“Grupet kriminale me lidhje në Europë për trafikun e drogës”

Raporti për vitin 2019 i Shërbimit Informativ Shtetëror rendit një sërë problematikash në Shqipëri, ku theksi vihet te korrupsioni, krimi organizuar, ekonomia dhe terrorizmi.

SHISH raporton se korrupsioni është ende i shpërndarë në administratën publike dhe në sistemin e drejtësisë. Në raport theksohet se në sistemin e drejtësisë po tregohet kujdes duke mos u ekspozuar. Inteligjenca shqiptare zbulon se proceset gjyqësore po zvarriten apo jepet dënimi maksimal, për të treguar performancë në vetting.

“Elementë të sistemit të drejtësisë shfaqin kujdes të shtuar për të shmangur ekspozimin dhe lidhjet me elementë të besuar me akses direkt në vetting, si dhe dëshirë për të dëshmuar performancë në proceset gjyqësore të drejtuara prej tyre, përmes formulimit të akuzave, zvarritjes së procedurave apo dhënies së vendimeve maksimale të parashikuara në ligj”.

Problem mbetet dhe krimi organizuar në vendin tonë, ku sipas Shërbimit Informativ ka kërkesë të lartë për kanabis. Grupet kriminale, sipas Shërbimit Informativ, janë të lidhura me Europën Qendrore për transportin e kokainës dhe heroinës.

SHISH vëren se në Shqipëri nuk ka akte terroriste, por veçon historinë se si u zbulua terroristi Rus Rasul Mislaev. Ai ndërpreu komunikimin kur oficerët i folën arabisht dhe më pas lindën dyshimet për një person me rrezikshmëri të lartë. Problem sipas Shërbimit Informativ mbeten edhe krimet në ekonomi dhe sulmet kibernetike.

Tv Klan