Të ftuar:

Deljana Topulli – aktore

Chrysanthi Kalogeri – astrologe

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Pulë me limon dhe hudhra në furrë

800-1 kg copa pule

2 limona

3 thelpinj hudhre

100 ml vaj ulliri

1 tufë majdanoz

Kripë dhe piper i zi

Rozmarinë

Fillimisht pastrojmë copat e pulës, i thajmë ato dhe i vendosim në një tas ku do të shtojmë limonin në feta. Shtojmë hudhrat të paprera dhe majdanozin e grirë shumë hollë, kripë dhe piper të zi. Në fund shtojmë vajin dhe i përziejmë mirë me duar. Mbulojmë tasin me celofan dhe e vendosim tasin në frigorifer të marinohet për një orë. Më pas transferojmë përbërësit nga tasi, i vendosim në një tepsi e më pas në furrën e parangrohur në temperaturë 200 gradë për 40-45 minuta.

Pilaf me presh dhe limon

1 gotë oriz basmati

1 gotë lëng pule

400 gr presh

1 tufë kopër

1 lç lëkurë limoni

2 lgj lëng limoni

Vaj ulliri

1 lgj gjalpë

Kripë dhe piper i zi

Fillimisht pastrojmë preshin dhe i presim në dysh për së gjati. Më pas e grijmë shumë hollë. Vendosim preshin në një tigan, shtojmë në të pak kripë dhe piper të zi, vaj ulliri, vendosim kapakun dhe e lëmë të gatuhet duke e trazuar herë pas here. Ndërkohë vendosim një tenxhere me ujë të ziejë, shtojmë orizin, kripë dhe e lëmë orizin të ziejë për 10 minuta.

Pasi preshi të ketë përthithur lëngun e tij, shtojmë orizin të ziejë vetëm 10 minuta, shumë aldent. Shtojmë pak kripë, 1 lugë gjelle gjalpë dhe 1 filxhan lëng pule të valuar. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit. Vendosim kapakun dhe lëmë orizin të gatuhet plotësisht në temperaturë mesatare. Në fund shtojmë 2 lugë gjelle lëng limoni, kopër dhe lëkurë limoni. I përziejmë dhe gjithçka gati për ta shërbyer.

“E mërkura e vështirësive dhe e premtja e shanseve”, çfarë ka rezervuar java për shenjat e horoskopit

Java e fundit e shkurtit do të jetë shumëngjyrëshe sa i përket skenës planetare. Në parashikimin e së hënës nga Chrysanthi Kalogeri për “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kjo javë sjell mundësi, iniciativa e mundësi të reja sidomos për synime që jeni përpjekur prej kohësh, të cilat mund të bëhen realitet  të premten.

Dita më e vështirë duket të jetë e mërkura për shkak të mendimeve jo shumë pozitive dhe problemeve që mund të dalin. E rëndësishme është të analizoni mirë situatën përpara se të merrni vendime përfundimtare.

Chrysanthi Kalogeri: Kemi një javë të pasur, me larmi aspektesh astrologjike. Nuk do ta konsideroja plotësisht pozitive, por as negative. Në radhë të parë sot e nesër mos të nxitohemi. Të martën, të mërkurën ndoshta dhe një pjesë të së enjtes, ndoshta psikologjia mund të mos jetë shumë e mirë, mendimet jo shumë pozitive, mund të gjendemi përpara pengesave e vështirësive, por do të thosha që është një periudhë që ndoshta jemi të thirrur të marrim vendime, të jemi sa më të qartë dhe t’i analizojmë sa më realisht gjërat përpara se të marrim vendime përfundimtare.

Mund të na dalin probleme, por mund t’i zgjidhim këto probleme, ato që do të realizojmë në këtë rast, të mërkurën, të enjten dhe veçanërisht të premten, do jenë gjëra me baza të forta. Nëse do ndërmarrim një iniciativë, do fillojmë një punë, do zgjidhim një problem, jemi në diskutim për gjëra që shohim që janë pozitive për diçka që ne kemi punuar e djersitur, mund të jenë me pak më shumë punë e sakrifica, por me baza të forta.

Data 1 mars që është  e premtja është me shanse, krijohen mundësitë për t’i kapur. Në datën 3 dhe 4 mund të kemi anulime planesh, takime të papritura me njerëz nga e kaluara dhe të implikohemi në situata emocionale, sentimentale, ekonomike për të cilat duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të veprojmë me kujdes sepse pengesat, vështirësitë, gabimet do t’i hasim më pas. Nëse duhet të marrim vendime për aspekte të rëndësishme, lërini për pas datës 5. 

