Ka 30 ditë kohë për t’u shprehur

Pas 3 seancash argumente e kundërargumente nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të Presidentit, Gjykata Kushtetuese e mbylli këtë të hënë procesin e shqyrtimit dhe brenda 30 ditësh do të shprehet lidhur me kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e kreut te shtetit.

Përfaqësuesi i Presidentit i cili mori 72 orë kohë për t’u përgjigjur 72 pyetjeve të gjykatës, nuk i lexoi përpara 7 anëtarëve të Kushtetueses  parashtrimet e tij, por zgjodhi t’i dorëzojë vetëm me shkrim. Gjithsesi në argumentet e përmbledhura këshilltari ligjor Dervishaj pretendon se Kuvendi ka kryer një sërë shkeljesh duke nisur nga mosthirrja e kreut të shtetit për t’u dëgjuar nga Komisioni i Ligjeve, e më pas sipas tij duke falsifikuar dokumentet që provojnë se nuk u respektua procedura parlamentare prej 48 orësh për t’u miratuar në seancë plenare raporti për ngritjen e Komisionit Hetimor.

Për këtë Presidenti paralajmëron se do të bëjë kallëzim penal.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve duke hedhur poshtë akuzat deklaroi se nga ana e përfaqësuesve të Presidentit po bëheshin ngatërresa të qëllimshme lidhur me këtë procedurë të ndjekur nga Kuvendi. Bushka në parashtrimet përfundimtare ripërsëriti kërkesën për t’u pranuar vendimi i parlamentit për shkarkimin e kreut të shtetit duke vendosur një precedent që do t’i jepte praktikave të presidentit që kryejnë shkelje të rënda kushtetuese duke u bërë aktor aktiv proceset zgjedhor e që nuk përfaqësojnë unitetin e kombit. Por në dalje të seancës gjyqësore ata zgjodhën të mos komentojnë.

Në praktikat e mëparshme Gjykata nuk e kanë shfrytëzuar të gjithë afatin ligjor 30 ditor për t’u shprehur me vendim, gjithsesi duke qenë një proces i cili ndodh për herë të parë dhe ku argumentet e provat e paraqitura nga të dy palët janë të konsiderueshme mbetet për t’u parë sa kohë do të marrin 7 anëtarët e “Kushtetueses” për të dal me një vendim për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës.

Tv Klan