Të ftuar:

Almeida Xhaferi – psikologe

Klodiana Shala – sportiste

Elton Saraseli – opinionist

Mirgit Vata – kryetar i Urdhrit të Punonjësve Socialë

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Provoni pulën në këtë mënyrë. Gjellë e pjekur me pulë të marinuar dhe patate

4 deri në 6 racione mish pule (1 kg)

3 qepë mesatare

1 kg patate

4 thelpinj hudhër

Kripë + 0.5 piper të kuq

Për salcën:

100 ml vaj Gusto

1 gotë qumësht

1 lugë gjelle salcë domate (koncentrat)

1 lugë çaji piper i kuq i ëmbël

Pak spec pikant

1 lugë çaji trumzë

Kripë + piper të zi

1 kub Maggi pule

Në një tavë vendosim qepët e prera në rrathë. Patatet e qëruara i presim në rrathë jo shumë të holla, nëse janë mesatare, nëse janë të mëdha gjysëmrrathë. I marinojmë ato me pak fare kripë dhe pak piper të kuq. Në një tas bashkojmë të gjithë përbërësit e salcës, vaj + qumësht + salcë domate, piper të kuq + pikant + trumzë + 1 kub Maggi pule + pak kripë  + pak piper të zi.

I përziejmë mirë e më pas marinojmë copat e pulës. I vendosim ato mbi patatet. Pjesën tjetër të marinuar që mbetet në tas e shpërndajmë në sipërfaqe për një shije më të mirë. Mund të vendosim midis mishrave disa copa speci. Vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë për 45-50 minuta.

Petulla të fshira (tradita korçare)

250 gr miell

500 ml ujë

1 lugë çaji kripë

3 kokrra vezë

2 lugë gjelle vaj ose gjalpë i tretur

1 lugë gjelle gjalpë për lyerjen e tiganit

Për mbushjen:

1 filxhan kafe vaj ulliri

4-5 thelpinj hudhra

150 gr djathë të bardhë

Në një tas vendosim miellin e situr, shtojmë ujin dhe fillojmë ta përziejmë miellin dhe ujin me tel dore derisa të formohet një masë homogjene. Shtojmë kripën, vezët dhe vazhdojmë përzierjen derisa të gjithë përbërësit të marrin trajtë kremoze. Në fund shtojmë dhe vajin ose gjalpin e tretur dhe përsëri e përziejmë.

Ngrohim një tigan në temperaturën mesatare, e lyejmë me pak gjalpë ose vaj e më pas shtojmë nga një garuzhde (jo e plotë) me brumin e përgatitur. E hapim atë në të gjithë sipërfaqen e tiganit dhe e pjekim nga 2 anët. Njësoj si veprojmë tek krepat. Kështu vazhdojmë deri në përfundimin e brumit. Shtojmë hudhrat dhe i përziejmë ato me vajin, djathin e thërrmuar.

Lyejmë një tavë të vogël me vaj ose gjalpë. Vendosim 1 petull të fshirë, e lyejmë me furçë, me vajin me hudhra dhe disa thërrime djathi. Kështu vazhdojmë në cdo rresht të petullave deri në përfundim duke lyer dhe sipërfaqen e fundit me gjalpë dhe thërrime djathi. Në fund vendosim tavën në furrën e nxehtë në temperaturën 220 gradë për 15-20 minuta.

Çfarë është monotonia dhe si ta kuptojmë që jemi pjesë e saj

3 vite maksimumi, opinionisti: Nuk rri dot me të njëjtën partnere, i ndërroj shpesh

Opinionisti Elton Saraseli thotë se nuk mund të qëndrojë i lidhur gjatë me një partnere. Këtë deklaratë që ai dha në “Shije Shtëpie” në Tv Klan e shpjegon me konceptin e monotonisë. Saraseli e percepton veten si një person që nuk e duron monotoninë dhe për këtë arsye ka ndërruar shpesh punë, biznese dhe partnere.

Elton Saraseli: Unë si tip nuk qëndroj dot në një vend. Madje edhe punët, kam pasur shumë punë të mira para se të hapja aktivitetet e mia, i kam ndërruar vetëm për këtë arsye. Nuk e duroja dot punëdhënësin tim, kolegët e mi nuk i shikoja dot.

