Të ftuar:

Eva Bubeqi – Spa e Pashait

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Gjellë tigani me mish, speca dhe patate

500 gr mish viçi

2 qepë mesatare

2 karota mesatare

12 domate qershi

2 gjethe dafine

4-5 patate mesatare

3 speca mix

1 lk hudhër pluhur

Kripë dhe piper i zi

1 lç piper i kuq

2 gota ujë të valuar

Vaj

1 lgj gjalpë

2 lgj majdanoz i grirë hollë

Fillimisht në një tigan të thellë shkrijmë gjalpë dhe vaj. Shtojmë mishin të prerë në copa të vogla ose kubikë dhe e kaurdisim deri sa të zverdhet pak. Më pas shtojmë qepën në kubikë dhe e kaurdisim së bashku me mishin për 3 minuta. Shtojmë karotat e prera në bastunë ose kubikë apo gjysmë rrathë. I përziejmë për 2 minuta e më pas shtojmë domatet e prera në gjysma. I përziejmë e më pas shtojmë patatet e prera në kubikë mesatarë, 2 gjethe dafinë e më pas i përziejmë të gjithë përbërësit në tigan dhe shtojmë specat e prera në kubikë mesatarë. Shtojmë kripë, piper të zi, piper të kuq, hudhër pluhur dhe i përziejmë deri sa shohim që marrin valë në lagështirën e domates. Shtojmë 2 gota ujë të valuar ose baras me nivelin e përbërësve në tigan. Vendosim kapakun dhe e lëmë gjellën të gatuhet për 35-40 minuta në temperaturë mesatare. Në fund pasi e fikim e spërkatim me pak majdanoz e më pas gjithçka gati për ta shërbyer.

Një recetë me sfoliatë dhe proshutë, e preferuar për të gjithë familjen

1 petë sfoliatë

200 gr djathë të verdhë mozzarella

150 gr proshutë ose sallam si qëmoti

3-4 kastravecë turshi

2 vezë të ziera 8 minuta

1 vezë për lyerjen e petës

Vendosim petën në një letër pjekje dhe pozicioni i saj duhet të jetë i hapur horizontalisht. Në pozicionin horizontal bëjmë disa prerje 2 cm të gjera dhe 10 cm për së gjati. Bëjmë gati përbërësit. Djathin e grijmë në rende nga ana më e trashë, po ashtu edhe vezët e ziera dhe të ftohta i grijmë në rende. Proshutën ose sallamin si qëmoti e presim në kubikë shumë të vegjël. Po ashtu edhe kastravecët. Në mes të petës, mbi prerjet që bëmë vendosim horizontalisht gjysmën e djathit të grirë duke lënë hapësirë bosh në petë. Për ti mbuluar ato. Mbi djathë shpërndajmë proshutën në kubikë e mbi to vendosim kastravecët në kubikë të cilat i mbulojmë me vezë të grirë e së fundmi me djathin e mbetur. Shiritat e prerë i bëjmë një të kthyer nga e majta. Rrahim një vezë të plotë dhe lyejmë me vezë hapësirën midis mbushjes dhe shiritave të prerë. Me ndihmën e letrës palosim mbushjen në një role duke e fiksuar mirë e më pas e lyejmë rolenë me të verdhë veze.

Kalojmë shiritat e prerë mbi rolenë e lyer me vezë duke i futur nga poshtë fundine shiritave. Në fund i japim formë rrethore rolesë duke e dekoruar si një kurorë. Lyejmë në fund edhe shiritat me vezë dhe vendosim kurorën në tepsi e më pas në furrë në temperaturë 180 gradë për 25 minuta. E shërbejmë duke mbushur mesin e kurorës me rukola dhe parmixhanë.

“Spa e Pashait”, ambienti i cili si kryefjalë ka relaksin dhe komoditetin

Përfitimet e trajtimit “ASMR e kokës”, procedura ekskluzive në “Spa e Pashait”