Të ftuar:

Nora Malaj – pedagoge

Rajna Kovaçi – publiciste

Vera Kotorri – sipërmarrëse

Vitjona Nano – psikologe

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Qofte me pulë dhe spinaq shoqëruar me kërpudha kremoze

Për brumin e qofteve:

400 gr gjoks pule

250 gr spinaq

2 lugë gjelle bukë e thekur e grirë

1 vezë

1 thelb hudhër

Kripë + piper të zi

2 lugë gjelle parmixhano i grirë

Vaj për skuqje

Për kërpudhat me salcë kremoze:

½ qepë

250 gr këpudha (Champignon )

150 ml lëng pule

100 ml krem pana

Kripë + piper të zi

Pak trumzë ose rigon

1 thelb hudhër

20 gr parmixhano i grirë

2 lugë gjelle majdanoz i grirë

Fillimisht kalojmë spinaqin në ujë të valuar për 2 min. E kullojmë atë dhe e vendosim në ujë të ftohtë. E shtrydhim mirë e më pas e grimë shumë hollë. Ndërkohë gjoksin e pulës e lajmë, e thajmë, e presim atë në kubikë dhe pasi e vendosim në grirësen e qepës e grimë duke e bërë tul për qofte.

Më pas e vendosim në një tas ku do të shtojmë hudhrat e grira shumë hollë, thërrimet e bukës, vezën, spinaqin e grirë e në fund djathin e grirë hollë, pak kripë dhe piper. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit, nëse brumi nuk është lidhur mirë mund të shtojmë dhe 1 lugë gjelle thërrime bukë të grirë. Formojmë qofte në madhësi mesatre dhe pasi vaj të jetë ngrohur, i skuqim nga të dyja anët derisa të marrin ngjyrë të artë.

Për kërpudhat me salcë kremoze vendosim në zjarr tiganin me pak vaj dhe shtojmë në të qepën e grirë shumë hollë. E kaurdisim për 2-3 minuta gjalpin e më pas shtojmë në të kërpudhat derisa të marrë ngjyrë shtojmë në të 150 ml lëng pule dhe i lëmë të marrin një marrin një valë, më pas ulim temperaturën, shtojmë panën, kripë + piper të zi, pak trumzë ose rigon.

I përziejmë, presim hudhrën shumë hollë dhe e shtojmë në tigan. Më pas shtojmë në tigan 20 gr parmixhano të grirë hollë dhe para se ta servirim, majdanoz të grirë hollë.

Supë me domate dhe trahana

2 domate

4 gota ujë

1 karrotë (të vogël)

Kripë + piper të zi

1 kub dado pule

4 lugë gjelle trahana

2 lugë gjelle gjalpë

2 lugë gjelle majdanoz i grirë

1 lugë gjelle djathë i bardhë i grirë (për person)

Opsionale 1 vezë për person

Vendosim në tenxhere 4 gota me ujë = 800 ml. Shtojmë në të dhe domatet e prera në katër ose të kthyera në pure në grirësen e qepës. Këtë veprim mund ta kryejmë edhe pasi copat e domateve të kenë zierë, si të dëshironi. Shtojmë 1 kub dado pule. Shtojmë 2 lugë gjelle karrotë të grirë + gjysmën e majdanozit të grirë.

I lëmë të gjithë këto përbërës të ziejnë për 5 minuta. Ndërkohë në një tas vendosim trahanan shtojmë pak ujë, e përziejmë mirë e më pas e shtojmë në tenxhere duke përzier vazhdimisht derisa të skuqet, të marrë valë për 3-5 minuta. Shkrimë gjalpin dhe e përvëlojmë supën. E servirim duke shtuar mbi të djathë të bardhë të thërrmuar ose një vezë të zier për 6 minuta të ndarë në dysh ose një vezë sy.  Zgjedhje sipas dëshirës.

Çfarë do të thotë të jesh gjyshe në 2023

“Gjyshja e Instagramit”: E kam të pamundur mos të postoj foto me nipin

Vera Kotorri nuk është gjyshja tradicionale që jemi mësuar të shohim. Ajo është gjyshja me veshje shumëngjyrëshe, të kombinuara bukur të cilat i poston në Instagram pa asnjë vështirësi. Nëna e blogeres së njohur Anxhelina Kotorri ndan të njëjtin pasion me të bijën, por shpjegon në “Shije Shtëpie” në Tv Klan stigmën rreth të qenurit “gjyshja e Instagramit”.

