Shqiptarët kanë konsumuar më pak këtë vit për tryezën e Vitit të Ri. Çmimet e ngritura kanë trembur blerësit, të cilët kanë qenë më të pakët.

Fenomeni i përvitshëm i çmimeve të kripura gjatë festave nuk kontrollohet nga asnjë institucion shtetëror.

Vetë Ministria e Bujqësisë konfirmon se 87% e perimeve dhe thuajse të gjithë frutat kanë pësuar rritje të çmimit gjatë kësaj jave, po as ky institucion dhe as organet tatimore nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të mbajtur nën kontroll dëshirat për fitimet e tregtarëve.

“Janë rritur, sigurisht që janë rritur.”

Gazetari: Çfarë, çfarë është rritur? Çfarë keni vënë re ju?

“Po mollët, portokallet, mandarinat, të gjitha të rritura janë.”

Gazetari: Sa kanë qenë afërisht?

“Po kanë qenë me 1 mijë, 120, janë bërë me 150 të tëra.”

Gazetari: Do e mbushni tavolinën e Vitit të Ri këtë vit?

“Ishin rrit pak, ishin rrit.”

Gazetari: Për shembull çfarë bleve ti?

“Mora ca mandarina, ca mollë, ca portokalla.”

Gazetari: Sa ishin?

“Po 100 lekë, ka që kanë qenë 80, 100.”

Përveç abuzimeve të tregtarëve të shumicës edhe shitësit me pakicë kanë abuzuar me çmimet duke i dy apo trefishuar ato.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në tregun e shumicës 1 kilogram mollë kushton 45 lekë dhe është shitur 150 lekë, 1 kilogram me portokall shitet 50 lekë dhe me pakicë 150 lekë. Rrushi nga 150 lekë është shitur me 250 lekë dhe sallata jeshile nga 60 lekë me pakicë shitet 150 lekë.

Vetëm javën e fundit për shumë fruta rritja e çmimit ka qenë nga 30% deri në 50%, rritje e cila sipas parashikimeve do të kulmojë nesër në ditën e ndërrimit të viteve./tvklan.al