U sekuestrohet 1 kilogram kokainë në banesën e tyre në Shijak

Dy vëllezër u arrestuan nga policia e Durrësit pasi dyshohet se shisnin drogëra të fortë në afërsi të shkollave. Ndalimi i tyre u bë në banesën private në fshatin Pjezë, siç duket në këto pamje. Ata janë Ndriçim dhe Indrit Balla të moshës 45 dhe 41-vjeç, të cilëve iu sekuestrua 1 kilogramë e 50 gramë kokainë.

Sipas policisë, veprimtaria kriminale e dy vëllezërve kryhej në afërsi të shkollave, por edhe në ambiente të tjera, përfshirë edhe lokalet e natës në qytetin e Durrësit. Gjatë operacionit të koduar “Pjeza” policia sekuestroi edhe 2 peshore elektronike, që dy vëllezërit i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, dy automjete dhe 4 celularë.

Për operacionin e policisë së Durrësit reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në një reagim ministri shkruan se gjatë 24 orëve janë arrestuar 37 persona në 12 qarqet e vendit. Përveç trafikimit dhe shitjes së drogës, bëhet fjalë edhe për sekuestrimin e armëve të zjarrit, municionit luftarak apo armëve të ftohta.

Gjithashtu janë zbardhur disa vjedhje me dhunë, por janë arrestuar edhe persona të shpallur në kërkim.

Klan News