Katerina Trungu: Sa zgjat afati?

Elton Saraseli: Maksimumi 2-3 vjet. E ndërroja sepse më kapte një stres, domethënë ta shikoje një njeri mëngjes për mëngjes, ditë për ditë.

Ermelinda Ndoja: Vetëm te puna kështu Elton besoj?

Elton Saraseli: Flas edhe te puna, edhe te gjëra të tjera, madje kam ndërruar edhe biznese të ndryshme për arsye të monotonisë.

Almeida Xhaferi: Po thuaji të gjitha gjërat je që je.

Elton Saraseli: Edhe partneret madje për këtë arsye kam vendosur t’i ndërroj shpesh.

Katerina Trungu: Po si do ia bësh mo Elton?

Elton Saraseli: Derisa të vejë një moshë që mund të mbaj një për pleqëri dhe mbaron.

Katerina Trungu: E tmerrshme! Të shkretat ato që do jenë në të ardhmen, e kanë përgatitur veten të gjitha që 3 vjet maksimumi zgjaska.

Elton Saraselli: Përpos shakasë, mendoj unë, kjo është gjë individuale por të kesh një person gjatë gjithë kohës, herë pas here, vetvetiu vjen një moment që thua okej, s’ke çfarë t’i japësh.

Katerina Trungu: Jo more ke, pse s’ke, jeta është shumë e bukur, madje kur kalojnë ca vite…

Elton Saraselli: Flas në marrëdhëniet çift, kur fillojnë ato grindjet, sherret, lindin edhe tradhtirat, puna e monotonisë hap shumë degë, shumë diskutim, shumë vatra diskutimi.

Si ta “luftojmë” monotoninë?

 “A do dashuroheshe sot me partnerin?”, përgjigjja tronditëse e çifteve pas 10 viteve bashkë

Sipas opinionistit Elton Saraseli, vjen një moment kur marrëdhënia në çift bëhet monotone sepse reagimet e secilit në situata të ndryshme bëhen të njohura. Mendimi i tij bie në kundërshtim me të ftuarën tjetër e “Shije Shtëpie”  në Tv Klan, psikologen Almeida Xhaferi. Ajo shpjegon se humbja e kureshtjes për partnerin, perceptimi i tjetrit brenda rutinës vret çiftin.

Almeida Xhaferi: Shumica e çifteve vijnë në terapi dhe unë i pyes, a do dashuroheshe ti sot me partnerin/partneren që ke? Dhe flasim këtu për çifte që kanë 20 vite bashkë, 10 vite dhe përgjigjja në të shumtën e herëve është tronditëse: “jo, me njeriun që është sot unë nuk do kisha rënë në dashuri”, sepse ne na rrëmben kaq shumë rutina sa humbasim kuriozitetin për ta njohur ndryshe partnerin, për të njohur ndryshimet.

Elton Saraseli: Po kur ti ke 10 vjet, çfarë do t’i njohësh se ti e ke njohur në shumë situata të ndryshme?

Almeida Xhaferi: Ti sot nuk je ai që ke qenë para 10 viteve, ti ke ndryshuar në këto 10 vite dhe nëse partnerja ty të qaset me ndjesinë që të njeh në bërthamë, ka humbur shumë detaje nga përditshmëria jote që ty të kanë ndryshuar, që ty të kanë dhënë ndjesi të reja dhe ne duhet ta ruajmë këtë kuriozitet në çift, mos të shkojmë ta hamë drekën tek i njëjti restorant, mos të shkojmë ta pimë kafen e mëngjesit, mos ta bëjmë shëtitjen tek e njëjta rrugë, ka gjëra të vogla që ne mund t’i bëjmë ndryshe në përditshmërinë tonë. Ta pyesim në darkë çfarë ndjesie të re pati dita jote, çfarë ka ndryshuar tek ty pas kësaj ndodhie që të ka ndodhur? Të gjitha këto e mbajnë kuriozitetin të aktivizuar.