Në përgjithësi java krijon mundësi për konsolidim, përforcimin e situatës që kemi dhe duhet të jemi të duruar në rast se dalin probleme, t’i trajtojmë me qetësi. E mërkura është ditë pak më e vështirë, ndërsa e premtja na jep shanse, mjaft të dimë t’i kapim.

Javë me mundësi, shanse dhe vendime, si paraqitet java sipas horoskopit

Nga Dashi te Peshqit, parashikimi i yjeve për secilën shenjë

Këtë javë shenjat duhet të ruajnë anën e tyre psikologjike për të përballuar pengesat e problemet që mund të paraqiten. Është një periudhë që duhet të marrin vendime të menduara me kujdes, edhe në kushtet kur janë të detyruara të veprojnë shpejt.

Astrologia Chrysanthi Kalogeri shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se për disa shenja preokupimi kryesor do të jenë financat, ndërsa për të tjerat do të jenë shumë të rëndësishme bashkëpunimet që i përkasin fushave të ndryshme të jetës.

Dashi – Një javë ku do ju preokupojnë shumë gjëra, por kryesorja është psikologjia juaj, gjithçka varet prej saj. Nëse ju do të keni psikologji të mirë, do të kenë mundësi të organizoni mirë punën, të bëni mirë planet për të ardhmen dhe të shikoni më mirë gjërat në funksion të përfitimit tuaj financiar. Sot, nesër dhe pasnesër kujdes në investimet që doni të bëni si rezultat i realizlimit të synimeve tuaja. Kujdesuni më tepër për shëndetin ditën e mërkurë, mos u implikoni në biseda intime, diskrete, të fshehta që nuk do të sjellin rezultate siç mendoni dhe mos u ndikoni nga lajmet që mund t’ju sjellin të tjerët dhe t’ju prishin qetësinë, ndërsa të premten do keni shanse për një përfitim ekonomik ose mbështetjen e një njeriu që do ju sjellë përfitime më të mira. Në fund të javës jini më të organizuar në synimet e qëllimet tuaja dhe kujdes me shpenzimet sepse më vonë do shihni ato që do ju mungojnë çfarë do shpenzoni në fund të javës në fillim të saj.

Demi – Vazhdoni të jeni të preokupuar në karrierën, punën dhe jetën sociale. Kjo javë mund të sjellë disa vështirësi e pengesa në synimet e qëllimet tuaja në lidhje me një njeri të rrjetit social, por mund të sjellë forcimin e pozitës tuaj, një mbështetje në lidhje me këto plane që keni për zhvillim e përparim. Mund të realizoni organizim më të mirë të financave, krijohet mundësia që të gjeni një mbështetje dhe të merrni mendimin, sugjerimin ose të merrni ndihmën e dikujt nga rrjeti miqësor që e konsideroni të përshtatshëm. Të dashurit janë pranë jush dhe mund të keni shanse shumë të mira të premten për punën, shtëpinë dhe do të keni mbështetje prej tyre ose njerëzit e familjes. Në fund të javës mos kërkoni gjëra nga të tjera, mos reagoni nëse ju kërkojnë, përpiquni të ruani një ekuilibër mes vetes dhe njerëzve që janë më lart se ju ose në ambientin e punës apo familjar.

Binjakët – Një javë me përgjegjësi dhe e ngarkuar, veçanërisht deri të enjten. Fokusohuni në sferën profesionale, jetën sociale, përpiquni të mos bëni gabime, të mos thoni gjëra që mund t’ju ekspozojnë, të mos nxirrni në pah sekrete ose gjëra që s’duhet të flisni. Jini të disiplinuar e të përgjegjshëm. Më të ndikuarit janë të lindurit në fund të majit dhe në fillim të qershorit. Të premten do keni mbështetje nga dikush më lart se ju, mbështetje psikologjike e praktike. Disa mund të udhëtojnë këtë javë, një udhëtim shumë i dobishëm për planet tuaja të së ardhmes. Në fund të javës mund të keni anulim të disa planeve. Është javë shumë e rëndësishme për karrierën e punës tuaj  përmes disiplinës dhe përgjegjësisë.

