Të ftuar:

Petri Bozo – producent

Dr. Shkëlqim Balili – gjinekolog

Hajredin Dizdari – hoxhë

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Pastiçe me 4 djathëra

Ëmbëlsirë e thjeshtë me fruta

Tradhtia në të 60… A është një fenomen që ndodh shpesh edhe në Shqipëri?

Hoxha shpjegon kategorizimin e tradhtisë: Ndryshe të jetë imoral një i pamartuar, ndryshe një në moshë të thyer

isur nga një artikull që trajtonte temën e tradhtisë në të ’60-at, “Shije Shtëpie” në Tv Klan kërkoi këndvështrimin e tre personave të ndryshëm, hoxhës Hajredin Dizdari, Petri Bozos dhe Dr. Shkëlqim Balilit. Ky i fundit, më herët gjatë programit, sqaroi nga ana biologjike se mashkulli është aktiv seksualisht deri në moshën 80-vjeçare dhe shpesh, arsyeja pse tradhton janë marrëdhëniet seksuale me një person më të ri në moshë se sa bashkëshortja.

Në aspektin fetar, hoxhë Hajredin Dizdari tha se tradhtia nuk tolerohet, por shkelja e kurorës është e kategorizuar. Sa më i madh në moshë të jetë personi, aq më e rëndë është tradhtia.

Hoxhë Hajredin Dizdari: Unë nuk mendoj që tradhtia është e justifikueshme aq më tepër kur ajo ndodh në një moshë kaq të madhe. Për sa i përket anës fetare, asnjëherë njerëzit imoralë nuk kanë qenë njerëz të cilët janë justifikuar për imoralitetin  e tyre përpara Zotit. Zoti gjithmonë e ka ndëshkuar imoralitetin e njeriut. Për sa i përket moshës, para Zotit, aq më keq kur tradhtia ndodh në një moshë aq të madhe për shkak se profeti Muhamed kur përmend njerëzit që tradhtojnë, i kategorizon. Është ndryshe të jetë imoral një person i cili është i pamartuar, është ndryshe të tradhtojë kurorën një person i cili është i martuar dhe aq më keq të tradhtojë kurorën një person i cili është i martuar dhe në moshë të madhe, madje në një shkrim profetik, profeti tha që mëshira e Zotit nuk e mëshiron ditën e gjykimit Zoti atë njeri i cili në moshë të madhe, në moshë të thyer, ka kryer imoralitet.

Agida Koçi: Po çfarë ndryshimi përbën mosha nëse tradhtia është po i njëjti fenomen?

Hoxhë Hajredin Dizdari: Po në moshë të madhe, është e dijshme besoj që njeriu nuk e ka fuqinë dhe tërheqjen siç e ka në rininë e tij, për këtë arsye është bërë  një klasifikim në fe dhe Zoti e ka bërë këtë klasifikim dhe e ka njohur që i riu është ai i cili është më i prirur të ketë marrëdhënie të tilla sesa një person që është i thyer në moshë dhe besoj që doktori e sqaron këtë gjë edhe më mirë.

Martesa me 4 gra në fenë islame, dr. Shkëlqimi-hoxhës: Nga një grua te një tjetër është tradhti!

Tradhtia në të ’60-at është tema e ditës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan. E shpjeguar nga ana fetare, hoxhë Hajredin Dizdari shpjegoi gjatë programit se islamizmi nuk e lejon tradhtinë në çfarëdo moshe, edhe pse lidhur me këtë të fundit ekziston një kategorizim më vete.

Nga ana tjetër, në fenë islame një burrë mund të martohet me 4 gra njëkohësisht. Dr. Shkëlqim Balili i qëndron mendimit se kjo është tradhti, ndërsa hoxha kundërshton duke thënë se vetëm në këtë fe, numri i martesave është i kufizuar.

Katerina Trungu: Nga ana tjetër, mesa di, por ju lutem më korrigjoni nëse jam gabim, lejohet më shumë se një martesë njëkohësisht?

Hoxhë Hajredin Dizdari Në islam lejohet, i lejohet burrit në këtë rast që të martohet deri në 4 gra.

Katerina Trungu: 4 gra në jetën e tij njëra pasi është ndarë me secilën?

Hoxhë Hajredin Dizdari Jo, paralelisht, në të njëjtën kohë.  

Katerina Trungu: Por a nuk është kjo një formë tradhtie?

Shkëlqim Balili: Tradhti! Ajo është tradhti, nga një grua te një grua, nga një grua te një grua, është tradhti.

Hoxhë Hajredin Dizdari Jo nuk është tradhti. Kjo është sjellë si një formë zgjidhjeje. Islami është e vetmja fe e cila e ka kufizuar këtë numër. Të gjitha fetë përpara, fetë abrahimike, qoftë edhe Abrahim vetë, ka qenë një profet i cili ka pasur më shumë se 1 grua, Solomoni etj, por islami ka ardhur në një kohë për ta kufizuar, madje Zoti e përcakton veçanërisht, kur i thotë njeriut që kjo gjë është e lejuar, e urdhëron atë që nëse nuk do të jesh i drejtë me bashkëshortet e tua, urdhërohesh të martohesh vetëm me 1.

Hoxha shton se gruaja ka të drejta mbi burrin e saj, si fakti që nuk ka detyrim të kontribuojë ekonomikisht në shtëpi dhe kjo është detyrë vetëm e partnerit. Në të kundërt, udhëzimi është i qartë se nëse burri nuk mund të plotësojë kushtet, ai mund të martohet vetëm një herë. Në rastin e gruas, feja islame nuk vepron njësoj sepse ajo nuk mund të ketë më shumë se një burrë, në çfarëdolloj rrethane.

Katerina Trungu: A vlen kjo njësoj edhe për gratë, pra që të kenë edhe më shumë se një burrë?

Hoxhë Hajredin Dizdari Jo, nuk vlen.

Katerina Trungu: Po pse është menduar kështu? Thjesht po e analizoj për mënyrën se si e parashikon feja.

Hoxhë Hajredin Dizdari Një nga arsyet është për shkak se është shumë e thjeshtë të dihet babai i fëmijës sepse babai është 1 dhe është  shumë e pamundur të dihet se kush është babai i fëmijës nëse baballarë janë disa.