Të ftuar:

Flutura Açka – shkrimtare

Vera Laçi – këngëtare

Reina Mulita – eksperte energjie

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Lakror me miell misri dhe spinaq

Brumi:

4 filxhan çaj miell misri

2 filxhan çaj ujë të nxehtë

1/2 filxhan çaj vaj ulliri

Kripë

Mbushja:

3-4 qepë të njoma

800 gr spinaq

Majdanoz + kopër + nenexhik

250 gr gjizë ose djath

Arrë moskat

2 vezë

Pak qumësht

Bashkojmë përbërësit e brumit në një tas, i punojmë mirë me dorë dhe pasi të kemi lyer tepsinë me vaj shtojmë brumin dhe e nivelojmë me dorë në të gjithë sipërfaqen. Ndërkohë në një tigan me 3 lugë gjellë vaj kaurdisim qepën të prerë në unaza. Shtojmë spinaqin të pastruar dhe të larë, të grirë hollë. Vendosim kapakun dhe e lëmë për 5 min duke e kontrolluar atë herë pas herë sa t’i bjerë volumi.

Largojmë tiganin nga zjarri, shtojmë gjizën ose djathin, vezët, erëzat dhe i përziejmë mirë. Shtojmë pak qumësht, shtojmë mbi bazë spinaqin. E nivelojmë e më pas pudrosim sipërfaqen me miell duke e lagur sipërfaqen me qumësht. E pjekim në temperaturën 200 gradë për 35-40 minuta.

Kajmaçin në racione individuale

8 vezë

6-8 lugë gjelle sheqer

1 litër qumësht

Fillimisht rrahim vezët në një tas, përziejme vezët. Shtojmë sheqerin dhe vazhdojmë përzierjen derisa sheqeri të shkrijë. Pak nga pak shtojmë qumështin e vakur derisa përberësit të trazohen së bashku. Kur i ndajmë në procione i vendosim në tasa, ku shtojmë ujë të nxehtë në gjysmën e nivelit të tasit.

I fusim më pas në furrë në temperaturën në 190-200 gradë. Fillimisht të mbuluara 10 minuta me letër alumini. Më pas largojmë letrën dhe i lëmë për 20-25 minuta derisa të marrin një ngjyrë të artë. I nxjerrim dhe i lëmë të ftohen, gati për t’i konsumuar.

Si të përballojmë largimin nga jeta të një personi të dashur

Përjetimi i humbjes së djalit, Flutura Açka: Prej 5 vitesh asgjë nuk më bën të ndiej, jam qenie robotike

5 vite më parë, Flutura Açka humbi djalin e saj të vetëm në moshën 18-vjeçare. Në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo thotë se humbja e fëmijës të bën të humbësh një dimension që nuk arrin ta shpjegosh. Shkrimtarja shprehet se nuk e di nëse procesi  i sëmundjes dhe parapërgatitja në një farë mënyre ishte për më mirë, por tani ndien se është vetëm një qenie robotike që kryen të gjitha funksionet, por nuk ka shqisa.

Flutura Açka:Ne kemi humbur dimensionin e mesëm, ne kemi humbur dimensionin e të ardhmes, të  paktën unë kështu e kam konceptuar. Jam një qenie robotike, më shumë në kufijtë e biologjikes, kam vetëm një koshiencë minimale si artiste që duhet të bëj atë, e them kështu në thonjëza, fëmijën e dytë që të paktën mund ta zotëroj, që është letërsia dhe e kam kuptuar në gjithë këtë kohë, në këto 5 vite që asgjë më nuk më bën të shkundur, asgjë nuk më bën më të ndiej, asgjë…

Kam humbur senset, një njeri i ndjeshëm, duhet të jesh shkrimtare, duhet të jesh artiste të kuptosh, po flasim për një tjetër lloj ndjeshmërie që ta jep pikërisht kjo lloj zeje dhe e kam humbur, por e kuptoj që i vetmi moment kur mund të ketë ndonjë dromcë lumturi, nëse mund të quhet lumturi, është kur shkruaj. Po ruaj këtë dimensionin minimal të jetës time, të tjerat pastaj…  me keqardhje takoj njerëz çdo ditë, flasin, sigurisht edhe nga pikëpamja mentale, jam e detyruar ta kem këtë aftësi të komunikimit, e kam të paktën këtë derë komunikative, por nuk u them dot njerëzve që janë përballë që nuk ndiej asgjë, edhe sikur të më thonë që ndoshta mund të kenë humbur fëmijën e tyre, unë nuk e ndiej dot më. Kam keqardhje të madhe për ta, nuk e kam më atë ndjeshmëri.