Gaforrja – Problemi juaj kryesor do të jenë financat që duhet të shpenzoni dhe ndoshta krijohet mundësia që të zgjidhni një problem ligjor, që ka të bëjë me të ardhmen dhe duhet të shpenzoni disa para. Ata që s’kanë probleme të tilla mund të organizojnë një udhëtim, të shkojnë në një vend që kanë qenë herë të tjera. Mund të organizoni dhe të vini baza për të ardhmen që do u shërbejnë synimeve e qëllimeve tuaja dhe të gjeni mbështetje në lidhje me to. Mos e lini veten që të bini nga ana psikologjike sepse nëse do të jeni të qetë, do të zgjidhet gjithçka. E mërkura edhe pse duket ditë e vështirë ofron shanse, zgjidhje, përforcim të pozitave tuaja ndërkohë që e premtja ju ofron zgjidhje në lidhje me të gjitha të lartpërmendurat. Në fund të javës mos u mbështesni tek të tjerët për të kërkuar një ndihmë pë zgjidhjen e problemit, por as ju mos e bëni kundrejt të tjerëve sepse ndoshta mund të mos i merrni pas, kjo nga data 3-4 mars.

Luani – Kjo javë duhet t’ju fokusojë në marrëdhëniet e bashkëpunimet tuaja, mbrojini, ruajini dhe mos hyni në konflikte sidomos nesër e pasnesër, edhe nëse të tjerët ju provokojnë. Mund të krijohen disa konflikte e vështirësi, sidomos në bashkëpunime ku përfshihen çështje ekonomike. Nga ana tjetër, përqendrohuni në sferën financiare që ka të bëjë me të tjerët, rregulloni detyrimet dhe organizoni portofolin tuaj. E premtja ju ofron shanse shumë të mira në punë, në sferën financiare dhe mbështetje ekonomike, por duhet të jeni vigjilentë që t’i kapni. Në fund të javës mund të kaloni mirë edhe nga ana sentimentale, por nëse do implikoheni jini të përgatitur sepse nuk dihet sa vazhdimësi mund të ketë pa  kaluar prova. Mund të dilni me njerëz, bashkëpunëtorë e miq nga e kaluara. Kujdes me shpenzimet, në fund të javës ka ekzagjerim dhe largim nga realiteti.

Virgjëresha – Kryesorja është të fokusoheni në marrëdhënie dhe bashkëpunime. Më të ndikuarit janë të lindurit në ditët e fundit  të gushtit dhe në ditët e para të shtatorit. Ata që janë në një lidhje, marrëdhënie që i ka dhënë provat dhe ndiheni mirë me partnerin mund të marrin vendime për ta çuar më tutje. Të tjerët mund të kalojnë një krizë që mund t’i çojë në ndarje, por nëse jeni në një marrëdhënie ku kaloni vështirësi dhe nuk doni ta humbni partnerin apo bashkëpunëtorin tuaj profesional, bëni durim dhe mos merrni vendime përfundimtare këtë javë, sidomos të mërkurën. E premtja është ditë që ju jep shanse e mundësi dhe mund të konsolidoni plane e gjëra që kanë të bëjnë me të ardhmen në jetën personale e profesionale. Njëkohësisht favorizohen gjërat që kanë të bëjnë me dokumente e letra që mund t’i zgjidhni. Në fund të javës jini më të kujdesshëm në përditshmëri e në punë sepse mund të bëni gabime të vogla që kushtojnë pak.

Peshorja – Duhet të përqendroheni në përditshmërinë tuaj, punën tuaj ku do keni përgjegjësi më të madhe, vështirësi e pengesa që ndoshta nuk vijnë nga ju por nga faktorë të jashtëm, thjesht duhet të jeni aty për t’i përballuar. Jini veçanërisht të kujdesshëm të mërkurën. Një nga problemet tuaja do jetë jeta personale, të dashurit, fëmijët ku do duhet të shpenzoni, të kaloni kohë me ta dhe ndoshta përditshmëria tuaj do sjellë një farë pengese. Sa u përket shpenzimeve, duhet të jeni të përmbajtur e të planifikuar deri të enjten. Nga e shtuna deri të martën duhet të jeni më të përmbajtur dhe të evitoni investimet. E premtja ju ofron mbështetje psikologjike dhe financiare.

