VuljanicPyetje: Dy nga shqetësimet kryesore që janë ngritur nga deputetët e opozitës në Parlamentin Europian lidhen me shkarkimet në administratën publike dhe emërimet në policinë e shtetit. Ç’mendoni për këtë ?

Nikola Vuljaniç, Eurodeputet

Ata më kanë folur për çështjen e administratës publike. Ligji për nëpunësin civil duhet të kishte hyrë në fuqi vitin e  shkuar dhe kjo nuk u realizua, pasi ishin të nevojshme disa akte nënligjore. Qeveria tha, që kjo çështje do zgjidhej për disa muaj dhe ata nuk e bënë këtë gjë. Për një çështje kaq të rëndësishme, nuk mund të thuash që nuk e ke kryer dot, se ke patur disa probleme. Dakort që ka patur problem, por kjo duhej bërë. Unë i kërkoj vërtet qeverisë që ta kryejë menjëherë. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët , por edhe për vetë imazhin e Shqipërisë si një vend i zoti për të përmbushur premtimet e dhëna. Kjo duhet bërë! Popullsia e Shqipërisë është 2 milion e gjysëm. Janë shpenzuar 40 milion euro për përgatitjen dhe trajnimin e administratës publike apo të tjera. Ju i keni këta espertë tashmë. Ti heqësh ata nga puna pa arsye, do të thotë të hedhësh paratë nga dritarja. E di që një pjesë e tyre kanë bërë pjesë, ose s’kanë bërë pjesë, ose kanë qenë simpatizantë të një force politike. Por ajo që është e rëndësishme është se ata janë ekspertë. Pse mos të përdoren këta persona, në një situatë kur nuk ka njerëz të kualifikuar për punën që kërkohet? Sido që ta rrotulloni çështjen, del që ju nuk keni para dhe ju nuk keni kohë. Koha po fluturon. Është vërtet për të ardhur keq që të  harxhohet koha në konflikte të tilla. Në këtë aspekt, unë jam tërësisht dakort me deputetët e opozitës. Nga ana tjetër, komisioni për kontrollin e aseteve të zyrtarëve të lartë duhet të jetë në dorën e opozitës. Që në përkufizim, duhet të jetë në dorën e opozitës, pasi kur flasim për luftën ndaj korrupsionit, flasim për korrupsionin në pushtet dhe jo në opozitë. Opozita është aty për të monitoruar.

Pyetje: Tjetra çështje e rëndësishme për qytetarët shqiptarë ka të bëjë me sigurinë në vend. Shtete anëtare si Greqia dhe Italia kanë shprehur shqetësim për sigurinë. Madje edhe Ambasadori amerikan tha publikisht që e ka mësuar fjalën tritol në Shqipëri, që reflekton gjithashtu një shqetësim për sigurinë. Ç’mendoni ju për këtë çështje ?

Nikola Vuljaniç: “Unë e njoh fjalën tritol. Ne e kemi përdorur tritolin në Kroaci gjatë luftës dhe ai është përdorur edhe nga mafia jonë më parë. Siguria është shumë e rëndësishme, sidomos në një vend që ka një imazh jo të mirë për aktivitetin e drogës dhe trafiqet. Punonjësit e policisë në këtë rast duhet të jenë vërtet kompetentë. Nuk mund të  ketë siguri në vend në bazë amatoreske. Postet në polici nuk mund të mbahen nga amatorë dhe sidomos nga njerëz që kanë qenë të përfshirë në aktivitete kriminale”.

Pyetje: Duke parë përmasat që po merr çështja e Ukrainës dhe shqetësimet lidhur me disa çështje të reformave europiane në vend, jeni optimist për statusin?

Nikola Vuljaniç: Unë do të luftoj që statusi i kandidatit të Shqipërisë të jepet në qershor.  Unë jam optimist për statusin. Por ajo që kërkoj nga qeveria shqiptare është: Na ndihmoni t’ju ndihmojmë. Unë dua ta ndihmoj vendin dhe jam i sigurtë që edhe komisioneri Fule do të ndihmojë vendin. Shumë nga ne duam t’ju ndihmojmë. Por ne kemi disa shtete anëtare që kanë një tjetër opinion. Dhe ne duhet të bindim ata.