Gjykata e posaçme dënoi Denis Xholi dhe Abjon Çeku, për krime zgjedhore 

Denis Xholi dhe Abjon Çeku, dy të rinjtë që u arrestuan disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit në Dibër, janë dënuar nga gjykata e posaçme. Togat e zeza i kanë dënuar me 18 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ata janë dënuar me 1 vit heqje lirie. 

SPAK njofton zyrtarisht se pas analizimit të të dhënave dhe provave kanë rezultuar se Xholi dhe Çeku në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë shpërndarë në njësinë administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit nga qytetarët, në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Në bazë të hetimit ka rezultuar se Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore. Ata akuzohen për vraprat penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Fjalën e fundit për këtë dosje do ta thotë gjykata.

Denis Xholi dhe Abjon Çeku u ndaluan duke lëvizur me makinë në zonën  e Maqellarës nga simpatizantë të opozitës më 2 Prill, të cilët më pas lajmëruan policinë. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin të dy u gjet një sasi prej rreth 5 milionë lekë, fletë të ngjashme me ato të votimit dhe fletë palosje të një subjekti politik.

Klan News