Qeveria meksikane ka shitur me ankand një vilë të një prej bosëve më të mëdhenj të drogës. Bëhet fjalë për shtëpinë e Amado Carrillo Fuentes, i cili njihej ndryshe si “Zoti i Qiejve”. Ai vdiq në 1997 pas disa operacioneve plastike.

Këtë emër, Carrillo Fuentes e fitoi pasi trafikoi sasi të mëdha droge me avion. Qeveria meksikane e shiti banesën për 1.6 milionë Paund dhe këto para do të shkojnë për luftën ndaj koronavirusit.

Meksika ka një institucion të quajtur Indep me anë të cilit shet të gjitha gjërat që i sekuestrohen krimit për t’’ia kthyer popullit. Përveç banesës së “Zotit të Qiejve” në ankand u vunë shumë gjëra të tjera mes të cilave 70 makina, 5 avionë, 5 shtëpi të tjera dhe 100 bizhuteri të shtrenjta.

Amado Carillo Fuentes ishte një prej bosëve më të mëdhenj të drogës në vitet 1980-1990 në Meksikë. Ai lindi në Sinaloa dhe ishte nipi i një prej themeluesve të kartelit të Guadalajara-s.

Ai mësoi të pilotonte avionë dhe këto njohuri e bënë një prej trafikuesve më të mirë të biznesit të jashtëligjshëm të drogës. Pas vdekjes së bosit të tij, Rafael Aguilar Guajardo, ai mori drejtimin e kartelit Juarez.

Fuentes qëndroi larg syrit të publikut dhe u fotografua rrallë. Në 1997-n, ai u përpoq të ndryshonte pamjen me anë të kirurgjive plastike, por humbi jetën./tvklan.al