Janë rreth 50 deputetë që kanë dorëzuar tek kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha gjatë një konference për shtyp se kërkesa lidhet me vlerësimin se Meta përpara dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Kërkesa plotëson kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi”, tha Balla.

Tashmë kjo kërkesë do t’i kalojë Komisionit të Ligjeve dhe ajo do të shprehet nëse i plotëson kërkesat ligjore për të ngritur me vonë një Komision Hetimor. Edhe pse më 25 Prill u zgjodhën deputetët e rinj të cilët do ta marrin detyrën në Shtator, Taulant Balla tha se deri atëherë, legjislatura aktuale ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e saj.

“Besoj që Kuvendi e ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri në datën 8 Korrik që është data e fundit e mbledhjes së këtij Kuvendi. Në këtë këndvështrim nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër përpara se Komisioni i Ligjeve ta shqyrtojë kërkesën. Nuk dua që të ndërhyj aspak në mandatin që ka Komisioni i Ligjeve. Besoj se në dokumentin shumë të plotë që kemi paraqitur janë të gjitha provat e nevojshme dhe të domosdoshme që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por janë provat e nevojshme për të iniciuar shkarkimin e Presidentit”, tha Balla.

“Besoj që Kuvendi po bën gjënë e duhur në kushtet që një President nuk po ushtron detyrën e Presidentit të Republikës. Presidenti nuk e ka ushtruar këtë mandat sipas detyrime kushtetuese”, shtoi më tej ai.

Kryetari i grupit parlamentar socialist u pyet edhe për ligjin për mediat, ku tha se nuk do të zhvillohet asnjë hap pa opinionet e Komisionit të Venecias.

“Nuk do të zhvillojmë asnjë hap pa këtë komunikim dhe opinionet e vyera të ‘Venecias’”./tvklan.al