Komisioni i Venecias takon palët politike

Komisioni i Venecias takon palët politike

10:58 10/09/2019

Në Tetor opinioni për nismën e shkarkimit të Presidentit

Katër ekspertët e Komisionit të Venecias që kanë ardhur në Tiranë për t’u informuar përpara se të japin opinionin e tyre për nismën e shumicës për shkarkimin e kreut të shtetit, takimin e parë e kanë zhvilluar me përfaqësuesin e opozitës joparlamentare.

Sipas demokratëve, qëllimi i shumicës është i qartë që të kapin të gjitha pushtetet.

Ne ua bëmë të qartë se kjo është një përpjekje e qeverisë që, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, në themelet e një krize kaq të madhe, Parlamenti përpiqet që të tërheqë Komisionin e Venecias dhe Këshillit të Europës në lojën e tij të turpshme për të kapur të gjitha pushtetet, përfshirë Presidentin e Republikës”, tha Bylykbashi.

Vetë Presidenti, pas takimit shkruajti ne Twitter se nëse rekomandimet e këtij institucioni do ishin dëgjuar, situata në vend nuk do ishte kurrë kjo që është.

“Kënaqësi të prisja sot një përfaqësi të Komisionit të Venecias. Nëse do ishin respektuar rekomandimet e tyre në të kaluarën, Shqipëria kurrë nuk do të ishte në këtë situatë”.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi angazhimin e ekspertëve të Venecias dhe vlerësoi po ashtu opinionet që ky institucion ka dhënë për vende të tjera anëtare të Këshillit të Europës.

Më pas, përfaqësuesit e Venecias zhvilluan një takim dhe me Kryeministrin Rama.

Takime delegacioni ka zhvilluar dhe me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës parlamentare, anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve si dhe anëtaren e vetme të Gjykatës Kushtetuese. Në ditën e dytë të vizitës së tyre janë parashikuar takime me anëtarët e Komisionit Hetimor dhe shoqërinë civile.

Opinioni i delegacionit pritet të bëhet publik në fillim të Tetorit përpara se të përfundojë mandati i komisionit që po heton për ligjshmërinë e dekretit të Presidentit që anuloi 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve lokale.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
UKT