Rusia ka shtuar tentativat për të rritur influencën e saj në Shqipëri gjatë vitit 2018. Të dhënat mbi përpjekjet e Moskës janë paraqitur në një seancë me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë, nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Ai i njohu deputetët me raportin sekret analitik për vitin 2018.

Burime të Televizionit Klan thonë se çështja e influencës ruse zuri pjesën më të madhe të diskutimeve, pas leximit të raportit.

Tv Klan mësoi se deputetët e mazhorancës e kanë pyetur kreun e Shërbimit Informativ nëse është shtrirë deri në nivelet e larta të politikës ndikimi rus, por përgjigjia e Bendos ka qenë negative. Ai është shprehur se SHISH nuk ka informacione të tilla. Pak ditë më parë vetë Kryeministri Rama nuk përjashtoni mundësinë që vende të cilat nuk e duan të ardhmen evropiane të Shqipërisë të nxisin destabilitetin në vendin tonë. Sipas tij nuk është një sekret që Rusia nuk e pëlqen Europën e madhe dhe nuk do të ishte surprizë që ajo të pengonte anëtarësimin e Shqipërisë.

Mbi përpjekjet e Rusisë për të shtuar influencën në Ballkan kanë folur me shqetësim javët e fundit edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komandanti i Forcave Amerikane në Evropë, Curtis Scaparrotti, tha gjatë një raportimi në Senat se Rusia ushqen paqëndrueshmërinë rajonale në përpjekje për të parandaluar vendet e Ballkanit në përparimin e tyre drejt integrimit euroatlantik.

Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk deklaroi se ka fuqi të jashtme anti-europiane që po kërkojnë të ndërhyjnë në mënyrë sekrete apo të hapur në zgjedhjet e europianëve, duke nënkuptuar veprimet e Rusisë.

Më i drejtëpërdrejtë ishte ambasadori amerikan në Athinë Jeffrey Paiat, i cili tha se Shtetet e Bashkuara kanë prova të përpjekjeve ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme në vendin fqinj.

Tv Klan