Të ftuar:

Helena Halilaj – shkrimtare

Etleva Kolnikaj – Dr. Liceu Artistik

Luela Myftari – gazetare

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Speca të mbushur me bullgur

500-600 gr speca për mbushje

1 gotë bullgur

2 qepë

1 domate

1 lgj salcë domate

Vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

1/2 lç spec pikant

Majdanoz

Kopër

Nenexhik

Në një tas vendosim qepën të grirë shumë hollë. Shtojmë bullgurin të shpëlarë mirë. Vijojmë duke shtuar salcën, domaten e grirë, kripë, piper të zi. Më pas shtojmë erëzat, majdanoz kopër, nenexhik të freskët. Shtojmë dhe pak spec pikant. I përziejmë mirë përbërësit në tas e më pas fillojmë të mbushim specat të cilët i kemi pastruar mirë nga brenda.

Mbushim specat me përbërësit në tas. Vendosim gjysma domate qershi në krye dhe i vendosim në një tavë me korent ose tenxhere. Shtojmë 1-2 lugë gjelle salcë në një gotë ujë dhe e shtojmë në tavën apo tiganin që kemi vendosur specat. Vendosim kapakun dhe lëmë specar me bullgur të gatuhen vetëm për 15-20 minuta. Më pas fikim zjarrin dhe i mbulojmë me kapak për 15 minuta. Në fund i shërbejmë me kos.

Supë krem me perime

400 gr kunguj të njomë

250 gr patate

150 gr karrota

1 presh

1 fetë kungull të verdhë

Piper të kuq të ëmbël

Kripë dhe piper i zi

Vaj ulliri

30 gr parmixhan

Pastrojmë perimet dhe i presim në kubikë të vegjël. Në një tenxhere me 4 lugë gjelle vaj kaurdisim preshin dhe pak qepë nëse dëshironi. Shtojmë më pas të gjitha perimet në kubikë. I lëmë perimet të ziejnë. Shtojmë erëzat.

Shtojmë ujë sa të mbulohen perimet. Shtojmë kripën dhe i lëmë të ziejnë deri sa shohim që uji ka shteruar. Kalojmë supën në blender dhe e kthejmë në pure. E shërbejmë me bukë të pjekura dhe pak parmixhan.

Nisur nga veshja e Maria de Filipi… A mund të vishemi me të bardha në ceremoni mortore?

Nga prerja e gishtit të unazës te shkrepja e fotos së fundit me të ndjerin, traditat e funeraleve në botë dhe në Shqipëri

Veshja e bardhë e Maria Di Filippi në funeralin e Silvio Berlusconi ngjalli diskutime dhe komente të shumta përgjatë ditëve të fundit. Nisur prej saj, “Shije Shtëpie” në Tv Klan diskutoi për ritualet në ceremoninë mortore, përqafimin e ngjyrës së bardhë në disa kultura dhe vajtimin për personin që ndërron jetë.

Gazetarja Luela Myftari shpjegon disa prej ritualeve të ndryshme në botë lidhur me ceremoninë mortore. Japonia apo disa vende të Azisë vishen me të bardha, fise të tjera presin gjymtyrë ose kërcejnë.

Luela Myftari: Kultura të ndryshme e interpretojnë tërësisht ndryshe një ceremoni mortore. Nëse flasim për Japoninë që vishen gjithmonë me të bardha për ta nderuar atë që shkon në banesën e fundit, pa diskutim ka në Madagaskar për shembull, fillojnë dhe kërcejnë rreth arkmortit për ta  përcjellë me gëzim. Ashtu sikurse ka fise të cilat, unë kam dëgjuar dhe kemi lexuar në letërsi por edhe në studimet antropologjike që ka fise të cilët presin një pjesë të gjymtyrëve të dorës, gishtit të unazës për t’ia lënë bashkëshortit ose bashkëshortes për të thënë që jemi bashkë gjatë gjithë jetës.

Gazetarja solli edhe shembuj të ndryshimit të ritualeve në vendin tonë nga jugu në veri.

Luela Myftari: Pjesa e Vlorës zakonisht e shoqëron me iso. Ison ne sot e kemi në UNESCO dhe në njëfarë mënyre e kemi si një pjesë të traditës, të kulturës por e ngjashme në elegjinë e veriut të Shqipërisë është edhe isoja. Pra nuk është isoja ajo festivja ajo që zakonisht ne këndojmë dhe e kemi një nga pasuritë më të mëdha sot në botë, por është një lloj isoje vajtimi ndryshe. Madje në kohët e hershme në Vlorë paguheshin disa zonja të cilat arrinin të interpretonin bukur dhe të thurnin vargje për atë që do të përcillnin.

Nga ana tjetër kemi një traditë shumë interesante në Mirditë ku deri diku rreth viteve ’50 në momentin ku do duhej të përcillnin ose…  është një traditë shumë e bukur ku ne e zbukurojmë,  e veshim bukur për ta përcjellë në banesën e fundit këdo që është ndarë nga jeta. Në Orosh ka qenë një traditë shumë interesante e të fotografuarit të familjes me njëri-tjetrin për herë të fundit.

Si kanë ndryshuar ceremonitë mortore?

“Funerali i babait u shoqërua nga vepra që kisha luajtur në piano”, Kolnikaj kujton ndarjen me të

Veç vendeve, kulturave dhe zonave që kanë tradita të veçanta për ceremonitë mortore, këto të fundit realizohen në mënyrë të ndryshme edhe nga zgjedhjet e familjarëve apo amanetet e të ndjerit.

Drejtoresha e liceut artistik “Jordan Misja”, Etleva Kolnikaj ndan në “Shije Shtëpie” në Tv Klan përjetimin e saj personal me humbjen e të atit. Ai u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare dhe funerali  i tij u shoqërua nga një vepër muzikore që Kolnikaj kishte luajtur në piano.

Etleva Kolnikaj: Në funeralin e tim eti, sigurisht u bënë shtëpi funerale, por gjatë gjithë kohës ishte i shoqëruar në një ekran me jetën e tij që e ka patur të mbushur me aktivitete, me libra, ndërkohë që kolona zanore që shoqëroi gjithë funeralin ishte një vepër që e kisha luajtur vetë në piano. Diçka që ka lidhje sigurisht me pjesën mortore, por që ishte diçka ndryshe.

Agida Koçi: Ishte një kërkesë e tij, e kishte lënë amanet?

Etleva Kolnikaj: Jo, ajo nuk ishte një kërkesë e tij, ajo ishte diçka që unë mendova që do ishte më bukur dhe që do i shkonte atij si person dhe mënyra se si u bë ishte shumë bukur dhe funerali i tij nuk ishte një funeral i trishtë. Sigurisht edhe mosha sepse ishte në moshën 92-vjeçare kur ndërroi jetë dhe duke qenë se ishte një njeri i plotësuar, një njeri që çdo gjë në jetën e vet e kishte bërë siç duhej, me familje, me nipër, me mbesa, me stërnipër, me stërmbesa dhe funerali mendova në këtë rast ishte shumë i bukur për t’u bërë në këtë lloj forme.