Të ftuar:

Rubin Topi – okulist

Megi Lekbello – mjeke endokrinologe

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Mini kadaif me rikota (6 racione)

150 gr gjalpë

350 gr kadaif

250 gr (djathë rikota)

Sherbeti

2 gota sheqer

2 gota ujë

2 feta limon

Fillimisht shkrijmë gjalpin në temperaturë mesatare, ndërkohë presim kadaifin në copëza të vogla me gjatësi 1 cm. E vendosim atë në një tas dhe pasi gjalpi të jetë shkrirë e shtojmë tek tasi me kadaif dhe e përziejmë atë me kadaifin duke u munduar që të gjitha fijet të jenë lyer me gjalpë. Marrim një tepsi me forma cupcake dhe lyejmë format me pak gjalpë.

Mbushim me kadaif gjysmën e secilës nga format, e ngjeshim mirë me fundin e një gote dhe vendosim tepsinë në furrë në temperaturën 180 gradë, vetëm për 5 deri në 7 min. E nxjerrim nga furra dhe në secilën formë vendosim nga një lugë çaji rikota. E mbulojmë atë me kadaif deri kur mbaron forma. E vendosim tepsinë përsëri në furrë në temperaturën 180 gradë për 10 -12 min.

Ndërkohë në një tenxhere vendosim sheqerin, ujin dhe limonin dhe e ziejmë vetëm 6 min nga momenti i zierjes. Nxjerrim tepsinë nga furra, e lëmë të bjerë temperatura e më pas shtojmë sherbetin e ngrohtë. E lëmë kadaifin të ftohet dhe më pas e shërbejmë me stika të grira ose arra.

Njoki me salsiçe dhe perime

400 gr njoki

Vaj ulliri

1 qepë e vogël

1 spec i kuq

4-5 salsiçe pule

2 thelpinj hudhër

Erëza të thata italiane ( 1 lugë çaji)

Kripë + piper të zi

1 filxhan domate të prera

100 gr spinaq bebe

2 lugë gjellë parmixhano

Ngrohim vajin në tigan dhe kaurdisim qepën e grirë shumë imët. Shtojmë specin në kubikë të vegjël derisa të ulim volumin për 3 minuta. Shtojmë salsiçet e prera në rrathë ose gjysmë rrathë. I skuqim derisa të marrin pak ngjyrë të kuqërremtë. Shtojmë hudhrat e grira imët dhe 1 lugë gjellë erëza të thata, kripë + piper të zi. Shtojmë domatet, i kaurdisim për pak min. Shtojmë spinaqin, ndërkohë vendosim njokit në një tenxhere me ujë të valuar dhe i lëmë vetëm 5 minuta derisa të dalë në sipërfaqe. I kullojmë dhe i vendosim në tigan me perime dhe salsiçe. Shtojmë në fund 2 lugë gjellë parmixhan i përziejmë dhe më pas i shërbejmë.

Shënim!

Nëse doni t’i jepni recetës një shije më të mirë atëherë pasi të kaurdisim domaten shtoni 250 ml lëng pule dhe më pas shtoni njokit. I përzieni pak për 5 min, më pas shtoni spinaqin dhe përziejini duke shtuar në fund parmixhanon.

Sëmundja diabetike e syrit

Simptomat dhe shkaqet e diabetit të syrit

Ka pësuar hemorragji cerebrale, paralizë e humbje shikimi, telefonuesja: Më është përplasur dera në fytyrë

Një telefonuese në “Shije Shtëpie”në Tv Klan e cila u lidh me programin gjatë transmetimit të temës së diabetit të syrit, ndau shqetësimin e saj. Zonja nga Tirana u shpreh se 30 vite më parë, gjatë një lindjeje më parë  ka pësuar humbje të shikimit. Prej 20 vitesh përdor syze ndërsa shton se i ka kryer analizat e diabetit, por rezultatet ndryshojnë çdo herë.

Telefonuesja: Para  30 vitesh, në një lindje, më ka ikur shikimi komplet pas lindjes kam qenë një trup elastik, pa duar, pa këmbë pa shikim fare. Edhe tani më përsëritet çdo muaj, dy herë në muaj, 3 herë në muaj më ikën shikimi fare. Dua  të di a ka lidhje me lindjen? Unë i kam bërë analizat e diabetit, herë më dalin të larta, herë më dalin të ulura dhe s’po kuptoj gjë. Jam me syze prej 20 vitesh.

Rubin Topi: Të larta sa, zonjë?  E ke idenë sa mund të jetë për shembull?

Telefonuesja: Të larta, 300-400, më bie pastaj në 40-50.

Rubin Topi: Është diabetike.

Zonja shpjegon se merr mjekim për diabetin, por mjekët nuk i kanë rekomanduar insulinë për shkak të historisë së saj shëndetësore. Ajo shpjegon se ka pësuar hemorragji cerebrale, ishemi, paralizë të plotë dhe trombozë në mushkëri e zemër. Humbja e shikimit i zgjat rreth 10-15 minuta dhe i ndodh herë në njërin sy, herë në tjetrin.

Telefonuesja: Shkoj te doktori, më vë vetëm disa shkronja aty, “ç’është kjo, ç’është ajo,” më jep vetëm numrin e syzeve dhe më thotë ”merri në filan vend”.

Katerina Trungu: E marr vesh, por duhet të ndërrosh ndoshta doktor për këtë gjë?

Telefonuesja: E kam ndërruar moj shpirt, nuk kam shkuar te i njëjti doktor, emrat tanë tani janë  në sistem dhe nuk di çfarë të them unë se nuk është i njëjti doktor ai që del në ekran dhe ai që na pret neve se mua më është përplasur dera në fytyrë, jam me 4 kirurgji në tiroide.

Okulisti Rubin Topi shpjegon se zonja duhet të kryejë vizitën e syve kur vlerat e diabetit ndodhen sa më pranë optimales për të gjetur numrin e saktë të syzeve. Sa i përket humbjes së shikimit pas lindjes, Topi thotë se nuk ka lidhje me gjendjen e saj të sotme pasi i është shkaktuar nga sforcimi fizik.

Sa i përket verbimit të përkohshëm që përjeton, okulisti shpjegon se është shkak i diabetit dhe zonja duhet të përpiqet ta mbajë në kontroll. Endokrinologia Megi Lekbello shton se është e mendimit se duhet të përdorë insulinë sepse rekomandohet edhe për pacientët në gjendjen e saj.