Të ftuar:

Krisanthi Kallojeri – astrologe

Ibrahim Lala – mjek popullor

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Patëllxhanë të mbushur me gjizë

1 kg patëllxhanë

300 gr gjizë

3 speca

1 domate

4-5 thelpinj hudhër

2 vezë

Majdanoz

Kopër

Vaj ulliri

Salca:

1/2 qepë

2 domate

Pak rigon

Pastrojmë patëllxhanët, i qërojmë ato në shirita dhe i bëjmë një prerje në mes. I vendosim në një tas me ujë dhe kripë dhe i lëmë për 25-30 minuta. Pasi kalon kjo kohë i shpëlajmë dhe i thajmë. I vendosim në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekjeje dhe i vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 20 minuta.

Ndërkohë që piqen patëllxhanët, në një tigan me 2 lugë gjelle vaj ulliri, kaurdisim qepën të grirë shumë imët deri sa qepa të zverdhet lehtë. Shtojmë domaten të grirë në rende ose në grirësen e qepës. I përziejmë së bashku me qepën, pak sheqer e kripë dhe e lëmë të ziejë për 8 minuta. Pasi domatja të ziejë, e shtojmë si bazë në një tepsi.

Në një tas përziejmë gjizë, specat e prerë në kubikë shumë të vegjël, domatet të pastruara nga farat dhe të prera në kubikë shumë të vegjël. Shtojmë hudhrat e grira shumë hollë, vezë, majdanoz dhe kopër. Të gjithë këta përbërës i përziejmë mirë në tas.  Mbushim patëllxhanët e pjekur me mbushjen me gjizë dhe i vendosim në tavë ku kemi shtuar salcën e domates. Vendosim tepsinë në furrë për 20-25 minuta në temperaturë 190-200 gradë.

Makarona me pançetë dhe domate

320 gr makarona

200 gr pançetë e e tymosur

1/2 qepë

Domate të qëruara (1 kuti)

1 lgj pesto

Kripë dhe piper i zi

Vaj ulliri

80 gr djathë kaçkavall të grirë

Fillimisht vendosim në zjarr një tenxhere me ujë të bollshëm për të valuar. Ndërkohë në një tigan ngrohim vajin dhe kaurdisim pançetën të prerë në shirita ose kubikë deri sa ajo të marrë ngjyrë të kuqërremtë. Presim qepën shumë hollë dhe e shtojmë në tigan. I kaurdisim së bashku. I shuajmë me pak fare verë të bardhë.

Shtojmë domatet e qëruara në tigan, makaronat në ujin e valuar me kripë dhe i lëmë të ziejnë për 9-11 minuta. Pasi të kalojnë 6-7 minuta duke zierë domatja, shtojmë një lugë gjelle pesto. E përziejmë mirë me domaten, rregullojmë shijen me pak kripë e piper të zi. Kullojmë makaronat, i shtojmë në tigan dhe në fund shtojmë djathin e grirë hollë dhe i shërbejmë të ngrohta.

Javë e re, horoskop i ri… Çfarë na thonë yjet këtë javë?

Në dy ditë, dashuria dhe paraja gjejnë rrugën drejt shenjave të horoskopit

Në një përmbledhje për horoskopin e javës, astrologia e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan thotë se do të kemi dy ditë shumë të mira për të shfrytëzuar gjatë saj. Secila prej shenjave duhet të shfrytëzojë potencialin që paraqitet të enjten dhe të premten për të krijuar mundësi për veten.

Krisanthi Kallojeri: Ju premtova që këtë javë kam gjëra të mira për të thënë dhe ja ku jemi prapë këtu të flasim për klimën  e javës që është pozitive dhe produktive. Sot dhe nesër, dy ditë shumë të mira, favorizuese për atmosferën financiare dhe marrëdhëniet personale, krijohen kushtet për marrëdhënie afektive. E enjtja dhe e premtja, dy ditë shumë pozitive për takime, bashkëpunime profesionale e personale për zgjidhje të problemeve.

Në datën 23 kemi ekuinoksin e vjeshtës dhe kalojmë zyrtarisht në stinën e vjeshtës. Fundi i javës, nga e premtja pasdite, të shtunën e të dielën duhet të jemi më të kujdesshëm, të mos bazohemi në vlerësimet e atyre ditëve dhe evitoni shpenzimet e tepërta, sidomos ato për të impresionuar. Ndërkohë fundjava mund të jetë shumë e bukur për të kaluar mirë me njerëzit tanë të dashur, pa marrë vendime të rëndësishme. Të dielën në darkë, 5 minuta përpara se të kalojmë tek e hëna, në orën 23:55, kemi hënën e re në shenjën e Peshores, hënën e bashkëpunimit,  ekuilibrit, për të cilën do të flasim javën që vjen.

