Të ftuar:
Teuta Maçi – farmaciste
Almeida Xhaferraj – psikologe
Orges Hysenaj – Drejtor i Teen Challenge Albania
Gazetare: Agida Koçi
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Mish viçi me presh dhe limon
500 gr tul viçi
Vaj ulliri
3-4 presh
1 qepë e thatë
4-5 qepë të njoma
1 fç me rrënjë selino
1 grusht gjethe selino
Majdanoz
Kripë dhe piper i zi
1 l lëng perimesh
Për të rregulluar salcën
2 vezë
Lëngu i 1 limoni e gjysmë
1 lgj niseshte
Në një tenxhere të thellë ngrohim vajin e ullirit dhe kaurdisim mishin të grirë në kubikë të mëdhenj deri sa mishi të marrë ngjyrë. Largojmë mishin dhe në po atë yndyrë shtojmë qepën të prerë në kubikë, preshët e prera në gjatësi 1,5 cm, qepët e njoma dhe i përziejmë deri sa dhe këto përbërës të zverdhen pak. Vendosim copat e mishit në tenxhere, kripë, piper të zi dhe shtojmë lëngun e perimeve, gjethet e selinosë, majdanoz, rrënjën e selinosë. Vendosim kapakun dhe lëmë përbërësit të gatuhen për 50-60 minuta në temperaturë mesatare. Pasi të kalojë kjo kohë përziejmë 2 vezë, shtojmë lëngun e 1 limoni e gjysmë, e përziejmë me vezën, tresim në të 1 lugë gjelle niseshte dhe shtojmë pak lëng nga tenxherja. Përziejmë vezët me preshët dhe ulim temperaturën në minimum për 3-4 minuta e më pas gati për ta shërbyer.
Keku i dimrit me fruta të thata
4 vezë
1 gotë e gjysmë sheqer
1 gotë kos
150 ml vaj vegjetal ose gjalpë
50 ml qumësht
4 gota miell
1 pako pluhur pjekës
Lëkurë limoni
250 gr mix fruta të thata (arra, boronicë, kajsi, bajame)
Në një tas përziejmë vezët me pak kripë. Shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë përzierjen duke shtuar kosin më pas vajin dhe qumështin duke përzier pas çdo produkti pak sekonda. Fillojmë të shtojmë miellin nga pak dhe pluhurin pjekës. Vendosim në mikserin e qepës arrat dhe bajamet dhe i grijmë ato jo plotësisht në copëza të vogla. Kajsitë i presim në copëza të vogla, boronicat i vendosim në lëng portokalli ose ujë. Pasi të gjitha këto i shtojmë në brumin e kekut do të kemi kujdes. Frutat që vendosni për ti zbutur në ujë, pasi ti kullojmë, i pudrosim me miell para se ti vendosim në brumë. I përziejmë e më pas transferojmë brumin nga tasi në tepsinë e kekut të lyer me gjalpë dhe pak miell. Nivelojmë brumin dhe e vendosim atë në furrë në temperaturë 175-180 gradë për 30-35 minuta.
Varësia ndaj duhanit, alkoolit e drogës, si t’i trajtojmë
1 cigare ‘kushton’ 20 minuta jetë, studimi i fundit zbulon sa vite humbasin duhanpirësit
Duhani është një prej varësive më të përhapura që funksionon valë çlirimit të menjëhershëm dhe të lartë të dopaminës te përdoruesi. Kënaqësia momentale shkakton shqetësim në organizëm kur mungon derisa më pas ndizet cigarja tjetër duke formuar një rreth vicioz.
Deri më tani, studimet dhe statistikat kanë treguar se duhanpirja është shkaktare e shumë sëmundjeve në trupin e njeriut dhe rrjedhimisht, në jetëgjatësinë e cilësinë e jetës. Farmacistja Teuta Maçi sjell në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan studimin nga Universiteti i Londrës sipas të cilit, një cigare shkurton 11 minuta jetë. Konsumimi i një pakete ‘shfaros’ plot 106 ditë në vit duke shtuar edhe cilësi më të keqe të jetës.