Vera Kotorri: E vështirë ka qenë për mua faktikisht. Unë qëkur jam bërë krushkë ka qenë e vështirë.

Katerina Trungu: Pse?

Vera Kotorri: Po, edhe qëkur jam bërë krushkë, pastaj më vonë kur jam bërë gjyshe. Të gjithë ma bënin këtë pyetje që “Vera, je bërë krushkë, prapë kështu do vazhdosh ti me Instagramin?” Nuk e di i thosha unë, do vazhdoj se unë e kam këtu përbrenda, edhe të dua ta lë nuk e lë dot. Ose edhe të dua ta lë, mua nuk më lë vajza tani, më tërheq nga mbrapa gjithmonë, unë eci gjithmonë mbrapa Anxhelës. Edhe kur u bëra gjyshe, “po na moj se u bëre gjyshe”. Edhe bashkëshorti ndonjëherë ma hedh, “po na moj se gjyshe”.

Katerina Trungu: Si duhet të jetë gjyshja sipas tyre?

Vera Kotorri: Po nuk e di, është turp i them unë që të hedh unë foto në Instagram? Nuk është turp, kështu që unë do ta bëj edhe rolin e gjyshes, edhe do të mbaj Instagramin.

Vera shprehet se stili i saj të jetesës nuk ndërhyn te pjesa e të qenurit gjyshe, madje e përfshin edhe nipin duke krijuar një ndërthurje mes të dyjave.

Vera Kotorri: Unë madje sa herë marr nipin që kemi dalë, unë është e pamundur mos të hedh foto ose mos të hedh Story. Sado më flasin të gjithë se ta marrin mësysh, se ta bëjnë kështu, gjithsesi unë e vazhdoj atë rutinën time të ditës dhe e shijoj shumë.

Si janë gjyshet në 2023

Rajna Kovaçi: Mamaja ishte më e përparuar se unë, vajza ime e konsideronte shoqe të ngushtë

Gjatë diskutimit në “Shije Shtëpie” në Tv Klan për rolin e gjyshes në rritjen e një fëmije, publicistja Rajna Kovaçi shprehet se ajo vetë e ka ndierë mungesën e kësaj figure. Duke e krahasuar vetem me vajzën e saj, Ramonën e cila është rritur me gjyshen, Rajna cilëson se ndien që disa  copëza te ajo nuk janë të plotësuara.

Rajna Kovaçi: Unë e kam mungesë të madhe që jam rritur pa gjyshen. Nga babai nuk e kam pasur, është larguar nga jeta shumë e re ndërsa mamanë time e kisha të huaj dhe gjyshja ime ishte jashtë. Dhe vajza ime është rritur me mamanë time dhe ka një lloj lidhjeje dhe ka si të thuash, një shtesë të edukatës, të marrëdhënieve të cilën unë nuk e kam sepse e ndiej që është nga mungesa e gjyshes. Pra gjyshja ka një rol shumë të rëndësishëm në kompletimin e figurës së njeriut të ri.

Publicistja shton se nëna e saj, gjyshja e së bijës, ishte shumë më mendjehapur saqë Ramona e konsideronte shoqe të ngushtë.

Rajna Kovaçi: Ajo për shembull ka bërë shumë udhëtime me mamin tim, na krijohej mundësia dhe ishte shumë e lumtur se thoshte unë mund të bisedoj me të gjëra të cilat janë shumë më përparimtare se ç’je ti. Kuptohet ajo ishte e huaj dhe ajo ishte shumë hapa më përpara se unë, megjithëse unë jam munduar që të jem gjithmonë e kohës, pavarësisht nga situata dhe koha që kaluam që nuk na la, na izoloi. Megjithatë kam gjetur dritare, me lexim, me… Mamaja ishte shumë më përpara se unë dhe Ramona e ndiente shumë këtë gjë dhe si të thuash e ka shijuar dhe e ka patur shoqe të ngushtë mamanë time.

Quiz/ Loja telefonike