Fillimi i javës nis me premtime për shenjat, kujdes nga zhgënjimet në fund të saj

Datat 22 dhe 23 Shtator janë më të rëndësishmet dhe më të mirat që shenjat e zodiakut të përfitojnë maksimalisht. Krisanthi Kallojeri, astrologia e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ka lajme të bukura për shenjat, por fundjava do t’i testojë të gjitha, kryesorja është të mos merrni vendime.

Dashi – Një javë mjaft e mirë, interesante që në fillimet  e saj ju premton të ardhura financiare kryesisht nga puna. Janë dy ditë që mund të përfitoni në çdo drejtim. Më 22-23 Shtator do të përjetoni rikthimin ose normalizimin e një marrëdhënieje, mund të merrni vendime dhe zgjidhjen e çështjeve që ju shqetësojnë. Nga 23 Shtatori do të jeni më të fokusuar në marrëdhëniet tuaja të çdo lloji, do të keni edhe disa probleme. Në fundjavë kujdesuni për shëndetin, regjimin duke evituar prapaskenat dhe vlerësimet e gabuara.

Demi – Gjatë kësaj jave do kaloni bukur, do ndiheni të kënaqur, do të keni momente të bukura me të dashurit tuaj. Fillimi i javës ju befason për një takim për lidhje afektive të re ose rikthim nga e kaluara. Nga data 22-23 Shtator mund të merrni vendime për financat. Gjithashtu, nga këto data e deri më 2 Tetor favorizohen rikthimet sentimentale të së kaluarës, sidomos ata që bëjnë punë krijuese ose spirituale. Në fund të jaëvs kaloni bukur dhe evitoni keqkuptimet në biseda që vijnë si rezultat i vlerësimit të gabuar nga të dyja palët.

Binjakët – Fillime pozitive në çështjet e familjes, shtëpisë dhe pronës. Përfitoni në këtë drejtim deri të mërkurën. Më 22-23 Shtator do merrni vendime që kanë të bëjnë me investime, zgjidhje për çështjet që ju preokupojnë, ndoshta do të keni takime interesante për jetën profesionale apo personale, mesazhe nga lidhje të së kaluarës. Favorizohen veçanërisht të lindurit në ditët e para të shenjës. Në fund të javës evitoni rënien psikologjike dhe mos lejoni problemet e punës, familjes apo lidhjes t’ju prishin ditën. Një udhëtim të bukur me të dashurit mund ta realizoni gjatë javës.

Gaforrja – Një çështje që ka të bëjë me familjen do ju shqetësojë sërish. Në fillim të javës, përmes kontakteve që keni ose rrjetit shoqëror, do të gjeni mbështetjen e duhur në realizimin e planeve dhe qëllimeve tuaja. Këto dy ditë mund të takoni persona që do të luajnë një rol pozitiv. Më 22-23 Shtator mund të krijohet mundësia që të zgjidhni një çështje lidhur me sferën ekonomike ose  pronën, diçka që mund të mos jetë e re, por duhet t’i trajtonimirë gjërat, ta hetoni situatën para se të merrni vendime. Mos veproni në mënyrë impulsive nga e premtja pasdite e deri të dielën, të cilën duhet ta kaloni bukur me njerëzit tuaj të dashur.

Luani – Përqendrohuni kryesisht në sferën financiare, fillimi i javës ju sjell një lajm të mirë, fitim, bonus ose rritje rroge. Datat 22-23 Shtator përmes një kontakti, do ju sjellë zgjidhjen e një çështjeje ekonomike ose një bashkëpunim frytdhënës në drejtimin ekonomik. Java ju premton një udhëtim profesional dhe nëse e keni në mendje, duhet ta realizoni. Në fund të javës, nga e premtja pasdite e deri të dielën evitoni marrëveshjet ekonomike dhe shpenzimet për të impresionuar të tjerët.

Virgjëresha – Java është premtuese, me lajme të mira lidhur me punën tuaj, një plan jete që keni bërë kohët e fundit. Papritur keni lajme lidhur me jashtë shtetit, një trajnim që doni të bëni, studim, çështje ligjore ose ndryshimin që keni planifikuar këtu e më përpara. Më 22-23 Shtator do të merrni vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me një bashkëpunim ekonomik. Në fund të javës dhe kryesisht të lindurit në 10-ditëshin e tretë të shenjës, evitoni çdo gjë, iluzionet, vlerësimet në drejtim pozitiv e negativ sepse nuk do të jenë reale, jini të përmbajtur me marrëdhëniet.