Teuta Maçi: Studimi i fundit i Universitetit në Londër që është një nga universitetet më prestigjioze, hedh poshtë studimin e vjetër që një cigare të shkurton 11 minuta jetë dhe tregon që një cigare të shkurton 20 minuta jetë. Po të bësh llogarinë, në qoftë se pi një paketë në ditë, në ditë të shkurtohen 106 ditë, të sigurta sipas studimit të fundit kështu që mund ta mendosh se çfarë ndodh në harkun kohor të një jete. Mesatarisht, rreth 10 vite, pra një dekadë i shkurtohet një individi nga konsumi i cigares, pa përcaktuar sasinë dhe e keqja është që ato vitet që ty të mbeten, janë po ashtu me cilësi shumë të keqe jete, pra një profil i një personi që është 60 vjeç që pi duhan, ka profilin shëndetësor të një personi që është 70 vjeç. Jo vetëm që të shkurtohet jetëgjatësia, por edhe vitet që ke të bëhen me një cilësi shumë të keqe jete sepse shpeshherë ne si shqiptarë që për çdo gjë hajt se s’ka problem, hajt se kalon, duhet të dimë që jo vetëm nuk jetojmë gjatë se në qoftë se do të jetosh 70 vjeç dhe do të jetosh mirë, mund ta kesh mbledhur mendjen, por jo, jeton 70 vjeç dhe jeton keq.
“E përhapur por pak e folur”, çfarë është varësia nga seksi
Varësia ndaj duhanit, alkoolit, drogës është një temë e diskutuar, por në këndvështrimmin e psikologes Almeida Xhaferraj nuk vlen e njëjta gjë për varësinë ndaj seksit. Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo shprehet se është varësi e përhapur, por “më pak e folur”.
Sipas psikologes, kjo varësi nuk konsiston në kryerjen e marrëdhënieve të shpeshta seksuale me partnerin. Ajo karakterizohet nga një nevojë e pakontrollueshme për të kryer raporte seksuale me partnerë të ndryshme pavarësisht moshës, rrethanave, statusit social apo martesor.
Almeida Xhaferraj: Ndryshimi i partnerëve dhe konsumimi i seksit të shpeshtë, pa asnjë angazhim emocional apo pa asnjë lloj vendosjeje të lidhjes sociale mes dy partnerëve, bën që të jenë kriteret e mjaftueshme për të të kategorizuar si person të varur ndaj seksit. Këta persona jo vetëm që kanë edhe kosto ekonomike sepse të bësh seks me persona të ndryshëm kushton, me partnerë që ti i njeh rastësisht por kushton po ashtu edhe në nivel të shëndetit tënd fizik, jo vetëm emocional e shpirtëror sepse të ekspozon ndaj një burimi shumë të gjerë sëmundjesh seksualisht të transmetueshme. Nga ana tjetër, nëse personi që ka varësi ndaj seksit është i/e martuar mendoni pak sa mungesa lë në familje për shkak se ka këtë nevojën për të kryer seks të shpejtë me persona të ndryshëm. Pse shkaktohet kjo lloj varësie? Shkaktohet pikërisht kur personit që në vogëli nuk i janë përmbushur nevojat emocionale dhe fillon të kuptojë që nëse unë atashohem dhe krijoj një lidhje emocionale me tjetrin, kjo gjë mua do të më dhembë kështu që filloj ta konceptoj në mënyrë patologjike tjetrin si një objekt që mua më jep një kënaqësi të përkohshme, më rrit nivelin e dopaminës dhe e hedh poshtë, nuk më duhet. Duke e hedhur poshtë se nuk më duhet, unë ndihem i/e palënduar dhe ndërkohë nuk angazhohem emocionalisht.
Agida Koçi: Po ata që ka në shtëpi?
Almeida Xhaferraj: Është pyetje shumë e bukur kjo që bëre. Personat që kanë një familje, kini parasysh që shoqëria patriarkale në të cilën ne jetojmë, sidomos nëse janë burra që janë të varur ndaj seksit, krijojnë një lloj ndarjeje, një lloj dyzimi: gruan e kam atë figurën e pastër, të mirë në shtëpi të cilën nuk e ndot dhe dëshirat seksuale që në gjykimin e këtyre burrave në formë të pashëndetshme janë të pista, të ndotura, ia atribuojnë një objekti tjetër të cilin unë nuk e konsideroj fare si objekt njerëzor, por si objekt konsumi. Pa diskutim që këto janë mendime patologjike dhe kanë nevojë të trajtohen me psikoterapi, kanë nevojë të identifikohen dhe është shumë e domosdoshme që individi të pranojë që ka nevojë ta marrë ndihmën, edhe kur e ndien që është shumë i varur ndaj seksit dhe ka persona që lënë punën, lënë detyrat në punë pa bërë sepse kanë nevojën që të kryejnë marrëdhënie me një person të panjohur apo që e kanë njohur rishtazi.
Terapia e veshit me lazer, metoda e suksesshme për të elimininuar varësitë
Një terapi me lazer është një nga format më të reja për të trajtuar varësi të ndryshme. Metoda fokusohet te veshi si një organ që konsiderohet hartë e trupit dhe sinjalet reduktojnë simptomat fizike.
