Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Mix”, është arrestuar 56-vjeçari me iniciale R.K., banues në fshatin Boboshticë të Korçës.

Policia njofton se nga kontrollet e ushtruara në lokalin e të arrestuarit, u konstatua se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe shitje heroine dhe kokaine në doza. Gjithashtu, ky ambient ishte përshtatur për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në ambientet e lokalit u kap duke blerë doza kokaine, 20-vjeçari me iniciale M. N., banues në Korçë, ndaj të cilit filloi procedimi në gjendje të lirë.

Më tej, nga kontrollet në banesën e 56-vjeçarit dhe në atë të prindërve të tij, shërbimet gjetën sasi të tjera heroine dhe kokaine, 2 krehëra armë zjarri dhe 160 000 Euro të dyshuara me burim veprimtaritë kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: sasi lëndësh narkotike heroinë dhe kokainë, një peshore elektronike, municioni luftarak, 1 shkop bejsbolli, shuma e eurove, një laptop, valixhe me çipsa, si dhe automjeti dhe celulari i të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al