Akrepi – Një javë e rëndësishme ku mund të realizojë shumë gjëra dhe këtu varet nga ana e tij psikologjike. Nëse do mbajnë psikologjinë në nivel shumë të mirë dhe nuk do ndikohen nga probleme familjare, që ju provokojnë të tjerët ose pengesat që i vini vetes, mund të përforconi pozitat, një bashkëpunim, të realizoni një projekt që mund të kërkojë djersë e mundim por në fund do ta arrini suksesin sepse jeni strategjikë. Nëse keni një vështirësi ose problem të mërkurën, mos e merrni paasysh dhe merrni pjesën pozitive që ju ofron mundësi të shkoni drejt një zgjidhjeje. Përfitoni të premten nga shanset që paraqiten për një bashkëpunim. Nga e shtuna deri të hënën jini të kujdesshëm në marrëdhënie, bashkëpunime dhe probleme që mund të dalin e t’ju prishin qetësinë e brendshme. Mos u nxitoni, janë vetëm tre ditë që kalojnë me qëllim që mos të zhgënjeheni më vonë dhe mos u pendoni për vendime e iniciativa që do të ndërmerrni në fund të javës.

Shigjetari – Preokupimi do jetë familja, shtëpia, përgjegjësia ndaj një prindi ose disa probleme që mund t’ju bëjnë të ndiheni pak më të mbyllur. Më të kujdesshëm të lindurit në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit. Mos merrni vendime përfundimtare për çështje që kanë të bëjnë me familjen, shtëpinë nëse nuk jeni të detyruar dhe në nxitim, mund t’i lini për javën që vjen sepse do t’i shihni krejt ndryshe. Duhet të ngrini barrën e përgjegjësisë në jetën personale ose profesionale dhe në lëvizjet tuaja, përditshmëri e kontakte. Jini të kujdesshëm me sjelljen, mos jini herë të tërhequr e herë shumë entuziastë, sjellja juaj mos të ketë luhatje sepse kjo mund të krijojë keqkuptime. E premtja ju ofron shanse shumë të mira për zgjidhjen e një problemi familjar dhe për të përmirësuar përditshmërinë, kushtet e punës dhe gjëra që ju pëlqejnë.

Bricjapi – Një nga preokuptimet tuaja do jetë sfera financiare. Jini të kudjesshëm në shpenzimet lidhur me fëmijët ose një projekt investimi, sidomos sot, nesër dhe nga e shtuna deri të martën. Do të jeni të detyruar të merrni disa vendime që mund t’i diskutoni me njerëzit që ndani përditshmërinë. Do të bëni shumë kontakte e biseda, disa do ju krijojnë shqetësime më të mëdha nga realiteti dhe disa do ju japin këshilla vërtet të vlefshme për vendimet që duhet të merrni. Nëse është në dorën tuaj të mos merrni vendime përfundimtare deri të enjten, mirë është t’i evitoni sepse do shihni që më pas do i shihni gjërat me sy tjetër, më entuziast e realist. Është periudhë që mund të përforconi pozitat tuaja, mund të hidhni bazat e një plani thjesht bëjini me letër e laps.

Ujori – Jeni të fokusuar te vetja dhe në sferën financiare. Aspektet që bëhen këtë javë e sidomos të mërkurën kanë të bëjnë me sferën financiare, vendimet që duhet të merrni dhe mënyra më e mirë për të kanalizuar energjinë e javës është që të bëni një organizim sa më të mirë të financave tuaja, afatshkurtër por edhe parashikues. Do ju preokupojnë çështje që kanë të bëjnë me pronën e shtëpinë.  Mos u nxitoni nesër dhe nga e shtuna e deri të martën, mos merrni vendime përfundimtare ndërkohë që mund të vijnë zgjidhje të premten që kanë të bëjnë me shtëpinë, organizimin më të mirë, një vendim për bashkëjetesë, shfrytëzim më të mirë të pronës.

Peshqit – Të fokusuar te vetja, planet tuaja që mund të kenë të bëjnë me shtëpinë, punën, partnerin sepse ndikoheni në akset kryesore të jetës. Më të ndikuarit janë të lindurit në ditët e fundit të shkurtit dhe në fillim të marsit, madje ata që kanë ditëlindjen këtë javë të jenëë të kujdesshëm. Jini të disiplinuar, ngrini barrën e përgjegjësisë, jini të organizuar dhe mos lejoni psikologjinë që të bjerë, mos jini pesimistë. Nëse i bëni të gjitha këto, do të keni shumë arritje në fund të vitit. Njëkohësisht do të keni mbështetjen e rrethit tuaj, të premten shkoni takoni ju njerëzit nëse kërkoni një punë apo një zgjidhje për një problem që ju shqetëson. Do keni zhvillime e takime të fshehta që mund të kenë të bëjnë me jetën personale apo çështje financiare. Jini të kujdesshëm në vendimet që do merrni gjatë javës, kryesisht deri të enjten. Në fund të saj, shijoni momentet, kaloni bukur por mos merrni vendime përfundimtare.

Quiz televiziv