Katerina Trungu: Je e ftohtë emocionalisht ndaj gjithçkaje?

Flutura Açka:Jo, jam shndërruar tërësisht, jam një qenie pa ndjesira, edhe sikur të më qukësh lëkurën nuk e ndiej më, kështu është.

“Djali po më mësonte të jetoja pa të”, Flutura Açka: Nuk e kam ndarë zinë me askënd

Periudha e kaluar me të birin përpara se ai të ndahej nga jeta ishte një parapërgatitje për Flutura  Açkën për atë çfarë do të pasonte. Në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ajo shprehet se shpresa nuk iu shua kurrë, por  ndërkohë kishte nisur të mësohej ndërsa ishte edhe vetë i biri që i përcillte këtë mendim.

Flutura Açka: Fillon njeriu dhe mësohet, fillon dhe mësohet ngadalë sidomos kur ke një, të paktën siç ishte në rastin e djalit tim, që kisha kohë të bollshme të flisja, të komunikoja. Ishte një shkollë më vete në sensin për të kuptuar që ka njeriu nevojë edhe të kujtojë.

Unë po përgatitesha me çastin pas asaj që do të ndodhte, kishim filluar të mësoheshim me këtë gjë dhe djali po përpiqej të më mësonte mua që ka një jetë pas kësaj, një jetë që ka lidhje me qëndresën, mënyrën se si do ta përballosh humbjen, a do të ndalësh aty dhe kushti i vetëm ishte që ta provoja dashurinë për të, ta provoja pikërisht atë ditë që do të ndaheshim.

Flutura shton se po jep provën e dashurisë, duke nënkuptuar një jetë pa djalin e saj. Ajo shpjegon se secili ka mënyrën e tij për të vajtuar e mbajtur zi, por e saja ishte shkëputja dhe vuajtja në vetmi e humbjes së djalit.

Flutura Açka: Unë di që po them, kam patur një lloj, s’po them këmbëngulje, por një lloj nevoje ta përjetoja zinë deri në fund dhe jam shkpëutur shumë nga të gjitha rutinat që na rrethojnë, ritualet që kanë të bëjnë me përcjelljen, me funeralet, me  gjërat… i kam ndenjur larg të gjithave, kam dashur ta kuptoj vetë çfarë më ka ndodhur.

S’di, ndoshta kjo mund të më ketë bërë dhe keq se nuk e kam ndarë zinë time, mund të më ketë bërë keq dhe fizikisht, nuk e di, por kështu ka ndodhur me mua, ka qenë një gjë e vendosur. Ndoshta ishte kjo thirrja e brendshme për të marrë një peshë ndoshta më të madhe se ç’duhet ta mbajë njeriu në ato momente, ndoshta kisha nevojë ta shkruaja.

Katerina Trungu: Nuk e ke ndarë vërtet me asnjeri? Gjithçka në letër?

Flutura Açka:Nuk e kam ditur këtë gjë, kjo ka ndodhur në mënyrë të pavetëdijshme tek unë, ndoshta ka qenë kjo nevoja për të marrë atë peshë të nevojshme që të më ulë të shkruaja se ndyrshe nuk do kisha shkruar dot. Po të mos e kisha shkruar këtë libër, mendoj se nuk do të kisha vazhduar të shkruaja më.

Historitë tronditëse të nënave që humbën djemtë e tyre të vetëm

Rrëfimi i këngëtares Vera Laçi: Si e parandjeu im bir vdekjen e tij

Flutura Açka dhe Vera Laçi janë dy nëna që ndajnë një dhimbje të përbashkët, humbjen e djalit të vetëm. Vuajtja e tyre ngjason, por historitë që rrëfehen në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, janë të ndryshme.