Peshorja – në fillim të javës do të veproni në mënyrë diskrete dhe ashtu duhet sepse krijohen kushtet për një lidhje afektive të së kaluarës ose të re që është e nevojshme ta mbani të fshehtë. Ekziston mundësia që të merrni një ndihmë gjatë këtyre ditëve ose thjesht të çliroheni nga një barrë që ju rëndonte kohët e mëparshme. Nga data 22 Shtator dhe në vijim, fokusohuni te vetja juaj dhe promovoni sa më mirë veten dhe talentet që keni. Më 22-23 Shtator do të merrni vendime të rëndësishme lidhur me një marrëdhënie që mund të ketë të bëjë me të kaluarën, personale ose bashkëpunim profesional. Në fund të javës, evitoni prapaskenat duke mos thënë shumë gjëra për veten tuaj.

Akrepi – Fillimi i javës sjell ndihmën dhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve apo partnerëve për realizimin e një plani apo qëllimeve në përgjithësi.  Do të keni mundësi të zgjeroni aktivitetin shoqëror, diçka e dobishme për zhvillimin tuaj. Për ata që janë në kërkim të një lidhjeje afektive, mund ta gjeni përmes rrjetit shoqëror. Në 22-23 Shtator do të keni një takim të fshehtë e ndoshta të rëndësishëm me një mik nga e kaluara ose për një çështje të saj,  për të cilën do të merrni vendime pozitive. Në fund të javës evitoni komentet që mund të sjellin keqkuptime, mos bëni vlerësime për bashkëpunëtorin, bashkëshortin apo fëmijët sepse nuk do të ketë baza reale.

Shigjetari – Zhvillime pozitive do të keni në sferën profesionale dhe nëse jeni në kërkim të një pune mund ta gjeni. Mund të bëni ndryshime që të zgjidhni probleme që ju preokupojnë në jetën e përditshme apo me punonjësit.  22-23 Shtator, një takim i rëndësishëm, ndoshta me një mik, sjell ndikime pozitive në arritjen e qëllimet tuaja. Në fund të javës krijojini kushtet vetes thjesht për të kaluar bukur dhe evitoni çdo vlerësim. Mos bëni lëvizje në aspektin ekonomik.

Bricjapi – Keni përpara një javë mjaft interesante dhe fillimi i saj do ju sjellë lajme të mira në çdo drejtim lidhur me jetën personale ose profesionale. Do të përfitoni e shijoni frytet e punës së mëparshme që keni bërë. Në datat 22-23 Shtator do të keni zhvillime në sferën profesionale. Do bëhen diskutime e do merren vendime që mund t’i marrin të tjerët për ju ose ju për veten tuaj dhe do të ndiheni të tensionuar. Si njerëz të logjikës e punës, gjërat do të shkojnë në favorin tuaj. Në fundjavë mos bëni një planifikim sepse gjërat do i shihni ndryshe nga e hëna, mund të bëni një udhëtim. Evitoni diskutime të rëndësishme me njerëzit që ndani jetën e përditshme.

Ujori – kjo  javë vjen t’ju japë zgjidhje në lidhje me problemet që kanë të bëjnë me familjen, shtëpinë ose ndryshimet që doni të bëni. Do të favorizoheni të hënën e të martën, ndërsa të enjten e të premten, deri në orën 3 të drekës të premten, do tokeni lajme pozitive ose zgjidhje që kanë të bëjnë me një plan jete, çështje ligjore ose personale. Disa nga ju mund  të bëjnë një udhëtim të largët ose do t’i jepni drejtim çështjeve që kanë të bëjnë me fëmijët. Evitoni bisedat dhe lëvizjet financiare në fundjavë.

Peshqit – fillimi i javës sjell ngjarje në lidhjet dhe marrëdhëniet tuaja personale e profesionale. Duhet të jeni të aktivizuar, në lëvizje sepse në shkëmbimet ditore do të gjeni dikë që do ju ndezë një interes të veçantë. 22-23 Shtatori do ju sjellin mundësi për një bashkëpunim të rëndësishëm financiar, do merrni vendime për partnerin dhe do bëni biseda që kanë të bëjnë me ndryshime në shtëpi, familje apo zyrë. Të gjitha këto biseda si bosht do të kenë anën financiare e ekonomike. Në fundjavë krijohen kushte për lidhje afektive, por vlerësimi do jetë i gabuar, mund t’i idealizoni gjërat më shumë se sa janë. Ata që janë në një marrëdhënie, mund të ndihen të zhgënjyer, mos të marrin asnjë vendim në fundjavë që t’i shohin gjërat më me qetësi.

Njihemi me kurat popullore për sëmundjet e mëlçisë

Quiz televiziv