Terapisti Vincent Malmenaide ka ardhur posaçërisht nga Franca në Shqipëri ku kryen këtë trajtim. Ai shpjegon në një intervistë për programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi funksionon kjo terapi, sa lloje të saj janë, efektet dhe për cilën kategori është më e përshtatshme.
-Çfarë është konkretisht terapia me lazer?
Vincent Malmenaide: Terapia e veshit me lazer ekziston prej shumë kohësh dhe është zbuluar në Francë në vitet ’50 nga një mjek francez. Dhe që atëherë, kjo metodë është studiuar dhe praktikuar në gjithë botën, dhe pikërisht që nga vitet ’80, kjo metodë është e njohur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Për ta përshkruar thjeshtësisht, kjo metodë bazohet në parimin se veshi është një hartë e trupit, ku përfaqësohen organet dhe zonat e trupit. Deri më sot janë identifikuar më shumë se 280 pika dhe çdo pikë është e lidhur me një organ ose zonë të trupit.
-Nëse ti je duke kërkuar pikat e veshit për një problematikë të caktuar, çfarë ndodh në trupin e njeriut gjatë kohës që bëhet terapia me lazer?
Vincent Malmenaide: Në momentin që aplikohet lazeri në vesh, duhet patur parasysh se së pari lazeri nuk futet në vesh, por aplikohet në pjesën e jashtme të veshit. Lazeri është totalisht pa dhimbje, pa efekte anësore dhe jo invaziv. Lazeri do të dërgojë disa stimulime që do të gjenerojnë efekte nervore brenda veshit dhe që do të dërgojnë sinjale në organet ose zonat që kemi përcaktuar. Dërgimi i këtyre sinjaleve ndihmon në reduktimin e simptomave të ndryshme fizike që mund të ketë personi.
–Cili është suksesi i kësaj terapie? Sa sukses ka te njerëzit nëse ka varësi të forta dhe çfarë kategorish terapish realizoni?
Vincent Malmenaide: Kemi pasur shumë sukses të mirë, veçanërisht me terapinë e lënies së duhanit, që është terapia jonë kryesore. Kemi pasur persona që pinë 3-4 paketa cigare në ditë dhe që pas një seance të vetme me këtë terapi, e kanë lënë plotësisht duhanin. Ka një sukses të vërtetë me këtë terapi, ajo që duhet theksuar është se njerëzit që vijnë janë persona shumë të motivuar dhe që duan vërtet të lënë duhanin, por nuk mundin sepse kanë nevojë dhe varësi fizike për nikotinë, e cila është shumë e theksuar. Unë si terapist i ndihmoj për të eliminuar varësinë fizike nga nikotina.
-Ju thatë se kjo lloj terapie me lazer është efektive për shumë problematika, por çfarë konkretisht realizoni ju për momentin në vendin tonë?
Vincent Malmenaide: Sot ne propozojmë 4 terapi:
-Terapi për lënien e duhanit
-Terapi për uljen e stresit
-Terapi për humbjen në peshë
-Terapia për çrregullimet e gjumit
Këto janë 4 terapitë tona kryesore, dhe këtë muaj do propozojmë 3 terapi të reja:
-Terapi kundër varësisë nga alkooli
-Terapi për çrregullimet e menopauzës
-Terapi kundër migrenës
-A kanë këto terapi efekte anësore dhe çfarë mund të ndodhë nëse dikush është gjatë terapisë dhe në të njëjtën kohë është duke konsumuar cigare, alkool, apo duke vepruar në kundërshtim me arsyen për të cilën po e bën këtë terapi?
Vincent Malmenaide: Konkretisht, sot lazeri nuk ka asnjë efekt anësor, nuk ka dhimbje kur aplikohet, është lazer pa dhimbje sepse është një lazer i ftohtë me frekuencë të ulët. Nëse pas një seance lazeri ose gjatë terapive, personi fillon të pijë duhan ose të pijë përsëri alkool, në varësi të terapisë që ka bërë, nuk ka asnjë efekt anësor. Problemi është se ai e ka rifilluar përsëri dhe në këtë rast mund të vijë për një seancë të dytë.
-Cilët individë mund dhe cilët individë nuk mund të aplikojnë këtë terapi me lazer?
Vincent Malmenaide: Të gjithë mund të kenë akses në terapi, ka vetëm raste të veçanta që duhen shmangur, si gratë shtatzëna dhe personat që vuajnë nga sëmundje të rënda, si kanceri. Të moshuarit si dhe fëmijët mund të aplikojnë këto terapi me lazer.