Në dallim nga shkrimtarja që pati kohën t’i thoshte lamtumirë të birit, këngëtarja e humbi 10 vite më parë nga një aksident fatal që nuk ia dha këtë mundësi. Tre ditë më herët ajo sapo kishte mbyllur me sukses një koncert recital, por kishte një parandjenjë të çuditshme që s’e lejonte të ishte e lumtur.

Vera Laçi: Unë kam qenë në shtëpi, akoma s’e kisha marrë veten nga ai koncert se faktikisht ndjehen disa gjëra. Nuk isha e lumtur fare për atë koncert edhe pse kishin sjellë lule në shtëpi, shtëpia ishte shumë bukur, i kishte rënë një nur i keq shtëpisë që më bënte përshtypje, ç’është kjo?

Ermelinda Ndoja: E kishe vetëm ti këtë ndjesi apo bashkëshorti, djali?

Vera Laçi: Unë. Nuk e shpërndaja dot me të tjerët dhe thosha pse unë, pse nuk jam mirë, pse më duket shtëpia zi ndërkohë që më ishte dukur shumë herë më mirë ditët e tjera, ishte ky problem.

Ermelinda Ndoja: Dhe kishe një rast për të gëzuar siç ishte koncerti.

Vera Laçi: Fare, në mënyrë absolute. Dhe djali im qëllon te ish e fejuara dhe e thërret një shok për   të pirë një kafe, ishte ora 9 e darkës, më 19  Prill ka ndodhur. Domethënë në mes të rrugës, pa ardhur te shtëpia jonë në “Ali Dem”, një aksident me 40 km/h ka qenë, ashtu me ekspertizë siç e kanë… por që nuk duhet të kishte ndodhur. Nuk e di, janë ca gjëra që…

Katerina Trungu: Me shpejtësi aq të ulët?

Vera Laçi: Aq të ulët. Do të them edhe diçka. Djali im e parandiente diçka  të tillë. Nuk e di pse, “jo kam  parë një ëndërr”, më tha përpara, i kam thënë një polici që…ishte djalë çapkën, ecte me makinë edhe… tha, “sonte më ndali një polic. Edhe i thashë unë, duke pasur parasysh që gjithmonë i flisja që duhet të jeni të sjellshëm, duhet të jeni kështu e ashtu, si çdo nënë dhe ma tha kështu, nuk e harroj asnjëherë atë fytyrë dhe i thashë që “shihmë për herë të fundit se s’do më shohësh më”. Pse?, i thashë, e the këtë. “E thashë”.

Janë të ndryshme dhimbjet, të ndryshme ndarjet. Pastaj, mendo, pak orë para se djali im të ndahej nga jeta, poston në Facebook një këngë baladë timen që unë e kam kënduar shumë e re dhe ashtu siç e nisa në fakt, me baladë, ashtu më shkoi dhe mua më bëri përshtypje domethënë, isha në ujërat, pse. I shkruaj ish të fejuarës së djalit tim, i them pse Deni e ka postuar këtë këngë, pse pikërisht këtë këngë? Më digjte ajo pjesë dhe pas 5 orësh ndodhi aksidenti.

Flutura Açka: Unë ia kam zgjatur tim biri jetën, nga 18 vjetët tani është 23 duke jetuar me të çdo ditë

Në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Flutura Açka rrëfen mënyrën si mban zi për humbjen e djalit të saj 5 vite më parë. Shkrimtarja tregon se i pëlqen të bëjë gjithçka që bënte me të si shfletimi i librit të tij të preferuar apo restorantit të parapëlqyer, por tani edhe këtë nuk e bën më.

Ajo rithekson se e ka humbur dimensionin e së ardhmes, dëshirën për t’u marrë me veten ndonëse ana sociale vijon t’i funksionojë automatikisht. Për të, gjëja më e rëndësishme është të kujtojë dhe kjo është forca e saj.

Shkrimtarja nuk percepton jetën e përtejme që mendohet se ekziston si “atje”, por “këtu”.

Flutura Açka: Unë ia kam zgjatur tim biri jetën, nga 18 vjetët tani është 23 duke jetuar me të çdo ditë. Domethënë është këtu, nuk është atje, është këtu.

