Të ftuar:

Vigjilenca Demiraj – gastro-hepatologe

Marian Saliaga – veteriner

Teuta Maçi – farmaciste

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Pulë me kërpudha e patate drejt e në furrë

500 gr gjoks pule

4-5 patate

 1 qepë e madhe

250 gr kërpudha

Kripë dhe piper i zi

Vaj

100 gr djathë pice

1 domate

2 lgj majonezë

1 vezë

1 lç mustardë

Pastrojmë gjoksin e pulës dhe e presim atë në feta në drejtim të kundërt me fijet e mishit. I vendosim copat e mishit në dërrasën e punës. I mbulojmë ato me letër pjekje dhe celofan dhe i shtypim lehtë me çekiç. Vendosim copat e mishit në një tas dhe shtojmë kripë dhe piper të zi, vaj, piper të kuq. I përziejmë mirë dhe i lëmë të marinohen për një orë. Presim qepën hollë në gjysmërrathë dhe e shtrojmë atë si bazë në një tepsi të lyer me shumë pak vaj. Patatet i presim në feta rrumbullake (jo shumë të trasha) dhe patatet i vendosim në tas dhe i marinojmë me kripë, piper të zi, 2 lugë gjelle vaj dhe i përziejmë me duar. Mbulojmë qepët me patatet të vendosura në formën e tjegullave. Më pas mbulojmë patatet me copat e mishit të pulës. Presim kërpudhat në feta dhe mbulojmë mishin dhe tavën në gjithë sipërfaqen.

Hapim një letër pjekjeje. Mbi të një letër alumini dhe mbulojmë tavën. E vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 25 minuta. Ndërkohë grijmë djathë pice, domate në kubikë, 1 vezë dhe i përziejmë mirë duke shtuar edhe 2 lugë gjelle majonezë. Nxjerrim tepsinë nga furra dhe me përbërësit që përziemë në tas mbulojmë komplet sipërfaqen e tavës duke i spërkatur më parë kërpudhat me pak kripë. Pasi të kemi niveluar mirë mbulesën me djathë e domate e majonezë, e vendosim përsëri tavën në furrë në temperaturë 190 gradë për 15 minuta të pambuluar. E nxjerrim nga furra. E lëmë të pushojë 15 minuta e më pas e shërbejmë me sallatën që dëshironi.

Sallatë me panxhar

3 panxharë ( të zier)

1 qepë e kuqe

70 gr misra ( të zier)

2 thelpinj hudhër

1/2 tufë majdanoz

1/2 tufë kopër

Kripë dhe piper i zi

2 lgj uthull

Vaj ulliri

Vendosim panxharët të pastruar në një tenxhere. I mbulojmë me ujë dhe shtojmë në të 2 lugë gjelle uthull. I lëmë në zjarr të ziejnë për 30 minuta, më pas i qërojmë dhe i lëmë mënjanë të ftohen. Pasi të jenë ftohur, i presim patëllxhanët në kubikë me brinjë 1 cm. Presim qepën në kubikë të vegjël ose në fije gjysmërrathë. Grijmë vrazhdë erëzat, majdanoz dhe kopër dhe i shtojmë në tas. Po ashtu shtojmë misrat dhe 2 thelpinj hudhra të shtypura. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper i zi dhe vaj ulliri, i përziejmë dhe menjëherë e shërbejmë.

Çfarë janë kolikat abdominale? Si t’i trajtojmë dhe çfarë të kemi parasysh?

Të njihemi me vlerat e qumështit të gomaricës 

Cilat janë medikamentet që çdokush duhet të ketë në shtëpi?