e pse-ve, ato pse-të e para?

Donald: Po nuk është se iu jepja shumë argumente. Unë jam tip që gjërat që mendoj i vendos vetë për veten time, nuk është se marr shumë këshilla për të vendosur gjërat e mia dhe nuk e kam patur shumë problem këtë pjesën që isha i lëkundur. Nuk isha i lëkundur në mendime kështu që në njëfarë mënyre nuk është se ndikonin indikatorët e jashtëm në mendimet që kisha unë për Christie.

“Të kam në sytë e mi gjithmonë!”, gazetarja e “Shije Shtëpie” i bën një dedikim dashurie personit special

Në mbyllje të programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, i cili sot i ishte kushtuar dashurisë në kuadër të Shën Valentinit, pati edhe një moment të këndshëm. Gazetarja Agida Koçi ‘vodhi’ minutat e fundit për t’i dedikuar disa fjalë publikisht një njeriu të veçantë që sot feston ditëlindjen.

Agida Koçi: Mund të bëj një dedikim dashurie?

Katerina Trungu: Ua, vërtet?

Agida Koçi: Po. Mami im, drita ime që sot ka ditëlindjen. Edhe 100 m’u bëfsh! Ti je gjithmonë para meje dhe unë të kam në sytë e mi gjithmonë!

Katerina Trungu: Gëzuar ditëlindjen mami i Agidës! Të jesh mirë dhe të kesh mirë të gjithë njerëzit e tu të shtrenjtë, me tre fëmijë si drita, por të them të  drejtën gocën e ke bërë më të mirë se djemtë.