Katerina Trungu: Flutura, është shumë personale, por mendoj… a nuk është sikur mbeteni peng në njëfarë mënyre?

Flutura Açka: Po, por është pengu më i rëndësishëm i jetës time. Por s’ka asgjë të keqe se unë ju thashë, atë pjesën e automatit unë e vazhdoj në perfeksion, po them në sensin që kam shkruar libra, i kam bërë të gjitha, askush nuk mund të gjykojë që unë i kam braktisur. Ajo pjesë që ka të bëjë me perceptimin dhe të qenurit qenie shoqërore unë e kam bërë, por vetëm gjysma të cilën unë e kam shitur.

Gjysmën tjetër e kam shumë personale, kështu më ka ndodhur mua. Kjo pjesë shumë personale, që mund të jetë edhe zi e përjetshme, kam përshtypjen që ka qenë si puna e asaj mbështetëses për pjesën tjetër kështu që nuk do ta kisha bërë. Kështu që kam atë gjysmë të zisë që e kam ruajtur për vete që të më mbajë atë gjysmën shoqërore për të tjerët.

Flutura shton se ka momente që i duket se e ka pranë dhe komunikon me të birin në forma të ndryshme që i sjellin copëza lumturie.

Flutura Açka: Ndonjëherë mua më duket sikur më vjen mesazh prej djalit në telefon. Unë e di që është një ndjesi e imja shumë e fuqishme që është e kërkimit që bëj unë, por vetëm ta përjetoj këtë çast. Për shembull ka ditë që unë do takohem me një djalë të ri, kam një kafe me një gazetar të ri ose që pak a shumë është në moshën e tim biri, ose kam dikë që i pëlqejnë librat dhe do të komunikojë, në moshën e tim biri. Atë ditë unë jam shumë e gëzuar se më duket sikur po takoj tim bir.

Unë e shoh dhe në televizor, dhe në rrugë, shoh njerëz që i ngjajnë profilit të tim biri, me syze, me atë mjekrën ashtu. Unë e përjetoj sikur kam parë tim bir, kështu më ndodhi. Por nuk është pak, janë lumturi të vogla, copa të vogla që më bëjnë të rri në këmbë.

Çfarë ndodh me shpirtin e njeriut pasi largohet nga jeta

Këngëtarja Vera Laçi tregon mes lotësh e dhimbjes momentet kur i është dukur se ka patur shenja nga djali i saj i ndjerë. Ajo kujton në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se 10 vite më parë, gjatë periudhës që i duhej  të priste ngushëllimet, ka patur një bisedë me të birin. Më pas ajo rrëfen episode si ëndrrat apo çaste kur ka menduar se Deni ka qenë aty.

Vera Laçi: Mua më është dashur të pres në shtëpi për një vit dhe për më shumë se një vit, shumë njerëz dhe me dhimbje e them që duhet të bëja edhe atë nusërimin për të pritur e përcjellë njerëz.

Ermelinda Ndoja: Të tregohesh e fortë para njerëzve.

Vera Laçi: Po. Ka patur një moment që jam futur në banjë dhe kam qarë pafund dhe më është dukur sikur ka lëvizur në banjë diçka dhe jam kthyer e kam folur me të. Kam fshirë lotët, kam marrë forca dhe jam futur brenda.

Ka pasur një moment të dytë që isha në dhomën time, isha shtrirë dhe ashtu e mërzitur me bashkëshortin tim po flisja dhe po qaja. Ka kërcitur dritarja që… më thotë bashkëshorti “mos moj Vera se Deni”.

Unë në ëndërr e kam parë të mërzitur, gjithmonë shumë të mërzitur dhe e shoh prapë si një fëmijë që e kërkoj, e kërkoj  pafund dhe nuk e gjej. E kërkoj që më ka ikur, vrapoj ta gjej ku është, ma sillni. Këto janë ato… sidomos të fëmijërisë, kur ka qenë më i vgoël se sa i rritur, pastaj edhe më të madh… është çudi, e kam parë në mes të ujit, kur thonë që mos qani shumë sepse ndodh kështu e ashtu.