Shoqërohen disa persona, Idrizi: Ky është turp i policisë shqiptare

Protesta e PDIU dhe shoqërisë Çamëria kundër vizitës së Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, u shoqërua me tensione. Pas Ministrisë së Jashtme, protestuesit iu drejtuan godinës së Kryeministrisë. Por ata u përballën me policinë e cila kishte rrethuar zonën.

E përballë kordonit policor teksa ecte me protestuesit, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi në shenjë proteste vrapoi me një shishe uji në dorë, duke e hedhur atë në drejtim të furgonit të policisë të vendosur në rrugë. Pas këtij momenti mes protestuesve dhe efektivëve pati përplasje fizike.

Tensionet çuan në shoqërimin e disa personave, ndërsa kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, iu drejtua policisë me tone të ashpra.

“Më ka qëlluar që të jem në shumë protesta, por kjo është protesta ku policia shqiptare është sjellë në mënyrën më të poshtër të mundshme, me terror, pa asnjë lloj ndjenje njerëzore. Janë arrestuar 24 shqiptarë të Çamërisë, që kishin ardhur bashkë me baballarët e tyre për të protestuar për Ministrin e Jashtëm grek., E patë gjatë gjithë kohës një shtet policor. Është arrestuar Bojken Abazi, drejtuesi i VV që në fillim, bashkë me shumë aktivistë të tjerë të shoqërisë civile. Dhe sigurisht që ky terror që nuk mund të kalojë. Jo vetëm që ne do të marrim të gjithë hapat ligjore, por po ju them: I jam drejtuar disa herë policisë duke iu thënë ju jeni policia shqiptare, ju jeni vëllezërit tanë. Nuk kemi ardhur këtu për ju, kemi ardhur për Ministrin e Jashtëm grek. Por disa herë u jam drejtuar edhe për shqiponjën që mbajnë në ballë. Atë shqiponjën të mos e tregojnë me ne shqiptarët e Çamërisë se është turp i tyre. Ne nuk kemi ardhur të tregojmë forcën me ta, as me Edi Ramën që drejton e bën për vete mitingje, kurse qytetarët e Çamërisë nuk duhet të protestojnë për 12 milje, nuk duhet të protestojnë për çështjen çame, apo ligjin luftës. Ky është një turp i policisë shqiptare. Jam drejtuar duke kërkuar edhe ndjesë nëse dikush nga ne i ka shtyrë. Tani po i them publikisht, në emër të këtyre 24 vetëve, do t’i mbajmë mend emër për emër, fytyrë për fytyrë të gjithë ata që kanë kaluar ligjin”, tha Shpëtim Idrizi.

Zyrtarisht, Policia e Tiranës njoftoi se 18 persona janë proceduar penalisht, 3 prej tyre organizatorë të këtij tubimi. Policia tha se protesta zhvillohej në kundërshtim me masat antiCovid. Gjithashtu u ndëshkuan me gjobë të gjithë ata persona që nuk kishin vendosur maskë mbrojtëse. /tvklan.al