Procedura e nisur nga mazhoranca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka shkaktuar sërish debat në Komisionin e Ligjeve.

Socialistët flasin për antikushtetutshmëri, ndërsa deputetët e opozitës parlamentare ndonëse deklarojnë votën pro shkarkimit të Presidentit, e cilësojnë nismën e mazhorancës lojë politike.

Bashkim Fino: Presidenti ka marrë një copë letre dhe i ka vënë emrin dekret.

Ralf Gjoni: Është i nxituar vendimi për të shkarkuar Presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin. Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike.

Spartak Braho: Dekreti i Presidentit nuk është llastik për të mbathura që hapet e mbyllet sa herë duam ne.

Ralf Gjoni: Kontrollo gjuhën se s’jemi në kohën e prokurorisë së diktaturës.

Edhe në këtë mbledhje, institucioni i Presidencës refuzoi të ishte i pranishëm, duke vijuar korrespondencën e shkresave në adresë të Parlamentit. Për socialistët gjuha e përdorur nga institucini i Presidentit do të duhet të jetë objekt i hetimit nga Parlamenti.

Shumica vendosi që të mërkurën të bëhet votimi i raportit të Komisionit të Ligjeve, i cili do t’i kalojë për votim seancës plenare, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Meta.

Tv Klan